Topalli i përgjigjet Topit: Kuvendi emëron gjyqtarët
Topalli i përgjigjet Presidentit Topi, i cili dy ditë më parë ka kritikuar kryeparlamentaren për vonesën e shqyrtimit të dekreteve mbi anëtarët e Gjykatës së Lartë. Nëpërmjet zëdhënëses së saj, Suela Ruseti, kreu i Kuvendit ka mohuar sërish se legjislativi po bllokon dekretet e kreut të shtetit. Në deklaratën e lexuar nga Ruseti, Topalli thekson se Kuvendi ka epërsi institucionale në emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, duke thumbuar fort Presidentin Topi. Sipas deklaratës së Topallit: "Të gjitha qëndrimet e Kuvendit përcaktohen nga zbatimi me seriozitet i vendimit nr. 2 datë 18.01.2005 i Gjykatës Kushtetuese, që trajton marrëdhëniet e Presidentit me Kuvendin, rolin e secilit në emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë". Sipas deklaratës së Topallit, vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka forcën dhe vlerën e ligjit kushtetues në praktikën juridike. Ky vendim i ndërmarrë pas kërkesës së Presidentit të kohës, më 18 janar 2005, për të qartësuar rolin dhe të drejtat e tij dhe të Kuvendit në emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, thekson: "qëllimi i hartuesve të Kushtetutës, ka qenë që emërimi i gjyqtarëve të mos mbetej vetëm në kompetencën e një organi… Pjesëmarrja e Kuvendit të Shqipërisë në këtë proces ka për qëllim balancimin e kompetencës së Presidentit të Republikës në emërimin e gjyqtarëve dhe kjo vjen në harmoni edhe me parimin e ndarjes dhe balancimit ndërmjet pushteteve. Interpretimi, sipas të cilit emërimi i përket, në mënyrë ekskluzive, një organi politik me natyrë individuale (kryetarit të Shtetit), thotë vendimi i Gjykatës Kushtetuese, nuk do të ishte në pajtim me standardin përkatës në këtë fushë". Gjykata përcakton se procesi i emërimit i gjyqtarëve në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese duhet të jetë proces koordinimi, bashkëpunimi dhe konsensusi dhe jo veprimi të njëanshëm, që krijon probleme të panevojshme. Lidhur me këtë, ky vendim thotë: "Sistemi i emërimit i pranuar nga Kushtetuta e Shqipërisë ka në esencë kooperimin institucional të Presidentit të Republikës dhe të Kuvendit të Shqipërisë", "pëlqimi që kërkojnë dispozitat e mësipërme, nënkupton një lloj konsensusi midis këtyre organeve kushtetuese që përfshihen në procesin e emërimit të gjyqtarëve të gjykatave më të larta", "Ky sistem emërimi, i adaptuar nga Kushtetuta, i vë subjektet që përfshihen në të, para kërkesës së respektimit të parimit të luajalitetit kushtetues, i cili shpreh në thelb respektin e ndërsjellë nga secili subjekt ndaj kompetencave të tjetrit, si dhe nënkupton krijimin e një raporti bashkëpunimi midis tyre".
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i njeh Kuvendit jo të drejtën e shqyrtimit formal, por të drejtën e shqyrtimit në themel e për meritë, duke i dhënë atij një epërsi të qartë në trajtimin e këtij problemi.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i njeh Kuvendit jo të drejtën e shqyrtimit formal, por të drejtën e shqyrtimit në themel e për meritë, duke i dhënë atij një epërsi të qartë në trajtimin e këtij problemi.