Islami denoncon spastrimet në "Armo"
Deputeti Kastriot Islami deklaroi dje se spastrimet në "Armo" dhe "Albpetrol" janë dëm ekonomik për shtetin dhe familjet e 5 mijë banorëve. Sipas tij, reforma për ristrukturimin e kompanive ka rezultuar antiligjore, spastrim me karakter partiak dhe nepotik dhe aferë korruptive "që synon të pasurojë disa drejtues të kompanive ‘Armo‘ e ‘Albpetrol‘, si dhe shefat e tyre politikë, Ruli e Berisha", tha Islami. Ndërsa shtoi se ky veprim ka shkaktuar dëm ekonomik rreth 40 milionë dollarë për buxhetin e shtetit. "Veprim që ka dëmtuar gjendjen ekonomike dhe ka ndikuar në varfërimin e rreth 1000 familjeve të 1706 punonjësve që ushqejnë rreth 5000 banorë të qarqeve të Fierit, Beratit dhe të Vlorës", insistoi Islami. Duke vënë në dukje edhe rënien e funksionalitetit të kompanisë në të ardhme. Deputeti socialist theksoi se kjo reformë antiligjore ka sjellë dëm prej 40 milionë dollarësh për arkën e shtetit. "Numri 606 i punonjësve të nxjerrë në asistencë me urdhër të ministrit Ruli nga ‘Armo‘ dhe 1100 nga ‘Albpetrol‘, gjithsej 1796 është ekzaktësisht i barabartë me numri e punonjësve të shtuar në organikë pas vitit 2005", sqaroi Islami.