Gërdeci, Mustafaj: Duhet analizë e qeverisjes
Ish-Ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj kërkon reflektim për mënyrën e qeverisjesTIRANË- Ngjarja tragjike e ndodhur nga shpërthimet në fshatin Gërdec do të shoqërohet me analizë përsa i përket mënyrës dhe cilësisë së qeverisjes. Ish ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj deklaroi dje se ai do të kërkojë që në grupin parlamentar të PD-së të zhvillohet analiza lidhur me stilin e qeverisjes, në mënyrë që të nxirren përgjegjësitë që i takojnë qeverisë dhe në të ardhmen të mos diskutohen ngjarje të tilla. "Unë do të kërkoj në grupin parlamentar që të bëhet një analizë e thellë stilit të qeverisjes, cilësisë dhe metodës së qeverisjes, dhe të nxirren të gjitha përgjegjësitë që i takojnë qeverisjes në mënyrë që në të ardhmen të mos kemi më raste dramatike për të diskutuar", është shprehur dje Mustafaj, ndërsa ka theksuar se në të gjithë këtë situatë qeveria ka pasur dy reagime pozitive dhe të përgëzueshme. Reagimi i parë, tha Mustafaj, ka qenë ai për menaxhimin e situatës dramatike në vendin e aksidentit dhe reagimi i dytë dorëheqja e Fatmir Mediut si ministër i Mbrojtjes. Në prononcimin e djeshëm për mediat, deputeti i PD-së ka komentuar edhe rolin e opozitës në tragjedinë e Gërdecit. Mustafaj është shprehur se, opozita nuk e ka zhvilluar rolin e saj parandalues. "Në demokraci opozita ka rol themelor për parandalimin e të keqes. Me kritikat e saj ndaj qeverisë dhe me kritikat e saj ndaj institucioneve të pushtetit ajo parandalon të keqen dhe me keqardhje duhet të them se, deri tani opozita shqiptare jo vetëm nuk e ka kryer rolin parandalues, pra nuk kemi të arkivuar asgjëkund kritika, analiza, objeksionet lidhur me menaxhimin e një situate pasigurie të trashëguar nga kjo qeveri, por tani sillet në mënyrën me spekulative që mund të sillet një opozitë e përgjegjshme",- tha ai. Besnik Mustafaj ka qenë një ndër ministrat e qeverisë Berisha që ka dhënë dorëheqjen pas gati dy vitesh si ministër i Jashtëm. Që pas dorëheqjes nga posti që mbante, Mustafaj ka shfaqur një qëndrim kritik ndaj qeverisjes, të cilin e ka shfaqur shpesh në opinionin publik dhe në grupin parlamentar të PD-së.