Gërdeci, PD: Po punohet për mbylljen e plagëve
Partia Demokratike siguroi të dielën se "qeveria shqiptare do të punojë për mbylljen e plagëve të aksidentit tragjik të Gërdecit". Zëdhënësi i PD-së Gerti Bogdani, përmes një deklarate për shtyp, shprehu dhe njëherë ngushëllimet e sinqerta për familjet dhe të afërmit e viktimave, duke siguruar se "qeveria shqiptare, sikundër deri më sot, do të punojë me ta bashkërisht për mbylljen e plagëve nga ky aksident tragjik". "PD vlerëson qëndrimin e qytetëruar të banorëve të Gërdecit, refuzimin që ata i bënë manipulimit me shpirtrat e njerëzve dhe bashkëqytetarëve të tyre nga Edi Rama, i cili ka zgjedhur këtë ditë për të hapur fushatën e tij elektorale me një miting mortor, duke dhunuar Kodin e të Vdekurve", deklaroi zëdhënësi i PD-së. PD, vijoi më tej ai, e konsideron këtë si përpjekje të radhës në alternativën e Edi Ramës dhe të mediave që ai kontrollon me motot "Rroftë vdekja, poshtë qeveria", "Rroftë e keqja, poshtë Shqipëria", me të cilat ai përpiqet në mënyrë donkishoteske të errësojë suksesin historik të qeverisë dhe të mbarë shqiptarëve, anëtarësimin e plotë në NATO në samitin e ardhshëm. Sipas Bogdanit "Edi Rama ndjen çdo orë dhe çdo ditë se kjo alternativë po gropos njëherë e përgjithmonë karrierën e tij politike. Njeriu që për një vit rresht, nga tmerri dhe sherri, nuk shqipëroi dhe një herë të vetme emrin e Delijorgjit me të cilin ka jo një, por disa sipërmarrje të përbashkëta".