Gërdeci, PD: Do punojmë për mbylljen e plagëve

Partia Demokratike siguroi sot se qeveria shqiptare do të punojë për mbylljen e plagëve të aksidentit tragjik të Gërdecit. Në një vjetorin e kësaj ngjarje, zëdhënësi i PD-së Gerti Bogdani, përmes një deklarate për shtyp, shprehu dhe njëherë ngushëllimet e sinqerta për familjet dhe të afërmit e viktimave, duke siguruar se "qeveria shqiptare, sikundër deri më sot, do të punojë me ta bashkërisht për mbylljen e plagëve nga ky aksident tragjik"."PD vlerëson qëndrimin e qytetëruar të banorëve të Gërdecit, refuzimin që ata i bënë manipulimit me shpirtrat e njerëzve dhe bashkëqytetarëve të tyre nga Edi Rama, i cili ka zgjedhur këtë ditë për të hapur fushatën e tij elektorale me një miting mortor, duke dhunuar Kodin e të Vdekurve", deklaroi zëdhënësi i PD-së. Sipas Bogdanit Rama ndjen çdo orë dhe çdo ditë se kjo alternativë po gropos njëherë e përgjithmonë karrierën e tij politike. Njeriu që për një vit rresht, nga tmerri dhe sherri, nuk shqipëroi dhe një herë të vetme emrin e Delijorgjit me të cilin ka jo një, por disa sipërmarrje të përbashkëta theksoi Bogdani.