Gërdeci, Patrik Henri refuzon të dëshmojë në Gjykatë
Tiranë Amerikani Patrik Henri, një nga njerëzit më kryesorë të biznesit të demontimit të predhave në Gërdec, ka refuzuar të dëshmojë në procesin gjyqësor që po zhvillohet ndaj të akuzuarve si përgjegjës për tragjedinë. Përgjigjja është lexuar në fillim të seancës së djeshme nga kryesuesi i trupit gjykues, Ridvan Hado, i cili iu referua përgjigjes që autoritetet amerikane kishin sjellë për këtë çështje. Sipas letër-porosisë, Patrik Henri, pronari i kompanisë “SAC” dhe ortak i biznesmenit Mihal Delijorgji, refuzonte të vinte si dëshmitar në procesin gjyqësor që po zhvillohet në Gjykatën e Tiranës. Bashkë me të kanë refuzuar dëshminë edhe tre ekspertë që kanë asistuar në hetimin e shpërthimit tragjik, të cilat gjithashtu janë kërkuar si dëshmitarë në këtë proces gjyqësor. Gjyqtari Ridvan Hado lexoi përgjigjen e mbërritur me letërporosi nga ShBA-të, ku thuhet se Henri dhe 3 ekspertë të ShBA-ve janë vënë në dijeni për paraqitjen e tyre si dëshmitar në procesin gjyqësor për çështjen e Gërdecit, por e kanë refuzuar pjesëmarrjen në të. Dita e djeshme ishte afati i fundit për marrjen e dëshmisë së amerikanit Patrik Henri, i cili ka qenë personi i vetëm që ka lidhur kontratën me Ministrinë e Mbrojtjes me qëllim demontimin e predhave në Gërdec. Pas kësaj përgjigjeje, Prokuroria Shqiptare ka si zgjidhje të vetme leximin e dëshmisë që Patrik Henri ka dhënë gjatë hetimit të çështjes, ku sqaron marrëdhëniet e tij me autoritetet shqiptare lidhur me çështjen e Gërdecit. Leximi i përgjigjes së letër-porosisë dhe apeli për praninë e palëve, kanë qenë dy nga “punët” e vetme të gjykatës, pasi edhe seanca e djeshme u shty për mungesën e disa avokatëve mbrojtës, duke shënuar kështu shtyrjen e tretë të gjyqit brenda një jave. Prej disa muajsh procesi gjyqësor ndaj 29 të pandehurve shtyhet pambarimisht, vetëm nga mungesa e avokatëve të të pandehurve.