E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapet 14-vjeçari, vidhte shinat e trenit për skrap

SHKODËR Ndalon trenin e mallrave për të vjedhur skrap, por ndalohet nga policia. Një 14-vjeçar me banim në lagjen ‘Skënderbeg’ në Shkodër, në bashkëpunim me disa bashkëmoshatarë të tij ka ndaluar trenin e mallrave të linjës Bajzë-Elbasan, te vendi i quajtur “Kthesa e Kombinatit” në qytetin e Shkodrës, me qëllim që të vidhte skrap, që ishte ngarkuar në të. Policia, e cila prej disa kohësh po përballet gjithnjë e më shumë me një fenomen të tillë, ka ndërhyrë shpejt dhe ka bërë të mundur ndalimin e 14-vjeçarit, i cili pas shoqërimit në polici është lënë i lire për shkak të moshës së tij të mitur. Po punohet për të identifikuar personat e tjerë bashkëpunëtorë të 14-vjeçarit që do akuzohet në gjendje të lire për vjedhje dhe “Pengim i qarkullimit të mjeteve të transportit”. Linja hekurudhore që lidh stacionin e vetëm ndërkombëtar hekurudhor, atë të Bajzës me pjesën tjetër të vendit, është bërë shpeshherë objekt vjedhjesh të trenave të mallrave, që ndalohen në mënyrë mekanike dhe nga vagonat hidhet skrapi që pastaj merret për t’u shitur. D.K.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›