E Diel, 1 Nëntor 2026

Sezoni i ri turistik, guida informuese për vizitorët

Gjirokastër Në prag të sezonit që shënon rritjen e fluksit të vizitorëve në qytetin e Gjirokastrës, organizma dhe institucione të ndryshme kanë hedhur në qarkullim materiale informuese dhe guida për grupet e vizitorëve. Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare ka përgatitur aktualisht disa materiale të veçanta në këtë drejtim. Pjesë e kësaj pakete informuese janë: fletëpalosje, guida turistike etj., të cilat të ilustruara me harta dhe foto e ndihmojnë turistin të orientohet gjatë guidës së tij në Gjirokastër. Nëpërmjet tërheqjes së kësaj pakete informuese, turistët vendas dhe të huaj mund të orientohen me thjeshtë për të parë nga afër vlerat e komplekseve muzeale, shtëpive të gurta, kështjellës së qytetit, Pazarit karakteristik etj. Madje, në to pasqyrohen jo vetëm vlerat turistike të qytetit të Gjirokastrës, por edhe zonave pranë saj, si Parku Arkeologjik i Antigonesë, qyteti antik i Adrianopolit etj. Materialet janë të përgatitura në gjuhët shqip dhe anglisht. Ndërkohë edhe zyra e Administrimit dhe Koordinimit të Qytetit Muze të Gjirokastrës ka vënë në dispozicion të grupeve të vizitorëve një guidë të veçantë për kalanë e gurtë të Gjirokastrës. Bëhet fjalë për një guidë zanore, e shoqëruar edhe me hartat përkatëse të kështjellës. Guida e përgatitur në disa gjuhë synon të ndihmojë në orientimin e vizitorit përmes vlerave turistike që ofron kështjella, një prej elementëve kryesorë të guidës turistike në Gjirokastër. Institucionet dhe organizmat në shërbim të zhvillimit të turizmit shprehen plot shpresë se edhe këtë viti Gjirokastra do të shënojë një sezon të suksesshëm turistik. “Duke u mbështetur në shifrat e vizitorëve vendas dhe të huaj, që ishin të pranishëm në Gjirokastër gjatë vitit të kaluar, mendojmë se 2011-ta do të shënojë një tërheqje më të madhe karshi Gjirokastrës turistike”, thotë Ermira Çuberi, drejtuese e Zyrës së Administrimit dhe Koordinimit të Qytetit Muze të Gjirokastrës. B.SH

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›