Gërdeci, Prokuroria: 100 shkresa zyrtare që fundosin të pandehurit
Laureta Rryçi
Grupi i prokurorëve që po mbrojnë në Gjykatë dosjen e Gërdecit pritet që të paraqesin shumë shpjet provat shkresore me anë të të cilave vërtetojnë akuzat e të pandehurve. Kështu, dosjes voluminoze pritet t’i bashkëngjiten edhe dhjetëra dokumente zyrtare, që sipas Prokurorisë, zbërthejnë dhe mekanizmin kriminal të të pandehurve në tragjedinë më të rëndë të ndodhur gjatë viteve të fundit në vendin tonë. Sipas Prokurorisë, kur procesi të mbërrijë në fazën e administrimit të provave shkresore, do të jenë rreth 100 shkresa që fundosin të pandehurit, duke sqaruar pozicionin e gjithsecilit. Gazeta “Albania” sjell në numrin e sotëm pjesë të fakteve që pritet të bëhen publike gjatë seancave në vazhdim nga ana e përfaqësuesve të akuzës.
Shkresat
Sipas institucionit të akuzës, provat shkresore që do të paraqiten si prova të pakontestueshme për veprimtarinë e kundërligjshme nga ana e të pandehurve të përfshirë në këtë veprimtari kriminale, dashjen e tyre në realizimin e saj dhe qëllimin e posaçëm kriminal të tyre, në realizimin e përfitimeve të padrejta për shoqëritë “SAC” dhe “Albademil”, nëpërmjet shitjes së municioneve me gëzhojë tunxhi për çmontimin dhe çmilitarizim. Po sipas këtyre dokumenteve, përzgjedhja e kompanisë amerikane “SAC” në këtë veprimtari kriminale ka qenë e paracaktuar për t’u përdorur si fasadë për publikun dhe për institucionet e tjera, me qëllim krijimin e perceptimit të rremë se do të realizohej një proces transparent, ligjor dhe që do të garantonte çmontimin dhe çmilitarizimin e municioneve brenda standardeve për sigurinë publike, që zakonisht e ofrojnë shoqëritë e huaja në këtë fushë, ndërkohë që provohet se në fakt është konsideruar domosdoshmëri dhe janë marrë të gjithë masat që ky proces të realizohej nga person juridik i pandehur, shoqëria “Albademil”, e përfaqësuar nga i pandehuri Mihal Delijorgji.
Anashkalimi
Në dokumentet zyrtare që ka mbledhur grupi i prokurorëve që u mor me këtë çështje thuhet se të pandehurit qëllimisht bënë përjashtimin e ndërmarrjeve me profil ushtarak Poliçan, Gramsh dhe Mjekës në Elbasan, nga realizimi i procesit të çmontimit dhe çmilitarizimit të municioneve. Sipas akuzës, kjo u arrit nëpërmjet relacionit dërguar Këshillit të Ministrave (KM) bashkëlidhur projektvendimit të KM, të iniciuar dhe firmosur nga ish-ministri Fatmir Mediu, që tashmë nuk është më i pandehur i kësaj çështjeje falë vendimit të Gjykatës së Lartë dhe të përgatitur nga të pandehurit e tjerë. Kjo shkresë është në mbledhjen e Këshillit të Ministrave mbajtur në datë 17.02.2007. Në dosjen e Prokurorisë thuhet se kjo shkresë është arsyetuar se këto ndërmarrje mund të trajtojnë municione të kalibrave të mëdhenj, por nuk trajtojnë municione të kalibrave të vegjël, ndërkohë që hetimet kanë provuar se këto ndërmarrje me profil ushtarak janë diskriminuar, duke u përjashtuar nga përfshirja në këtë proces edhe për municionet/shtimjet e kalibrave të mëdhenj, të cilat në mënyrë të padrejtë zyrtarë të aso kohe të Ministrisë së Mbrojtjes, kanë urdhëruar t’i shiten për çmontim dhe çmilitarizim shoqërive “SAC” dhe “Albademil”, megjithëse këto kompani nuk kishin teknologji, kapacitete apo përvojë për të trajtuar municione/shtimje të kalibrave të mëdhenj.
Marrëveshja
Një tjetër moment që Prokuroria ka arritur ta provojë me dokument shkresor ka të bëjë edhe me njohjen e të pandehurit Ylli Pinari me patrik Henri III, përfaqësues i shoqërisë amerikane “Southern Ammunition Company Inc” (SAC inc). Prokurorët sqarojnë se më datë 27 shkurt 2006, i pandehuri Ylli Pinari, ish-drejtor i ndërmarrjes “MEICO” (Military Export Import Companny) të Ministrisë së Mbrojtjes, ka rënë në kontakt me Patric HENRY III, përfaqësues i shoqërisë amerikane “Southern Ammunition Company Inc” (SAC inc). Në kontaktet e realizuara me postë elektronike, telefon dhe takime të drejtpërdrejta në Tiranë, në periudhat 14 mars dhe 29 qershor – 1 korrik 2006, Patric Henri III i ka shfaqur interes të pandehurit Ylli Pinari për blerjen e municioneve me gëzhojë tunxhi që dispononte ushtria shqiptare dhe që nuk ishin pjesë e armatimit të saj, duke kërkuar fillimisht blerjen për çmontimin dhe çmilitarizimin e tyre në SHBA.
Në memon nr. 1232/523, datë 5. 07. 2006 “Propozim për demontim industrial municionesh” drejtuar ish-ministrit Mediu, i pandehuri Ylli Pinari e ka vënë në dijeni për interesin e kompanisë “SAC” për blerjen e municioneve me gëzhojë tunxhi për çmontimin dhe çmilitarizimin e tyre. Për këtë kërkesë, në periudhën korrik - dhjetor 2006, i pandehuri Fatmir Mediu nuk ka shfaqur asnjë interesim apo qëndrim aktiv, deri në përfshirjen e të pandehurit Mihal Delijorgji në këtë aferë. “Në fillim të dhjetorit 2006, i pandehuri Yli Pinari i ka sugjeruar Patric Henry III domosdoshmërinë e kryerjes së procesit të çmontimit dhe çmilitarizimit të municioneve në Shqipëri dhe përfshirjen në këtë proces të të pandehurit Mihal Delijorgji, si dhe e ka orientuar për të realizuar një takim të drejtpërdrejtë me ish-ministrin Mediu, meqenëse deri në atë kohë kërkesat e tij nuk ishin vënë në lëvizje nga ky i fundit. Për të përmbushur këto kërkesa dhe për formalizimin e tyre, Patric Henry III, në periudhën 18-21 dhjetor 2006, ka ardhur dhe qëndruar në Tiranë. Nën ndikimin dhe ndërmjetësimin e të pandehurit Ylli Pinari është njohur dhe është lidhur me të pandehurin Mihal Delijorgji, me të cilin ka rënë dakord për përqindjet e aksioneve dhe fitimeve në këtë proces, si dhe ka formalizuar krijimin e shoqërisë ‘Albademil’, me bashkortakë Mihal Delijorgjin, me 67 për qind të aksioneve, dhe Patric Henry III, me 33 për qind të aksioneve”, - thuhet në shkresat e institucionit të akuzës. Sipas Prokurorisë, këto fakte dhe tërësia e fakteve të tjera për të cilat janë gjetur dokumentet shkresore qartësojnë veprimet e kundërligjshme, inicimin me qëllim të posaçëm kriminal dhe dashjen e këtyre të pandehurve, për realizimin e shitblerjes së municioneve për çmontim dhe çmilitarizim në interes të përfitimeve të padrejta të shoqërisë “Albademil”, duke përdorur kompaninë amerikane “SAC” si koperturë në këtë proces.
Të dhëna zyrtare pas tragjedisë
27 persona të plagosur rëndë, të përshkruar në aneksin nr. 1, bashkëlidhur;
109 personave të plagosur lehtë nga kjo vepër penale, të përshkruar në aneksin nr. 2, bashkëlidhur;
67 persona me dëmtime të tjera të lehta nga kjo vepër penale, të përshkruar në aneksin nr. 3, bashkëlidhur;
61 persona të tjerë të trajtuar në spitale, për të cilët nuk është mundësuar përcaktimi i shkallës së dëmtimit, të përshkruar në aneksin nr. 4, bashkëlidhur;
5829 personave u është shkaktuar dëm material në vlerë 2 141 343 616 lekë, nga vepra penale e shkatërrimit të pronës me eksploziv, që përfaqësojnë shkatërrime dhe dëmtime banesa, biznese, orendi të tyre, 13 ferma bujqësore dhe blegtorale. Kjo vlerë dëmi është kompensuar nga shteti dhe interesat e të cilit përfaqësohen nga Avokati i Shtetit.
7 Nentor 2009