E Diel, 1 Nëntor 2026

Letra, 400 banorë japin alarmin SOS: “Na rrezikohet jeta nga diga!”



Laureta Rryçi

Diga e Liqenit Artificial të Tiranës është kthyer në rrezik për jetën e 400 banorëve që jetojnë në lagjen e “Komuna e Parisit”. Për të zgjidhur shqetësimin e tyre ata i kanë shkruar një letër ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, dhe kanë kërkuar ndihmën dhe ndërhyrjen e Avokatit të Popullit, Ermir Dobjani. Burime pranë zyrës së Avokatit të Popullit konfirmuan dje për gazetën “Albania” se pranë zyrës së tij kanë paraqitur ankesë një grup prej rreth 400 banorësh të bllokut “Ndërtim-Vila”, në rrugën “Komuna e Parisit” (sot është emërtuar si rruga “Medar Shtylla”), me anën e së cilës bëjnë të ditur shqetësimin për mungesën e mirëmbajtjes dhe pasigurinë teknike të digës dhe portës të Liqenit Artificial të Tiranës. Në ankesën e banorëve thuhet se të njëjtat probleme ka edhe kolektori i shkarkimit, mbi të cilin janë kryer ndërtime pa lejen e KRRT-së, si dhe devijime deri në 90 gradë. Banorët kanë ngritur shqetësimin se ndërhyrjet në kolektor kanë ngushtuar dhe ulur kapacitetet e përcjelljes së ujërave të tepërta të liqenit dhe reshjeve, gjë që ka sjellë që në disa raste, nga viti 2000 deri në 2009-n, banesat, garazhet, rrugët janë përmbytur, duke sjellë në të njëjtën kohë dëme të mëdha materiale.
Përgjegjësia
Në letrën e tyre mësohet se banorët kanë shprehur shqetësimin se problematika e mësipërme vështirëson zgjidhjen imediate edhe për faktin se diga nuk rezulton të jetë në administrim të asnjë enti publik, dikasteri apo organi të pushtetit vendor dhe deri tani nuk ka filluar ndonjë projekt për përmirësimin e situatës, megjithëse gjatë fushatave elektorale është premtuar vazhdimisht.
Sipas Avokatit të Popullit, Ligji Nr.8736, dt.01.02.2001 “Për rezervat ujore” dhe ai me Nr.8743, dt. 22.02.2001 “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, parashikojnë pronësinë shtetërore mbi digat. Ndërsa Ligji Nr.8681. dt.02.11.2000 “Për projektimin, ndërtimin, shfrytëzimin dhe mirëmbajtjen e digave dhe dambave” ngarkon administratorin, që është përdoruesi ose shfrytëzuesi, për shfrytëzimin, mirëmbajtjen dhe riparimin e digës.
Kërkesa
Banorët e kësaj zone, duke parashtruar rrezikshmërinë e digës dhe kolektorit të Liqenit Artificial si një burim me rrezik të shtuar për shëndetin, jetën dhe pronën e komunitetit të zonës poshtë saj, kërkojnë ndërhyrjen institucionale të Avokatit të Popullit për zgjidhjen sa më të shpejtë të shqetësimit të bërë prezent. Mësojmë se Dobjani, nëpërmjet një shkrese zyrtare, i ka kërkuar vënien në dispozicion të gjithë dokumentacioni, për problemet e mësipërme që lidhen me digën e Liqenit Artificial dhe parandalimin e përmbytjeve nga ujërat dhe reshjet.

Nis procesi për mjekun Xhevahir Hoxhallari
Mjeku Xhevahir Hoxhallari është ulur dje në bankën e të pandehurit për vdekjen e 17-vjeçares Matilda Petriti, pacientja që ndërroi jetë pas një operacioni për heqjen e bajameve. Gjatë seancës së djeshme, me avokatin mbrojtës në krah, mjeku Hoxhallari i tha gjykatësit të çështjes, Artan Brocit, se ka momente pakujdesie në mjekim, sikurse prokuroria e akuzon, por, vdekja e vajzës, sipas tij, hyn te rastet e rralla që ndodhin në mjekësi. Por nuk ka të njëjtin mendim prokurori i çështjes, ku, me sa duket, ka si provë kundër tij një raport të detajuar të mjekësisë ligjore, e cila flet për të gjitha shkeljet e mjekut, që sollën, sipas Prokurorisë, edhe vdekjen e vajzës.
Po kështu, Prokuroria ka vënë në dispozicion të gjykimit edhe kartelën mjekësore që sipas hetuesve në të nuk janë shënuar të dhënat e pacientes, fakti që ajo ka pasur hemorragji pas operacionit dhe ditët në vijim, derisa gjeti vdekjen në spitalin civil në Tiranë. Në proces prokurorja kërkoi të thirren si dëshmitarë jo vetëm familjarët e së ndjerës, por edhe mjekë. Këta të fundit u kërkuan në gjyq edhe nga avokati mbrojtës i të pandehurit. Përveç kirurgut që e ka operuar vajzën në klinikën e tij private në Pogradec, çështja e vdekjes së Matilda Petriti fillimisht pati në hetim edhe mjekë të tjerë të spitalit civil pas diskutimeve së përse mjekët neglizhuan të ndërhynin për ta shpëtuar atë, me gjithë gjendjen e saj të rënduar.

Gjykata e Apelit rikthen për hetim dosjen ku akuzohet mjeku

Berat - Gjykata e Apelit në Vlorë ka vendosur të rikthejë edhe një herë dosjen për zbardhjen e plotë të ngjarjes së vdekjes së Mimoza Mançes, e cila 5 vjet më parë humbi jetën në spital ndërsa priste të sillte në jetë fëmijën e saj të tretë. Mësohet se Apeli ka vendosur të rikthejë në Prokurorinë e Beratit hetimin e çështjes për vdekjen e 32-vjeçares dhe të foshnjës së saj, që nuk arriti të vinte në jetë. Në këtë vendim është përcaktuar qartë se, bazuar në përfundimin e aktit të ekspertimit, ka rezultuar i gabuar vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë e Beratit, e cila vendosi rrëzimin e kërkesës penale të bashkëshortit të viktimës, Arben Mançe dhe pushimin e çështjes. Sipas burimeve, Gjykata e Apelit ka argumentuar se nga ekspertët nuk është sqaruar se cilat janë mangësitë e infrastrukturës spitalore dhe cilat janë mangësitë e përgatitjes profesionale të mjekëve që janë marrë me trajtimin e viktimës dhe në çfarë raporti qëndrojnë këto dy lloj mangësish me njëra-tjetrën. Pas këtij vendimi, institucioni i akuzës në Berat duhet sërish të hetojë në lidhje me anën objektive të kësaj çështjeje, të kryejë hetimet duke thirrur mjekët që kanë përpiluar aktin e ekspertimit për të dhënë sqarime. Sipas Apelit, hetimet duhet të vazhdojnë për të sqaruar nëse mungesat procedurale mjekësore shkaktuan vdekjen e viktimës, në kushtet ku vetë ekspertët në konkluzionet e tyre nuk janë shprehur qartë për sa i përket mundësisë së shpëtimit të jetës së pacientes. Menjëherë sapo është njohur me këtë vendim, bashkëshorti i Mimoza Mançes, Arbeni, pohoi se do ta ndjekë këtë çështje deri në zbardhjen e së vërtetës dhe se do të bëjë një ankesë pranë kryeprokurores Ina Rama për zvarritjen e hetimeve. 32-vjeçarja Mimoza Mançe, banore e fshatit Otllak në rrethin e Beratit, humbi jetën në maternitetin e këtij qyteti më 16 gusht të vitit 2004. Pas ngjarjes familjarët e saj akuzuan mjekun obstetër Julian Hebibaj, i cili kishte ndjekur shtatzëninë e gruas.

7 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›