Rritja e rreme e pagave, qeveria aktuale nuk ka kaluar as nivelin e pararendëseve
Ervin KOÇI
Qeveria ka gënjyer në lidhje me politikën e rritje së pagave për sektorin shtetëror, kur pretendonte se po mbante nivelin më të lartë të 10 viteve të fundit. Sipas të dhënave të fundit në lidhje me grafikun e rritjes së pagave të administratës, kjo qeveri edhe pse ka trumpetuar se ka bërë rritjen më të madhe në fakt nuk e ka pasur atë as sa të qeverive paraardhëse socialiste Me gjithë deklarimet publike të qeverisë, rritja e pagave për sektorin buxhetor, gjatë periudhës 2005-2009 realisht është më e vogël se në periudhën 2001-2005. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, e cila i referohet Institutit të Statistikave, për periudhën 2001-2005 rritja kumulative e pagës mesatare në sektorin shtetëror ishte në terma nominalë 76 për qind, ndërsa në intervalin 2005-2009 rritja e pagës në total ka qenë vetëm 50 për qind. Edhe po të zhvishen nga efekti i inflacionit del se, sërish rritja reale e pagave në përqindje ka qenë më e lartë në periudhën 2001-2005 se sa në katër vitet e fundit. Në fakt, qeveria ka të drejtë vetëm pjesërisht, kur thotë se ka sjellë një rritje bruto të pagës. Në dukje paga e buxhetoreve është rritur në vlerë, por jo si përqindje, nëse do të krahasoheshin dy periudhat e fundit të qeverisjeve 2001-2005 dhe 2005-2009.
Rritja reale
Të dhënat tregojnë se në katërvjeçarin e fundit, qytetarët morën më shumë lekë si pagë mujore bruto, por kjo nuk do të thotë se qytetarët kanë përfituar më shumë nga ajo. Përkundrazi, të dhënat tregojnë se një pjesë të mirë të saj shteti ua merr buxhetorëve në formën e taksave. Në vitin 2007, barra fiskale mbi rrogat pësoi një rritje spektakolare si pasojë e taksës së sheshtë. Dhe të dhënat tregojnë se një shqiptari i mbahen sot nga paga mesatarisht 4010 lekë tatim mujor, në një kohë që katër vite më parë paguante vetëm 895 lekë. Kjo llogaritje e kryqëzuar, e bazuar e gjitha në të dhëna zyrtare, tregon se rritja neto e pagave ka qenë në katërvjeçarin e fundit rreth 770 lekë më e ulët se sa një katërvjeçar më parë.
Rritja vitin e ardhshëm
Projektbuxheti i vitit 2010 parashikon vazhdimin e rritjes së rrogave dhe pensioneve. Në këtë projekt parashikohet që rritja e pensioneve do jetë nga 7 deri në 10 për qind, ndërsa e pagave nga 4 deri në 10 për qind. Përsa i përket pensioneve, rritjen më të madhe do ta kenë ato të fshatit, pasi objektivi i qeverisë është barazimi i tyre me pensionet e qytetit brenda katër viteve të këtij mandati. Në fakt, gjatë tre viteve të fundit pensionet e fshatit kanë përfituar rritjen më të lartë të pensionit. Sipas të dhënave zyrtare, numri i pensionistëve në të gjithë vendin arrin në 520 mijë. Lidhur me pagat, rritja më e madhe do të jetë për ato të ulëtat. Fondi për pagat gjatë vitit 2010 do të jetë rreth 624 milionë dollarë, në krahasim me rreth 572 milionë dollarë që ka qenë një vit më parë. Për sa i përket rritjes së pagave pensioneve, qeveria ka parashikuar një fond prej 30 milionë dollarë për të përballuar rritjen e tyre. Në buxhetin e vitit të ardhshëm është parashikuar një fond i konsiderueshëm prej 12.4 miliardë lekë si kontigjencë dhe fond rezervë. Por fondi rezervë dhe ai i kontigjencës së një viti më parë ka pasur një shumë prej 2.5 miliardë lekë më të madhe se në vitin 2010. Fondi rezervë i Këshillit të Ministrave është zvogëluar nga 2.6 miliardë lekë të reja në 2 miliardë lekë, ndërsa fondi që përballon rritjen e pagave dhe pensioneve është zvogëluar nga 85 milionë dollarë në 30 milionë dollarë.
9 Nentor 2009