Interesat, në 2010-n pritet një rritje e fortë e kostos së borxhit publik
Një pjesë e mirë e parave të buxhetit të vitit 2010 do të shkojë për të paguar interesat e borxhit që janë marrë nga qeveritë. Në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm parashikohet që shpenzimet për interesat e borxhit publik të pësojnë një tjetër rritje të fortë, rritje që do të jetë edhe më e madhe se ajo e vitit 2009. Në këtë përmasë, pagesa e qeverisë për borxhet e marra po bëhet një nga zërat më të rëndësishëm të shpenzimeve të buxhetit. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, në total shpenzimet për interesat e borxhit do të jenë në vitin e ardhshëm 43.5 miliardë lekë nga 36.7 miliardë që ishin për këtë vit, me një rritje prej 18.5 për qind. Krahasuar me dy vjet më parë, interesat e borxhit që paguan qeveria janë rritur me rreth 75 për qind. Pagesa në rritje ka qoftë për borxhin e jashtëm, ashtu edhe për atë të marrë nga tregu i brendshëm. Shpenzimet për interesat e borxhit të brendshëm do të rriten vitin e ardhshëm me rreth 14 për qind krahasuar me këtë vit, ndërsa ato të borxhit të jashtëm rriten me 45.5 për qind. Ministria e Financave pranon në relacionin e projektbuxhetit se kjo rritje e interesave vjen për shkak të rritjes së interesave të bonove të thesarit, por edhe marrjes së kredive tregtare me interesa jashtëzakonisht të larta deri në 13 për qind, sidomos gjatë dy viteve të fundit.
Pagesa për borxhin
Të dhënat tregojnë se pagesat për të shlyer borxhet e qeverisë po bëhen një nga zërat që merr një pjesë të konsiderueshme të taksave që paguajnë qytetarët, pasi në vitin 2010 ato janë sa 63 për qind e të gjithë fondit të investime publike. Qeveria shqiptare ka rritur deficitin buxhetor në 6.2 për qind të PBB-së për vitin 2008, nga 3.5 për qind në vitin 2007. Deficiti i llogarisë korrente të Shqipërisë u rrit nga -10.6 për qind në 2007 në -15.2 për qind në 2008-n. Deficiti i llogarisë korrente përfaqëson diferencën mes valutës së dalë dhe asaj që ka hyrë në ekonominë shqiptare. Rritja e deficitit përtej një pike të caktuar shoqërohet detyrimisht me zhvlerësim të monedhës kombëtare. Deficiti u rrit pjesërisht për të financuar rrugën Durrës-Kukës dhe pjesërisht për të rritur pagat dhe pensionet. Deficiti i lartë i buxhetit është mbuluar pjesërisht nga borxhet dhe pjesërisht nga të ardhurat nga privatizimi.
Largimi i parave
Shumë studime kanë nxjerrë në dukje faktin se një pjesë e madhe e deficitit buxhetor në një mënyrë apo një tjetër largohet nga vendi, duke sjellë edhe presion mbi monedhën kombëtare. Në prill, Banka e Shqipërisë publikoi një studim, ku doli në konkluzionin se në rastin e Shqipërisë kishte një lidhje mes deficitit buxhetor dhe deficitit të llogarisë korrente, pa hyrë në detaje se sa kanë ndikuar shpenzimet e tepërta të qeverisë. Por FMN-ja në studimin e vet vëren një korrelacion deri në 100 për qind, gjë që do të thotë se çdo lek shtesë i hedhur nga qeveria, është konvertuar automatikisht në valutë dhe është larguar nga vendi. Qeveria nuk ka pranuar asnjë përgjegjësi në këtë çështje dhe ka akuzuar se zhvlerësimi i lekut është shkaktuar nga "forcimi i euros" apo nga një "komplot i opozitës".
9 Nentor 2009