Emri i Maqedonisë, jashtë prioriteteve të Spanjës
Shkupi duhet të fokusohet në forcat e veta, sepse presidenca e BE-së nuk e ka në axhendë
Presidenca spanjolle inkurajon Maqedoninë në zbatimin e reformave, si dhe në zgjidhjen sa më të shpejtë të çështjes së emrit me Greqinë. Kështu është shprehur përfaqësuesja e ambasadës spanjolle, Garsia De Lora, gjatë paraqitjes së prioriteteve të presidencës spanjolle të BE-së. “Ne jemi të ndërgjegjshëm për rëndësinë e zgjidhjes së problemit të emrit. Ne inkurajojmë dy palët që të gjejnë zgjidhje të pranueshme dhe të përbashkët, i përkrahim negociatat nën drejtimin e Kombeve të Bashkuara, me ndërmjetësimin e Metju Nimic”, ka thënë Garsia De Lora. Përveç përkrahjes inkurajuese, ajo nuk garantoi involvim të drejtpërdrejtë të ndonjë zyrtari europian në zgjidhjen e çështjes së emrit.
Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, nuk është aq optimist se Spanja si kryesuese me presidencën e BE-s do të bëjë ndonjë hap konkret për zgjidhjen e çështjes së emrit. “Ne do të fokusohemi që përmes takimeve të drejtpërdrejta të dalim nga situata në të cilën gjendemi dhe të gjejmë një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët”, thotë Gruevski.
Analisti politik, Rizvan Sulejmani, është i mendimit se BE i ka dhënë afat kohor prej gjashtë muajsh Maqedonisë dhe Greqisë për të treguar kapacitetin dhe mundësitë reale për tejkalimin e kontestit rreth emrit. “Një qeveri e cila është populiste, e ka të vështirë që të ndryshojë qëndrimin e vet zyrtar. Gjashtë muajt e ardhshëm janë vendimtarë për të treguar nëse do të lëvizet nga ky pozicion.
Modelet, strategjitë se si mund të dilet nga kjo situatë, janë të ndryshme. Unë nuk përjashtoj mundësitë, as të zgjedhjeve të parakohshme, nuk i përjashtoj as format e tjera ndoshta më ekstreme, por sidoqoftë Maqedonia duhet të tregojë kapacitetet e veta”, vlerëson analisti Rizvan Sulejmani.
Zhidas Daskallovski, nga qendra për krijimin e strategjive politike, është skeptik ndaj ndonjë lëvizjeje pozitive për sa i përket zgjidhjes së çështjes së emrit midis Maqedonisë dhe Greqisë, gjatë presidencës së BE-së nga Spanja, sepse Ballkani nuk është në prioritetet kryesore të Spanjës, thotë ai. “Problemi i Maqedonisë me emrin në këtë periudhë mund të dalë në sipërfaqe vetëm nëse nga ana e Shkupit iniciohet ndonjë proces para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për mbrojtjen e emrit të shtetit, në të kundërtën nuk do të ndodhë asgjë spektakolare”, thotë Zhidas Daskallovski. Analistët politikë vlerësojnë se në këtë periudhë autoritetet politike në Maqedoni duhet të kenë kujdes të veçantë në ruajtjen e marrëdhënieve, edhe ashtu të brishta ndëretnike, sepse çdo cenim i tyre do ta largonte Maqedoninë për disa vite nga rruga e integrimeve euroatlantike.
#