Gërdeci, Seanca e parë më 4 maj
Fillimi i muajit është caktuar edhe si nisja e procesit të tragjedisë së vitit të kaluar që mori jetën e 26 njerëzve
Në proces pritet të ulen si të akuzuar ish- Ministri i Mbrojtjes, krerë të Ushtrisë, si dhe përfaqësuesit e subjektit që demontonte municionet
TIRANË- Pesëshja gjykuese e Gjykatës së Lartë, e kryesuar nga gjyqtarja Majlinda Andrea, caktoi datën e zhvillimit të seancës së parë gjyqësore ndaj 29 të pandehurve të tragjedisë së Gërdecit, të kryesuar nga ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i ndjekur nga pas me ish-drejtues të lartë të Ushtrisë. Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare pranë këtij institucioni, të cilët konfirmuan se pas konsultimeve mes anëtarëve të Kolegjit Penal, gjyqtarja Andrea shpalli ditën e hënë datë 4 maj, ora 13:30, si ditë të fillimit të procesit gjyqësor ndaj të pandehurve të akuzuar si përgjegjës për shpërthimin e punishtes së demontimit të municioneve në Gërdec. Si pasojë e shpërthimit të 400 tonëve barut dhe municioneve të ndryshme, gjetën vdekjen 26 persona dhe mbi 300 të tjerë u plagosen dhe u gjymtuan. "Pasditen e datës 25 mars 2008, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë me kryesues Majlinda Andrea dhe anëtarë të trupit gjykues, Evgjeni Sinoimeri, Irma Bala, Evelina Qirjako dhe Besnik Imeraj kanë publikuar shpalljen për caktimin e datës së gjyqit ndaj të pandehurve të "Gërdecit". Pas këshillimit mes tyre dhe duke parë ngarkesën e gjyqeve që gjykojnë, kanë vendosur që data e zhvillimit të seancës së parë gjyqësore për dosjen "Gërdeci" të jetë 4 maj ora 13:30 minuta",-thanë burimet e Gjykatës. Ky lajm, konfirmohet edhe nga shkresa zyrtare e afishuar në tabelat e njoftimit që ndodhen në hyrjen kryesore të Gjykatës së Lartë. Kështu, pesëshja gjykuese e Kolegjit Penal, dhjetë ditë pas depozitimit të dosjes penale nga Prokuroria e Përgjithshme me 81 fashikuj dhe kërkesën për gjykim prej 167 faqesh, vendosi të caktojë seancën e parë gjyqësore me datë 4 maj 2008, rreth 48 ditë nga dorëzimi i kësaj dosjeje penale në kryesekretarinë e kësaj gjykate. Sipas kërkesës për gjykim, të 29 të pandehurit dhe shoqëria "Albademil" sh.p.k. si person juridik, me veprimet dhe mos veprimet e tyre, në role e kohë të ndryshme, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë ndikuar direkt e indirekt në shpërthimin e 400 tonëve barut, që solli dëme të mëdha materiale. Gjithashtu, sipas kërkesës për gjykim, Prokuroria e Përgjithshme për të provuar para gjykatës se të 29 të pandehurit janë fajtorë për shpërthimin e punishtes së çmontimit të municioneve, përveç provave materiale dhe dëshmive të ndryshme, ka kryer edhe rreth 299 ekspertime të ndryshme për llogari të hetimit. "Gjatë fazës hetimore 12- mujore ka qenë e nevojshme për të zbardhur disa pista hetimore edhe kryerja e një sërë ekspertimesh të ndryshme. Gjatë kësaj faze hetimore janë kryer 26 ekspertime mjeko-ligjore për personat e vrarë, 267 akt-ekspertime mjeko-ligjore ndaj personave të plagosur, katër akt-ekspertime ushtarake dhe një akt-ekspertim ekonomiko financiar për dëmet e shkaktuara",-thuhet në kërkesën për gjykim, që "Shekulli" e ka botuar javën e kaluar në disa numra të gazetës. Ndërsa, vetëm pak ditë më parë, ka qenë ish-Ministri i Mbrojtjes, i pandehuri Fatmir Mediu që ka depozituar në prokurorinë e kryeqytetit dy kallëzime penale. Një ndaj kryeprokurores Ina Rama, me pretendimin se më 25 prill 2008 gjatë konferencës për shtyp, ku publikoi kërkesën e drejtuar Kuvendit për heqjen e imunitetit të deputetit Mediu ka publikuar të dhëna që përbëjnë sekrete hetimore. Si dhe ndaj drejtorit të hetimit të tragjedisë së Gërdecit, Sokol Stojani ka tentuar të diskreditojë deputetin pa imunitet Mediu në një emision televiziv, duke i dërguar SMS-së të ftuarve në panel, për t'i drejtuar pyetje të pandehurit.
Ngjarja e ndodhur më datë 15 mars 2008, në ambientet e "ish-Brigadës së Tankeve" në Gërdec-Tiranë, ku ushtronte aktivitetin e çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve shoqëria "Albademil" sh.p.k, për nga përmasat dhe shtrirja e saj; për nga pasojat tejet të rënda njerëzore, materiale, sociale dhe psikologjike; për nga dëmtimi i interesave materiale dhe jo materiale të shtetit, si dhe për nga cenimi i një sërë marrëdhëniesh të tjera shoqërore të mbrojtura posaçërisht me ligj, konsiderohet një nga ngjarjet më tragjike të viteve të fundit, e cila krijoi një situatë tejet të rëndë humane, sociale, ekonomike, psikologjike, ekologjike, si dhe cenoi rëndë sigurinë në gjithë rajonin dhe më gjerë. Shpërthimet masive, në këtë ngjarje, të lëndëve plasëse dhe djegëse: barut 1 mijë ton; djegore të tipave të ndryshme 286 mijë copë dhe predha municionesh dhe shtimjesh 4300 , ton, me mbushje tritol (TNT) 795 to , të depozituar në këtë ambient - rajon, afër qendrave të banuara, objekteve sociale, bizneseve, rrugëve nacionale, stacionit hekurudhor Vorë, aeroportit "Nënë Tereza" Rinas, etj, ka shkaktuar: vdekjen e 26 personave, plagosjen e rëndë të 27 personave, plagosjen e lehtë të 109 personave, dëmtime të parëndësishme të 67 personave dhe dëmtime të tjera të pa klasifikuara të 61 personave që janë trajtuar në spitale e qendra mjekësore. Gjithashtu, ka shkatërruar dhe dëmtuar pasuritë në vlerë 2.24 miliardë lekë, që përfaqëson pasuri të shtetasve në vlerë 2.14 miliardë lekë, si: banesa, orendi të tyre, ferma bujqësore e blegtorale si dhe pasuri shtetërore/publike në vlerë 102 milionë lekë, si: objekte sociale dhe orendi të tyre.
Shpërthimi
TIRANË- Më datë 15 mars 2008, rreth orës 12:00, sapo kishte filluar pushimi i drekës, disa punëtorë kanë filluar me nxitim transportimin e barutit, i cili ishte i paketuar në thasë plastikë i ndodhur në natyrë, në një sasi të madhe në sheshin e kapanonit. Ndërkohë, në këtë ambiente janë shfaqur flakët e para, pranë një karroce, e cila ka qenë e ngarkuar me disa thasë me barut, pranë një grumbulli thasësh baruti. Kjo karrocë përdorej nga grupi i punës i të ndjerit Qemal Deliut. Nga provat e grumbulluara ka rezultuar se kjo karrocë është salduar nga i ndjeri Qemal Deliu në banesën e tij, disa minuta para se të shfaqej zjarri. Zjarri ka filluar të përhapej me shpejtësi në drejtim të kapanonit. Punëtorët duke shikuar se ishte e pamundur qe të shuhej kjo vatër zjarri kanë filluar të largohen nga dy drejtime kryesore që ishin porta e hyrjes në ndërmarrje dhe nga një portë anësore e kapanonit. Në këto momente ka ndodhur shpërthimi i parë në sheshin para kapanonit, i cili është pasuar nga shumë shpërthime të tjera të një pas njëshme, për shkak të sasive të mëdha të barutit të depozituar, si në ambientet para dhe brenda kapanonit, ashtu dhe në të gjithë territorin e "ish-Brigadës së Tankeve" ku ushtronte aktivitetin shoqëria "Albademil" sh.p.k.
Provat
26 akte- ekspertimi mjeko ligjor për personat e vrarë.
27 akte ekspertimi mjeko ligjor për personat e plagosur rëndë.
110 akte ekspertimi mjeko ligjor për personat me dëmtime të lehta.
69 akte ekspertimi mjeko ligjor për personat me dëmtime të tjera.
61 akte ekspertimi mjeko ligjor për personat me dëmtime të pa përcaktuara .
Akt ekspertimi i specialistëve amerikanë, për shkakun e shpërthimit dhe të vendit të ngjarjes
Akt ekspertimi ekonomiko-financiar.
Akt ekspertimi tekniko-ushtarak.
Akt ekspertimi teknik barutesh.
Akt ekspertimi tekniko-balistik dhe krahasues i armës.
Akt ekspertimi daktiloskopik i armës.
26 VIKTIMAT
Shefki Ahmet CANI
Zelije Bajram PRINI
Arben Selajdin ASE
Hysen Abaz CANI
Qemal Can DELIU
Korre Ali DELIU
Jetmir Qemal DELIU
Liljana Ramiz DELIU
Flavio Uran DELIU
Jetmir Sali BALLAZHI
Homet Laze HAZIZAJ
Zelie Shyqyri KACA
Bukurije Bektash CANI
Resmije Kujtim KRANJA
Shqipe Dilaver ALHASA
Roland Gëzim ALLA
Reshit Haxhi KRUJA
Endri Mustafa DVORANI
Muhamet Ramiz HOXHA
Besim Fadil ÇANGA
Rajmonda Medi DURDA
Erison Feruzan DURDAJ
Nafije Selman LAÇI
Zelfi Sali AHMETI
Azem Kadri HAMOLLI