Sherri, nusja godet vjehrrën me levë në kokë
Dy gratë jetonin në një shtëpi edhe pse gruaja ishte ndarë nga burri. Motivi i sherrit, vjehrra i kërkoi të ikte nga shtëpia
FUSHË KRUJË- Një grua e moshuar ndodhet në spital në gjendje të rëndë pasi është goditur me levë hekuri nga nusja e djalit të saj. Ngjarja ka ndodhur në Fushë Krujë dhe shkaku ishte një grindje e vjetër ndërmjet nuses dhe vjehrrës. Nusja nuk ka duruar gjatë kërkesat e vjehrrës për të dalë nga shtëpia dhe ka nisur sherrin. Policia ka arrestuar 26-vjeçaren Daniela Menga ndërsa vjehrra e saj, Nafije Vulaj, ndodhet në Spitalin Ushtarak në kryeqytet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Sipas burimeve të policisë së qytetit të Krujës, e reja Daniela Menga jetonte vetëm me vjehrrën e saj, pasi rreth 3 muaj më parë bashkëshorti i saj e kishte lënë dhe qe martuar me një grua tjetër. Kishte qenë vjehrra e saj që kishte luftuar që ta bindte nusen e parë të djalit që të rrinte me të pasi ajo do të përpiqej që të ndikonte që ish-bashkëshorti i saj të rikthehej në shtratin martesor. Çifti që kishte kaluar në një krizë të rëndë, pas hyrjes në jetën e tyre të një gruaje tjetër, ishte martuar tre vite më parë. Ndërkohë, familja e vajzës i kishte kërkuar llogari familjes Vulaj që të bënin publike për to shkaqet që kishin sjellë divorcin. Pas një periudhe shpresash, vjehrra, sipas nuses, i kishte kërkuar që të shkonte në shtëpinë e prindërve pasi i biri nuk dëshironte që të kthehej më me të. Por 26- vjeçarja e ka ndjerë veten në udhëkryq, pasi ajo nuk i ishte bindur kërkesës së prindërve për tu kthyer në shtëpi. Ditët e fundit kërkesat e vjehrrës për të lënë shtëpinë ishin bërë të shpeshta dhe kishin degjeneruar në grindje. Mesnatën e së premtes, vajza e re, në momente nervozizmi, ka marre një levë që e ka pasur rastësisht në afërsi te vendit ku kanë shkëmbyer fjalë dhe e ka goditur duke e plagosur rëndë vjehrrën. Burime të policisë kanë konfirmuar faktin se 26 vjeçarja e braktisur, është shprehur se ndjehet e penduar për këtë, por sipas saj, nxjerrja në rrugë të madhe pa shkak ka bërë që ajo të humbte durimin për momentin. Sipas policisë, pas goditjes me levë të vjehrrës së saj, Nafije Vulaj, nusja është penduar dhe e ka dërguar në urgjencën e spitalit të Fushë - Krujës. Vulaj ndodhet tashmë në spitalin Ushtarak në Tiranë në gjendje kritike për jetën, ndërsa është bërë edhe arrestimi i 26- vjeçares Danjela Menga.
Nga të dhënat e para të policisë, nusja dhe vjehrra nuk kanë pasur asnjë kontradiktë të mëparshme mes tyre përveç ngjarjeve të ditëve të fundit. Banorët e zonës dhe fqinjët kanë pohuar se ato dilnin të dyja çdo ditë së bashku dhe nuk kanë dhënë asnjë shenjë se mund të shkonin deri në këtë pikë. Madje ka pasur fqinjë që i dinin marrëdhëniet e krijuara pas martesës së të shoqit të saj dhe janë habitur për këtë nivel mirëkuptimi që ato kishin. Djali i Nafijes dhe i shoqi i Danjelës, pasi kishte marrë nusen tjetër, nuk kishte ardhur në shtëpi tek nëna e tij, dhe nuk dihet se ku jetonte. Policia pasi ka shkuar në vendngjarje ka grumbulluar informacion si dhe ka kryer edhe ekspertizën në banesën ku ndodhi krimi nuse-vjehrrë. Ajo ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale levën që ka përdorur Danjela Menga.