E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Rrihet" në burg shefi i regjimit të brendshëm

Drejtoria e Burgjeve mohon incidentin në Burgun e Fushë- Krujës, ndërsa pohon se nuk ka pasur probeleme


TIRANË- Shefi i regjimit të brendshëm në burgun e Fushë-Krujës goditet me grushte e shqelma nga disa të dënuar të sektorit të sigurisë së zakonshme në këtë institucion të vuajtjes së dënimit. Ky lajm konfirmohet nga burimet e rezervuara pranë burgut të Fushë-Krujës, të cilët theksuan se pas disa debateve me fjalë, shefi i regjimit të brendshëm, Dritan Paruca, është qëlluar me grusht nga i dënuari Sabah Premçi. Shkak për këtë incident, mendohet se është bërë zhurma dhe rrëmuja që disa të dënuar kanë shkaktuar në korridoret e sektorit të tyre, ku shefi i regjimit i kishte kërkuar për qetësi. Por, urdhrat e këtij të fundit, të dënuarit nuk i kanë pranuar duke shtyrë shefin e regjimit dhe goditur. Mësohet se ai personi që e ka qëlluar shefin Paruca është i dënuari Sabah Premçi, ndaj të cilit janë marrë masa disiplinore me izolimin e tij. Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme shef Paruca edhe pse në punë, ishte lënë i lirë nga drejtori i këtij institucioni, që të bëjë pushim dhe në vend të tij gjatë ditës së djeshme ka punuar një efektiv tjetër i policisë së burgjeve. Këtë incident, burimet zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nuk e pranojnë, duke u shprehur se "nuk ka pasur ndonjë incident në burgun e Fushë-Krujës". Ndërsa, burimet zyrtare nga institucioni i vuajtjes së dënimit, theksuan se mes të dënuarve dhe shefit të regjimit të brendshëm nuk ka pasur ndonjë konflikt fizik, por vetëm disa shtyrje me dorë mes njëri-tjetrit. Për këtë "incident të vogël", zyrtarët e burgut thonë se janë marrë masa disiplinore ndaj të dënuarve të përfshirë në këtë rrëmujë.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›