E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia arreston "të fortin" e Lazaratit

Drini Aliko i kishte shpëtuar për 10 vjet forcave të policisë. Tradhtohet nga gjurmët e gishtave që kishte lënë në makinë


Aliko njihet si një ndër personat më të rrezikshëm në Lazarat. Arrestohet për vrasjen e Besnik Ibrahimit


GJIROKASTËR- Pas dhjetë vitesh, policia arrin të mbyllë dosjen e një vrasjeje në qytetin e Gjirokastrës dhe vë në pranga autorin. Janë dashur muaj të tërë hetimesh që të arrihej në operacionin e koduar "Harresa" dhe të prangosej një ndër personazhet "më të fortë" të Lazaratit, Drini Aliko.


Ngjarja
10 vjet më parë, më katër nëntor të vitit 1999, në rrugën kombëtare Gjirokastër- Kakavijë, në vendin e quajtur "Kryqëzimi i lagjes Punëtore", vritet me armë zjarri shtetasi Besnik Ibrahimi, banor i lagjes "Punëtore". Dëshmitarët në vendngjarje, që kanë mundur ta identifikojnë, menjëherë më pas kanë deklaruar në polici emrin e Drini Alikos, atëherë 21 vjeç, si autor i kësaj ngjarjeje dhe nisur nga këto dëshmi, ky shtetas shpallet në kërkim nga policia e Gjirokastrës për akuzën e vrasjes. Fill pas vrasjes, me automjetin e tij, Aliko niset drejt fshatit Lazarat, por në mes të rrugës, mjeti pëson një defekt në motor dhe në këto kushte ai detyrohet ta braktisë atë. Policia që ishte vënë në ndjekje të tij, ka sekuestruar automjetin prej të cilit ka mundur të marrë edhe disa gjurmë gishtash.


Hetimet
Qysh prej ngjarjes, policia nisi hetimet prej të cilave shtetasi Drini Aliko u shpall në kërkim. Burime konfidenciale nga policia e Gjirokastrës kanë deklaruar se mungesa e provave ligjore ka bërë që hetimet të zbeheshin, ndërsa në gjyqin e zhvilluar në mungesë, të gjithë dëshmitarët, kanë dhënë versione të kundërta me atë që kishin deklaruar fill pas ngjarjes. Këto kanë bërë që dosja të mbyllej përkohësisht dhe Aliko të hiqej nga lista e personave që figuronin si të kërkuar nga drejtësia shqiptare. Rreth një vit më parë, specialistët e policisë kanë rihapur këtë dosje, së bashku me një sërë ngjarjesh të tjera të rënda, si vrasje, vjedhje me armë, vjedhje me dhunë, të ndodhura në vitet 1997-1999. Pas një kohe shumë të gjatë është bërë e mundur marrja e shenjave të gishtërinjve, të cilat ishin të njëjtat me ato të gjetura 10 vjet më parë në automjetin e braktisur. Dy ditë më parë, nga zyrat e Prokurorisë së Gjirokastrës ka dalë edhe urdhri për ndalimin e tij. Kaq ka mjaftuar që të organizohej operacioni policor i koduar "Harresa", që ka përfunduar me arrestimin e tij.


Operacioni
"Si rezultat i këtij operacioni u bë e mundur që të kapej dhe të shoqërohej për në polici autori i dyshuar, shtetasi Drini Aliko, 31 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Lazarat. Ky shtetas po udhëtonte nga Viroi për në fshatin Lazarat me automjetin e tij tip xhip Audi me targa GJ 0777 B", kanë bërë të ditur burimet zyrtare të policisë. Mësohet se Aliko nuk ka bërë asnjë rezistencë ndaj uniformave blu, ndërsa gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e tij u gjetën dhe u sekuestruan pesë aparate celularë me gjithë karta dhe një sasi prej 32 mijë lekësh të rinj dhe 420 dollarë. Kjo është dosja e gjashtë e ngjarjeve të vjetra të zbardhura nga policia e Gjirokastrës përgjatë harkut kohor të një viti, ndërsa nën hetim janë edhe nëntë të tjera.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›