E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasan, zbulohet banda e grabitjes së motorëve

Dy anëtarë të bandës janë arrestuar dje nga policia që ka sekuestruar edhe një numër të madh motorësh të vjedhur


ELBASAN- Dy të rinj kanë rënë në prangat e policisë pasi janë zbuluar si autorë të vjedhjes së disa motoçikletave në qarqe të ndryshme. Ata vazhdonin prej kohësh vjedhjen sistematike duke shitur atë që vidhnin dhe në këtë mënyrë përfitonin paratë. Të arrestuar pas dy muajsh hetimesh janë Muhamet Malja, 24 vjeç, lindur e banues në fshatin Paulesh të komunës Pajovë në rrethin e Peqinit, Ardian Kotorri, 39 vjeç, lindur në Grabian në Lushnje dhe banues në lagjen "Emin Matraxhiu" të qytetit të Elbasanit. Ata janë vënë në pranga pasi ruheshin prej dy muajsh pas një sërë vjedhjesh të motorëve në Elbasan por edhe në qytete të tjera. Burime zyrtare konfirmojnë se arrestimi i dy personave korespondon me zbulimin e një grupi kriminal i cili kryente vjedhje motorësh në disa qarqe si Fieri, Elbasani e Tirana.
Nga kontrollet e ushtruara në banesat e dy të arrestuarve janë gjetur dhe sekuestruar pesë motoçikleta të tipave të ndryshme të denoncuara si të vjedhura në Elbasan e Tiranë. Po kështu po punohet nga policia për dokumentimin edhe të 13 rasteve të tjera të vjedhjes së motorëve të regjistruar në tre qarqe. Nga hetimet paraprake rezulton se një pjesë e mjeteve të vjedhura janë shitur kryesisht në Tiranë në fshatrat e Lushnje, në rrethinat e Durrësit, në qytetin e Cërrikut dhe në fshatrat e Peqinit. Aktualisht po vazhdon plotësimi i hetimeve për veprimtarinë e dy të arrestuarve dhe zbulimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet vjedhjesh të mjeteve motorike.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›