“Gërdeci”, Topi dekreton largimin e kreut të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë
Luan Hoxha: “Kam zgjedhur me vetëdije heshtjen”. Gjeneral-lejtënanti, “koka e radhës që pritet” për tragjedinë 15 marsit
Luan Kondi
TIRANË –Presidenti i Republikës, Bamir Topi, shkarkoi dje me Dekretin nr. 5761 shefin e Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral-lejtënant Luan Hoxha. Ky i fundit ka reaguar menjëherë me një deklaratë për shtyp, ku shprehet se nuk ka dijeni për shkarkimin dhe njëkohësisht se nuk ka ndër mend të flasë për ngjarjen e rëndë të Gërdecit. Edhe pse në njoftimin për shtyp të Presidencës nuk jepen arsyet e shkarkimit, burime konfidenciale thanë për gazetën se ky vendim i marrë nga kreu i shtetit, njëkohësisht komandant i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, besohet se ka lidhje me shpërthimin tragjik në fabrikën e demontimit “Alb Demil”, në Gërdec, më 15 mars. Nga ky shpërthim gjetën vdekjen 26 persona, ndërsa u plagosën 300 të tjerë. Drejtësia shqiptare thuhet se do ta procedojë penalisht personat që mendohet se janë përgjegjësit e tragjedisë së rëndë, por ende nuk ka një konfirmim zyrtar nëse do të merret i pandehur kreu i Forcave të Armatosura. Ndër të parët që u morën në pyetje menjëherë pas shpërthimit të Gërdecit ishte edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneral-lejtënant Luan Hoxha, i cili ka dëshmuar për rreth 6 orë në prokurori para zëvendësprokurorit Genc Qano.
Dekreti
Dekretimi për shkarkimin e gjeneral Hoxhës është bërë në mbështetje të nenit 169, pika 3, të Kushtetutës, të nenit 7, pika 5 të Ligjit nr. 8671, datë 26.10.2000 “Për pushtetet dhe autoritetet e komandimit e të drejtimit strategjik të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”. Presidenti i Republikës, duke qenë edhe kryetar e KLD-së, është gjendur në pozita të vështira sa i takon vendimmarrjeve, të cilat do t’i hapnin rrugë procedimin penal nga ana e strukturave të prokurorisë mbi përgjegjësit. Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ka akuzuar krerët e lartë të Ushtrisë si përgjegjës për tragjedinë e Gërdecit.
Reagimi
Ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha, ka reaguar pas shkarkimit nga presidenti Bamir Topi. Në një komunikatë për mediat ai ka deklaruar se nuk është njohur ende me dekretin e presidentit. “Akoma nuk e kam marrë dekretin në fjalë. Por përpara së gjithash dua të vlerësoj të gjithë oficerët dhe ushtarët tanë, kudo qofshin, për të gjithë punën e bërë, kurorëzuar me marrjen e ftesës për në NATO”, - tha Hoxha në një deklaratë të shkurtër, ku ka komentuar heshtjen e tij lidhur me tragjedinë e Gërdecit. “Kam zgjedhur me vetëdije heshtjen, duke qenë i bindur se në këtë mënyrë do të ndihmoja në mënyrë modeste zhvillimin e hetimeve. Jam i bindur se ky qëndrim shkon njësh me respektin e ligjin, ku vendimet merren pas gjykimeve dhe jo para tyre”, - tha ai. Hoxha ka pranuar se është për respektimin e institucioneve dhe beson në hetimet që do të kryejnë ato. Në fund ai ka shtuar se aktiviteti i tij do të jetë në respekt të vazhdueshëm të institucioneve dhe ligjit.
Ndëshkimet
Shkarkimi i gjeneralit Hoxha vjen pas shkarkimeve nga posti të dy ushtarakëve të lartë të Forcave të Armatosura, gjeneral major Shpëtim Spahiu dhe gjeneral brigade Zija Bahja. Në fillim të muajit maj, me propozim të ministrit të Mbrojtjes, Gazmend Oketa, presidenti Topi dekretoi shkarkimin nga detyra dhe nxjerrjen në lirim të gjeneral major Shpëtim Spahiut, me detyrë komandant i Forcës së Bashkuar, si dhe të gjeneral brigade Zija Bahja, me detyrë komandant i Komandës Mbështetëse në Gërdec. Sipas ministrit Oketa, të dy gjeneralët kishin shkelur aktet normative në fuqi dhe nuk kishin ushtruar me përpikëri dhe përgjegjësi detyrat e ngarkuara mbi funksionin që ata kryenin, gjë që solli dhe tragjedinë e Gërdecit. Në vazhdën e këtyre shkarkimeve, kryeministri Berisha firmosi dhe largimin e kreut të Shërbimit Informativ të Ushtrisë, nënkolonel Hysni Gjergji.
17 Qershor 2008