Gjeneral Spahiu: “Urdhri i Mediut e nxori jashtë loje Shtabin e Përgjithshëm”
“Ruajtja e Fabrikës në Gërdec nuk ishte përcaktuar si detyrë e jona. Kontestimet tona ishin në tri pika; vendi i ndërtimit të fabrikës i përcaktuar në urdhrin e ministrit të Mbrojtjes nuk plotëson masat e nevojshme të sigurisë për mënjanimin e ngjarjeve të jashtëzakonshme; komanda jonë nuk ka autoritetin ligjor për të dhënë leje ligjore për ndërtimin e strukturës së përkohshme industriale që do të bënte demontimin; gjithashtu komanda nuk ka kompetencë për të lidhur kontratë qiraje për një pronë të papërcaktuar në metër katrorë në urdhrin e ministrit të Mbrojtjes. Mbas kësaj shkrese nuk erdhi asnjë përgjigje nga Shtabi i Përgjithshëm dhe Ministria e Mbrojtjes, por vetëm autorizimi i Ministrisë së Mbrojtjes për lidhjen e kontratës me kompaninë “SAC” për sipërfaqen 200 metra katrorë. Më pas, MEICO, në kushtet e mospërcaktimit të përgjegjësive institucionale të ruajtjes së fabrikës, inicioi një akt-marrëveshje me ne për ruajtjen e rajonit ku përcaktohej se ruajtja e depove të municionit, linjës teknologjike të prodhimit dhe nënprodukteve të saj është përgjegjësi e ndërmarrjes “MEICO”, ndërsa komanda jonë ishte përgjegjëse vetëm për ruajtjen e sipërfaqes së pronës së Gërdecit, jashtë Fabrikës së Demontimit. Por edhe kjo situatë ndryshoi shumë shpejt. Me Urdhër të ministrit të Mbrojtjes, numër 2044, datë 25 tetor 2007, prona e Gërdecit i bëhet kalim kapital “MEICO”-s. Tri ditë më pas, komanda jonë i bën kalim kapital me dokumente të rregullta “MEICO”-s pronën e Gërdecit dhe pak ditë më pas, më 5 nëntor, edhe ruajtja e jashtme e pronës së Gërdecit kalon nga strukturat tona te “MEICO”. Në bazë të gjithë kësaj procedure administrative, prej kësaj date, Komanda e Forcës së Bashkuar nuk ka pasur më detyrime institucionale për pronën e Gërdecit dhe Fabrikën e Demontimit”.
17 Qershor 2008