E Diel, 1 Nëntor 2026

Gërdeci, dëshmitë: Në fabrikë ishin 4 amerikanë

Autori i Lajmit: Redaksia
Dhjetë persona, mes të cilëve gra dhe fëmijë, dëshmuan dje në seancën e radhës për tragjedinë e Gërdecit në Gjykatën e Tiranës. Dëshmitarët thanë se në fabrikë ka pasur shtetas amerikanë, të cilëve nuk ua dinin emrat apo funksionet që kishin. Sipas dëshmitarëve të paktën katër persona që flisnin në anglisht qëndronin herë pas here në fabrikën e demontimit të armëve në Gërdec. Në këtë mënyrë, ish-punonjësit e fabrikës së vdekjes kanë konfirmuar faktin se në Gërdec ka pasur specialistë amerikanë, që merreshin me demontimin. Në dëshminë e tyre, kanë treguar më tej sesi janë punësuar në Gërdec, kushtet në të cilat punonin, si dhe kanë rrëfyer momentet e tmerrit që kanë përjetuar kur Gërdeci mori flakë, ka ”prodhuar” 26 viktima dhe qindra të plagosur.
Procesi
I pranishëm në seancën e djeshme ishte edhe njëri nga katër të arrestuarit për tragjedinë që shkaktoi 26 të vdekur, 300 të plagosur dhe mbi 5 mijë banesa të dëmtuara në zonë. Sokol Gjeçi, ish-mbikëqyrës i ndërmarrjes MEICO në Gërdec, akuzoi prokurorinë në seancë se po pyet në mënyrë të gabuar dëshmitarët. Gratë dhe fëmijët që u paraqitën dje në gjykatë thanë se ishin punësuar në Gërdec nga Dritan Minxolli, ish-drejtori i fabrikës. Ata thanë se zjarri që shkaktoi shpërthimet e mëdha ka ndodhur në një karrocë që përdorej për transportimin e barutit të dalë nga demontimi i predhave dhe fishekëve.
Dëshmitë
Këta dhjetë dëshmitarë, mes të cilëve kishte edhe të mitur rrëfyen rrethanat si ishin punësuar në këtë fabrikë dhe si ndodhi shpërthimi sipas tyre. Dëshmitarët i thanë gjykatës se mes të pandehurve njihnin më shumë, të akuzuarit Dritan Minxholli me detyrë drejtor i fabrikës. Sipas tyre ata kishin kontaktuar me të para se të punësoheshin. Asnjë prej dëshmitarëve nuk ka pranuar të ketë pasur njohje me Mihal Delijorgjin. Sikurse edhe ish-punonjës të tjerë të fabrikës, dëshmitarët rrëfyen se nuk ishin trajnuar për tu marrë në këtë punë dhe nuk kishin firmosur ndonjë kontratë. Gjatë dëshmive të ish-të punësuarve në fabrikë ka ndërhyrë edhe ish-ushtaraku Sokol Ngjeci, me detyrë ish-mbikëqyrës i MEICO-s në këtë fabrikë. “Prokuroria po ua bën gabim pyetjet dëshmitarëve. Nuk është e mundur që prokurori të pyesë, a ishin demontuar armë, sepse nga Forcat e Armatosura nuk është sjellë asnjë armë, por municione si dhe prokuroria duhet të riformulojë pyetjet kur kërkon prej dëshmitarëve të shpjegojnë procesin e çmilitarizimit. Por, kërkesa e të pandehurit nuk u mor parasysh nga gjykata.

Dëshmia

“Për të shuar zjarrin
kishim kova me ujë”

Rabie Gërdeci, mbërriti e para për të dëshmuar në procesin penal ndaj 29 të akuzuarve si përgjegjës për tragjedinë e 15 marsit 2008. ”Kam punuar në Gërdec me burrin, vëllanë e tij dhe kunatën. Për të filluar punë kam kontaktuar drejtorin Dritan Minxolli. Tek predhat kam punuar me bashkëshortin. Mund tiu them se nuk kanë firmosur ndonjë rregullore si dhe nuk kam pasur kontratë pune”, tha dëshmitarja Gërdeci. Gruaja u shpreh se ”gjatë procesit të punës drejtori Minxolli në thoshte se duhet të kemi kujdes, pasi është e rrezikshme”. Ashtu sikurse shumë ish-punonjës të tjerë, Rabie Gërdeci, tha se baruti transportohej me karroca dore. Ndërkaq, rikonfirmoi faktin se në Fabrikën e Gërdecit nuk ka pasur mjete kundra zjarrit, por vetëm ca kova me ujë që mund të përdoreshin në raste avarie. E pyetur nëse e njihte të pandehurin Muhal Delijorgji, gruaja tha se e kishte parë kur punonte tek procesi i fishekëve, më pas jo.

Akuzat

Të arrestuarit akuzohen për “aktivitet antiligjor me pasojë vrasjen e më shumë se një personi” si dhe shpërdorim detyre”. Kërkesa për gjykim të shkurtuar do të thotë se të pandehurit kanë pranuar akuzat në bazë të akteve që ndodhen në dosjen për gjykim në ngarkim të tyre. Do të jetë trupi gjykues i kryesuar nga Ridvan Hado, i cili do të vendosë nëse do të pranojë kërkesën e të pandehurve apo jo. Në fashikullin për gjykim të grupit hetimor ku janë dhënë provat me të cilat prokuroria do të paraqitet në këtë gjykim për të pretenduar fajësinë e 29 të pandehurve, mes të cilëve ushtarakët më të lartë shqiptarë të periudhës 2005–2009. Pjesa më madhe e provave të sjella nga prokuroria që pothuajse janë bërë publike deri më tani, i përkasin mënyrës së paracaktuar të zhvillimit të tenderit për dhënien me koncesion firmës “Albademil” për demontimin e fishekëve në Gërdec.
Ky lajm është publikuar: 19/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›