E Shtunë, 31 Tetor 2026

Intervista Brokaj: “Hapja e kutive, kërkesa ende e ligjshme”

Autori i Lajmit: S. Topi

Sali Berisha vazhdon të banalizojë gjërat e mëdha dhe të radikalizojë qëndrimet. Në këtë mënyrë ai shtyn në të njëjtën situatë dhe palën tjetër duke krijuar përplasje të mëdha. Kështu mendon ish-numri dy i Lëvizjes Socialiste për Integrim, prof. Sabit Brokaj. Sipas tij, në të njëjtën mënyrë Berisha ka vepruar dhe me votën, çka përbën dhe thelbin e demokracisë. Brokaj e konsideron ende më se të drejtë dhe aktuale kërkesën e socialistëve për hapjen e kutive të votimit dhe transparencën e zgjedhjeve. Ai kritikon mazhorancën për menaxhimin jo si duhet të situatës së përmbytjeve në Shkodër duke e konsideruar si të vonuar seancën parlamentare. Por nuk lë pa kritikuar as Presidentin e Republikës, Bamir Topi. Duke e konsideruar atë si një derivat të Berishës, Brokaj pohon se Presidenti nuk pati guximin të mblidhte Këshillin e Sigurimit. Lidhur me perspektivën e Shqipërisë për 2010, Brokaj mendon se ajo do të hedhë disa hapa para, por kjo jo për meritë të saj, por të ndërkombëtarëve.

Zoti Brokaj, ka diskutime të ndryshme mes politikanëve, por dhe analistëve, nëse ka apo jo krizë politike. Sipas jush, ekziston një krizë e tillë?

Natyrisht që ka një krizë politike. Kriza politike është evidente, por kriza aktuale është e shumanshme, politike, ekonomike, është krizë në tërësinë e shtetit shqiptar. Do të thosha dhe në aspektin shpirtëror sepse nuk e lënë këto dramat e njëpasnjëshme. Kështu që Shqipëria pas kaq shumë vitesh kur pothuaj të gjithë vendet e Lindjes i kanë kaluar situatat e një tranzicioni të sistemit, ne ende përpëlitemi brenda kompleksit të krizave.

Cila është zgjidhja në këtë situatë?

Tashmë ne, çdo gjë të shenjtë dhe të rëndësishme, e bëjmë banale siç kemi bërë dhe këtë që do të them unë. Kriza fillon pikërisht aty ku formohet një sistem. Ky normalisht është sistem demokratik, por thelbi është mënyra se si e zgjedh. Thelbi është te gurët e themelit, Ne këtu e kemi deformuar për 20 vjet dhe si pasojë gjithë muret e godinës bëhen shtrembër. Pra është vota, shkoqur dhe shqip. Thashë që çdo gjë të shenjtë ne e banalizojmë dhe baltizojmë, dhe tani që po ta them unë duhet të dish se kjo është në esencë gjithçka. Sapo një palë thotë që kjo nuk është bërë mirë dhe kjo duhet bërë mirë, pala tjetër vërsulet për të hedhur baltë mbi problemin dhe mbi palën.
Ne jemi i vetmi vend tashmë që nuk realizojmë atë që është momenti i parë, që janë zgjedhjet normale dhe prej këtej derivojnë zgjidhjet e tjera politiko-shtetërore, ekonomike etj., të cilat vetiu do të deformoheshin. Pra ne ende nuk ruajmë këtë element bazë të një shteti demokratik dhe pastaj ankohemi për krizë.

Për të qëndruar dhe pak tek zgjedhjet. Partia Socialiste ka lajmëruar se përsëri do të dalë në rrugë dhe të protestojë duke mos hequr dorë nga hapja e kutive të votimit dhe transparenca e zgjedhjeve. Mendoni se është ende e vlefshme një kërkesë e tillë për sa kohë që mazhoranca ka kthyer një përgjigje negative?

Përderisa nuk është realizuar, është aktuale. Përherë që zgjidhja është kjo, zgjidhja do të kërkohet. Nëse kjo zgjat, zgjat për arsye se Partia Demokratike dhe Berisha nuk duan zgjedhje normale dhe shtet normal dhe e dyta, Partia Socialiste nuk ka gjetur mënyrën e zgjidhjes.

Cila do të ishte mënyra e duhur, sipas jush, zoti Brokaj?

Është për të ardhur keq, por është e vërtetë që Berisha i radikalizon problemet dhe imponon që dhe pala tjetër politike, edhe pse mund të mos dojë të jetë radikale, e çon tek radikalizmi. Por dihet se radikalizmi është një përplasje e madhe. Ndaj hezitimi për zgjidhje radikale, rezistenca e Berishës për ta sjellë lojën aty, bën që kjo gjë të zvarritet, ndërkohë që kjo është zgjidhja në vetvete. Prandaj duket sikur po e tepron Partia Socialiste, por në fund të fundit ai është problemi. Kjo është një sëmundje dhe një sëmundje ose shërohet ose bëhet kronike. Nuk ka tjetër proces që mund të zhvillohet.

Partia Socialiste pak ditë më parë kërkoi zhvillimin e një seance të jashtëzakonshme për Shkodrën çka do të bënte të mundur dhe kthimin e saj në Kuvend. Por pas përgjigjes pozitive të Topallit ajo zgjodhi përsëri bojkotin. Si e konsideron këtë qëndrim të selisë rozë?

Për mua çdo njeri normal do mendonte se është e vonuar, është tallje. Kriza kishte momentin e fillimit, kishte kulmin e vet kurse ky fenomen tani, ky është proces që do të vazhdojë jo pak muaj ndoshta dhe vjet. Nuk mund të quash seancë të jashtëzakonshme kur ti pret 18 ditë apo 20 ditë deri sa të vijë ajo dita e zakonshme. Sot është ditë e zakonshme për Parlamentin. Seanca e jashtëzakonshme do të kishte qenë ndoshta 15 ditë më parë, 10 ditë qoftë dhe 45 ditë. Por u prit kaq ditë që tani të flitet jo për të jashtëzakonshmen por të flitet për sukseset. Fjala vjen që ne asistuam Gërdecin, pasi i vramë dhe këtu do të flasim për heroizmat që ka bërë pushteti.
Në këtë pikëpamje, thashë arti i politikës shqiptare është si ti banalizojë gjërat, si ti shtyjë, ti transformojë. Më saktë, u duket sikur çështjet e mëdha të popullit, të ekonomisë, të politikës janë vetëm ndeshje adoleshentësh në mes të rrugës apo në mes të lagjes. Kush tia hedhë njëri-tjetrit, kush të shajë njëri-tjetrin. Dhe kur një qeveri është në rrugë vendi është në udhëkryq. Kjo është mënyra e sjelljes edhe në rastin e demek seancës së jashtëzakonshme. Seancë e jashtëzakonshme kur ata duhet të heqin pulat apo kafshët e ngordhura nga shtëpia dhe jo kur ata ishin në mes të ujit dhe kryeministri bërtiste vetë për katastrofë.

Duke parë qëndrimet e fundit të selisë rozë, qoftë edhe mbledhjen e fundit të Asamblesë Kombëtare të saj ku pati dhe diskutime për vazhdimin ose jo të bojkotit, sa mendoni se ka mbetur nga PS-ja e vjetër?

Fakti që pati pretendime dhe njëfarë debati në këtë kuptim më pëlqen dhe mund të them se ka mbetur diçka nga PS-ja e vjetër në kuptimin e debatit të brendshëm. Në këtë kuptim po, dua ti shoh ato pavarësisht se ajo palë që konteston apo do të hyjë në Parlament, për mendimin tim, nuk ka të drejtë. Megjithatë, fjala Parti Socialiste e re apo e vjetër është dialektikë. E kapa këtë pikë se ka qenë ajo çka e dallonte në raport me partitë e tjera, sidomos me Partinë Demokratike. PS kishte një demokraci të brendshme, kishte debat dhe kjo deri tani po demonstrohet. Kurse në PD dihet se nuk ekziston. Por unë tashmë jam jopartiak dhe problemet e tyre të brendshme i shoh së largu.

Partia Socialiste, nisur nga kjo situatë ka akuzuar mazhorancën për keqmenaxhim të situatës dhe madje korrupsion, por në mënyrë të veçantë dhe ministrin Prifti...
korrupsion?

Këtu nuk bëhet fjalë për një ministër vetiu. Nëse kriza do të ishte për problemet shëndetësore do të ishte ai ministër, nëse do të ishte një tjetër fushë, do të ishte ministri përkatës. Këtu nuk bëhet fjalë ministër i djathtë apo i majtë, ajo është një qeveri e djathtë. Aty ku është Saliu ajo është qeveria. Edhe sikur të hyj fjala vjen Partia Komuniste atje apo Partia Fashiste, përsëri natyra e qeverisë është Berisha. E gjithë qeverisja është Berisha, të tjerat janë përralla. Vetë ministri përkatës nuk del nga përgjegjësia dhe në bazë të analizës që do të bëhet.

Zoti Brokaj, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka paralajmëruar socialistët se, nëse deri në 7 mars ata nuk paraqiten në Kuvend, ajo do ti zëvendësojë. Ligjërisht sa e mundur është kjo gjë?

Duket se është trajtuar seriozisht nga juristët dhe ato mandate nuk digjen. Pa folur në aspektin juridik apo ligjor, çdo të zgjidhë Parlamenti apo kryetarja e Parlamentit duke i zhvendosur vetë ata mandatet e opozitës, çfarë fiton Shqipëria dhe demokracia shqiptare, asgjësimin e opozitës, sepse problemi është jo tek 1,2 apo 5 deputetë që merren dhe futen në Parlament nga krahu tjetër, por bëhet fjalë për pozicionin politik të institucionit opozitë. Aq më tepër në një vend në tranzicion si ne që nuk kemi të zhvilluar pothuajse asnjë pozicion të opozitës. Media pothuajse nuk është opozitë, në një farë mënyre është asgjësuar roli opozitar i saj. OJQ-të, natyrisht që kush paguhet dhe kush shitet e blihet e ka shumë të vëzhtirë të ekzistojë si i pavarur. Popull opozitar nuk kemi. Se ndodh që përfshihet në Parlament dhe opozita e madhe si në Gjermani e gjetkë, por opozita është e pranishme atje, është populli opozitë, janë misionet opozitë. Por në Shqipëri çfarë opozite ka kur një shkodran është deri në grykë në ujë dhe thotë “rroftë qeveria”, kur dihet që qeveria e ka bërë atë të zhytet në ujë. I ka mbetur vetëm që uji ti zërë dhe hundët. Apo në një krah fjala vjen trajtohen në një krah jo në të njëjtin pellg me ujë. Në këtë aspekt ide të tilla absurde do thosha unë, që nuk erdhën këta dhe do tua japim mandatet të tjerëve, çfarë mund ti vlejnë demokracisë dhe shtetit shqiptar. Ne duam të ketë qeverisje të mirë dhe opozitë të fuqishme. Asnjëra nga këto nuk është dhe duhet ta konvertojmë qeverisjen dhe opozitën. Të kthehem në trajtimin ligjor, kjo nuk mund të realizohet.

Ju thoni se ligjërisht nuk mund të bëhet, por mazhoranca mendon të kundërtën. Në këtë situatë, mendoni se mazhoranca mund të djegë realisht mandatet e deputetëve aktualë të opozitës për ti zëvendësuar ata?

Mazhoranca bën çdo gjë. Kjo mazhorancë iu sul jugut me tanke, me lëndë helmuese në avion, kjo që i bëri Gërdecit, kjo nuk ka fijen e ndjenjës së fajësisë dhe përgjegjësisë.

Mazhoranca në mënyrë të vazhdueshme akuzon PS-në se ajo po pengon proceset integruese. Sa të drejta janë këto akuza?

Absolutisht asnjë përgjegjësi. Në këtë rast duke qenë se ky është proces i gjatë, mban përgjegjësi kush qeveris. Nëse fjala vjen vendi nuk ecën në ritmin e duhur apo nuk luftohet korrupsioni çka e tregojnë vlerësimet e organizmave ndërkombëtarë, as që bëhet fjalë të ketë përgjegjësi opozita, këto janë dokrra do të thosha unë. Nuk ka përgjegjësi fjala vjen për elementë teknikë, pasaportat biometrike. Përgjegjësi e opozitës është që zgjedhjet u bënë përshesh. Dhe ajo ka përgjegjësi, por nuk është e vetmja. Por në lojën politike kjo është e njohur, secila palë ia hedh topin tjetrës për ta bërë atë përgjegjës. Madje, ne me këtë jemi marrë, jo se si të zgjidhim problemin, por se si të shajmë apo të mundim palën tjetër, pa çka se rezultati na dëmton të gjithëve.

Duke parë bashkëpunimin e deritanishëm LSI-PD, mendoni se ai do të jetë afatgjatë?

Nuk e besoj se do të jetë produktiv në kuptimin e interesave të vendit dhe afatgjatë. Të shohim.

Në gjithë këtë krizë politike ku është vendi, secili faktor politik ka rolin e tij. Ju zoti Brokaj mendoni se zoti Topi ka marrë pozicionin e duhur në këtë situatë? Cili duhet të ishte roli i tij?

Natyrisht që Presidenti ka një rol të shumanshëm. Roli i tij nuk mund të përmblidhet në dy-tri gjëra ose trajtimi i atyre të drejtave të Presidentit që i japin mundësi atij të trajtojë këtë aspekt që ju thatë. Por nuk mendoj se do të zgjidhte ndonjë gjë. Presidenti është një derivat i qëndrimeve dhe sjelljeve politike të Berishës dhe nuk mund të marrë asgjë përsipër ta çojë më tej. Fakti që ai në një gjendje si përmbytjet në Shkodër kur dihet që katastrofat natyrore apo pragkatastrofat janë elemente që trajtohen nga Presidenti, janë elemente të sigurisë kombëtare, ai nuk e bëri. Në gjendje të tilla Këshilli i Sigurimit mblidhet dhe aty raporton i pari Kryeministri si i barabartë me të tjerët. Presidenti nuk guxoi ta mbledhë, sepse po të trajtohej problemi do të dilnin problemet apo masat që qeveria nuk i kishte marrë, pak a shumë ato që u thanë dhe nga ekspertë të vjetër që kanë bërë digat dhe rregulloren dhe që i menaxhuan ato për vite. Ata thanë se çka ndodhur në 20 vjet të mbrapshtë dhe veprimet që duhet të ishin marrë për ta ndalur. Përfshi pastaj menaxhimin apo zbatimin e rregullores. Pra, duke qenë që duheshin mbajtur mbyllur, fshehur gjërat që të mos dilnin në mejdan për qeverisjen, Presidenti nuk bënte lëvizje, Parlamenti jo dhe nuk u bë. Gjithçka mbetej mes Berishës, Priftit dhe personave që kishin përgjegjësi.

Lidhur me të ardhmen, Qeveria ka premtuar liberalizim të vizave në korrik të këtij viti, priten hapa para për integrimin në BE. Sipas jush, cila është perspektiva e Shqipërisë për vitin 2010?

E di si është kjo punë? Do të flas nga përvoja e mësuesit, që pasi e ke rrëzuar nja 5 apo 6 herë një student, dhe pasi ka vajtur puna në fund dhe e ka bërë fakultetin nga 6 vjet dhe ka për të marrë një lëndë të vitit të parë apo të dytë që ishte esenciale, tani çfarë ti bësh atij lumëmadhi, do ti japësh provimin.

Ky lajm është publikuar: 19/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›