Pensionistët, 500 lekë kompensim për energjinë elektrike
Autori i Lajmit: Entela Duraj
Rreth 82 mijë pensionistë do të përfitojnë kompensim në masën 500 lekë të reja për rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Kategoritë që do të përfitojnë nga kjo nismë janë familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike, ata që përfitojnë pagesë paaftësie, të papunët, buxhetorët me pagë mujore nën 35 mijë lekë dhe pensionistët.
Kompensimi
Lidhur me kompensimin burime zyrtare sqaruan dje për mediat se 450 milionë lekë është fondi i caktuar për kompensimin e 82 mijë pensionistëve që përfitojnë në masën e 500 lekëve në muaj. Por nga ana e tyre pensionistët pohojnë se kjo masë prej 500 lekësh është shumë e vogël në krahasim me faturën e lartë të energjisë elektrike, që u duhet të paguajnë çdo muaj, pa llogaritur edhe shpenzimet e përditshme pa të cilat nuk mund të përballojnë jetesën. “Mua më ka ardhur fatura e muajit të fundit e energjisë elektrike 5400 lekë, ndërkohë që kompensimi është 500 lekë, po 5 mijë lekë të tjera me çfarë ti paguajmë, ne jemi të moshuar pothuajse në pjesën më të madhe të ditës qëndrojmë në shtëpi, na duhet të përdorim pajisjet elektrike për tu ngrohur e për të gatuar, nga gazi kemi frikë ta përdorim, sobë me dru nuk ka kush të na ndihmojë për blerje dhe transport, jetoj vetëm me burrin, të afërm nuk kemi afër banesës sonë, kompensimi prej 500 lekësh nuk mjafton për ne”, - shprehet një çift pensionistësh në Tiranë.
Kategoritë përfituese
Sipas të dhënave nga Ministria e Financave dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Sigurimeve Shoqërore deri më tani është parë i arsyeshëm një kufizim i tillë i numrit të përfituesve, por nuk përjashtohet më vonë mundësia e zgjerimit të kategorive (sidomos për pensionistët). Sipas statistikave, janë rreth 500 mijë pensionistë në gjithë vendin, të cilët kanë nevojë për kompensim, pavarësisht të ardhurave nga fëmijët apo të afërm të tjerë. Nga një vëzhgim i bërë në kryeqytet, një pjesë e mirë e pensionistëve jetojnë vetëm (në çift) ndërkohë që fëmijët i kanë në emigrim dhe mesatarisht një herë në vit ata kthehen për ti parë prindërit, ndërkohë që edhe dërgesat e tyre kanë ardhur duke u ulur si pasojë e krizës ekonomike globale që mbërtheu botën gjatë vitit 2009.
Çmimi i energjisë
Gjatë muajit dhjetor të vitit që lamë pas Enti Rregullator i Energjisë vendosi që çmimi i energjisë të rritet në masën 13 për qind. Nga ana e saj Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta si dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Energjetikës vendosën të kompensojnë kategoritë më në nevojë të shoqërisë shqiptare që janë pensionistë, familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike, personat që marrin pagesë paaftësie (invalidët), të papunët si dhe buxhetorët me pagë mujore nën 35 mijë lekë. Sipas dy ministrave (të Punës dhe Energjetikës) qeveria parashikoi një fond prej 2 miliardë lekësh për kompensimin e çmimit të energjisë elektrike duke garantuar në këtë mënyrë kompensim 100 % të vlerës së rritur të energjisë elektrike për kategoritë në nevojë.
Kompensimi për pensionistët
Qyteti
Të ardhurat mujore të pensionistëve të qytetit që do të përfitojnë pensione të pjesshme, pleqërie, invaliditeti dhe familjare, do të kompensohen në proporcion mes pensionit individual të llogaritur dhe pensionit të plotë minimal, por jo më shumë se 760 lekë në muaj dhe në çdo rast kur shuma e të ardhurave të tyre mujore është në kufirin deri në 10 410 lekë.
Fshati
Të ardhurat mujore të pensionistëve të fshatit, që do të përfitojnë pensione të pjesshme, pleqërie, invaliditeti dhe familjare, do të kompensohen në proporcion mes pensionit individual të llogaritur dhe pensionit të plotë minimal, por jo më shumë se 690 lekë në muaj dhe në çdo rast kur shuma e të ardhurave të tyre mujore është në kufirin deri në 5 410 lekë.
KOMPENSIMI PËR FSHATIN DHE QYTETIN
Qeveria çdo vit përcakton, nëpërmjet një akti nënligjor, kategoritë dhe masën në lekë që përfiton mosha e tretë. Kompensimi çdo vit ka qenë në vlerën maksimale 760 lekë për qytetin dhe 690 lekë për fshatin, por kjo varet nga masa e pensionit. Sipas vendimit të qeverisë, është përcaktuar se pensionet e reja të qytetit do të kompensohen sipas kritereve të përcaktuara, atëherë kur të ardhurat mujore të tyre rezultojnë në shumen deri ne 10 410 lekë. Të ardhurat mujore të pensionistëve të qytetit, që do të përfitojnë pensione të pjesshme, pleqërie, invaliditeti dhe familjare, do të kompensohen në proporcion mes pensionit individual të llogaritur dhe pensionit të plotë minimal, por jo më shumë se 760 lekë ne muaj dhe në çdo rast kur shuma e të ardhurave të tyre mujore është në kufirin deri në 10 410 lekë. Në rast se pensioni bazë është më i lartë se shuma 10 410 lekë, atëherë nuk ke të drejtë për të kërkuar kompensim financiar. Pensionet e reja të fshatit do të kompensohen sipas kritereve të përcaktuara në vendimin e qeverisë të vitit 2007, që përcakton kompensimin e të ardhurave mujore të pensioneve të fshatit, atëherë kur të ardhurat mujore të tyre rezultojnë në shumën deri në 5 410 lekë. Të ardhurat mujore të pensionistëve të fshatit, që do të përfitojnë pensione të pjesshme, pleqërie, invaliditeti dhe familjare, do të kompensohen në proporcion mes pensionit individual të llogaritur dhe pensionit të plotë minimal, por jo më shumë se 690 lekë në muaj dhe në çdo rast kur shuma e të ardhurave të tyre mujore është në kufirin deri në 5 410 lekë. Në rast se pensioni bazë është më i lartë se shuma 5 410 lekë, atëherë nuk ke të drejtë për të kërkuar kompensim financiar. Vendimi i qeverisë ka përcaktuar se në shumën e të ardhurave mujore të pensionistit do të vazhdojnë të përfshihen: masa mujore e pensionit të bërë me rritjen e korrikut të 2007-ës, kompensimi i energjisë elektrike në masën 350 lekë si dhe kompensimi i bukës në masën 150 lekë, që rrjedh nga vendimi i qeverisë. Ndërkaq, qeveria ka përcaktuar se në shumën e të ardhurave mujore, përveç kompensimeve si më sipër, do të vazhdojë të përfshihet dhe kompensimi i përfituar nga vendimi i vitit 2006. Në të ardhurat mujore të pensionistëve si për pensionet e pleqërisë, edhe për pensionet e invaliditetit dhe ato familjare, nuk përfshihet kompensimi shtesë mbi masën 350 lekë në muaj, i përcaktuar në vitin 1994 nga qeveria, që merret nga pensionistë të veçantë për arsye se janë të vetëm, me fëmijë në ngarkim apo kryefamiljarë pa të ardhura të tjera si dhe nuk do të përfshihet kompensimi për personat në ngarkim të pensionistit. Njëkohësisht nuk do të llogariten për efekt të të ardhurave mujore edhe kompensimi shtesë në masën 500 lekë në muaj për rimbursimin e energjisë elektrike. Në llogaritjen e të ardhurave mujore nuk do të llogariten as shtesat mbi pension të parashikuara në ligj, si dhe shtesat e tjera që përfitohen nga ligje apo vendime të veçanta të qeverisë. Kompensimet e mësipërme do të zbriten nga pensioni kur ai llogaritet për të përfituar kompensim shtesë dhe në rast se të ardhurat në fshat janë më pak se 5 410 lekë dhe në qytet më pak se 10 410 lekë, atëherë do të përfitohet kompensim shtesë.
Si do të llogaritet kompensimi
Nga vendimi i qeverisë do të kompensohen vetëm 200 kilovatët e parë të konsumit. Kështu çmimi i energjisë për bandën deri në 300 kilovat, është rritur nga 7 lekë në 7.7 lekë. Pra rritja është 7 lekë për kilovat. Sipas formulës, kompensimi për 200 kilovatët e parë do të bëhet për shtesën 0.7 lekë për kilovat, ose në një total prej 140 lekë në muaj. Kjo shumë i shtohet 500 lekëve që kategoritë e përmendura, i merrnin si kompensim që nga viti 2006. Në total kompensimi që do merret në janar shkon në 640 lekë në muaj. Me një llogari tjetër, një familje që konsumon 200 kilovat, duhet të paguajë 1540 lekë në muaj. Kësaj shume i shtohet edhe TVSH dhe në total fatura e muajit shkon në 1848 lekë. Nga kjo shumë, qeveria kompenson 640 lekë dhe pjesa që duhet të paguajnë shtresat e subvencionuara është 1208 lekë në muaj. Vendimi për kompensimin e energjisë elektrike “PER DISA NDRYSHIME NE VENDIMIN NR.565 DATE 09.08.2006 “PER MBROJTJEN E SHTRESAVE NE NEVOJE, NGA RRITJA E çMIMIT TE ENERGJISE ELEKTRIKE”. Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 1, të ligjit nr. 9355, datë 10.3.2005, “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, dhe të ligjit nr.9464, datë 28.1 2.2005, “Për buxhetin e shtetit, të vitit 2006”, me propozimin e ministrit te Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, të ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, të ministrit të Financave dhe të ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave:
VENDOSI:
1. Kompensimin për efekt të rritjes së çmimit të energjisë elektrike, për nivelin e konsumit 200 kvv/orë, për:
a) familjet, të cilat trajtohen me ndihmë ekonomike, si dhe familjet, që kanë në përbërje anëtarë me aftësi të kufizuar, të lindur ose të bërë të tillë, të cilët deklarohen të paaftë për punë me vendim të KMCAP-it, sipas pikës 3 të nenit 7 të ligjit nr.9355, datë 10.3.2005 “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, kur personi me aftësi të kufizuar është kryefamiljar dhe nuk ka anëtarë të familjes të punësuar në sektorin publik ose të vetëpunësuar në sektorin privat;
b) kryefamiljarët, që përfitojnë pension invaliditeti shtetëror dhe nuk kanë anëtarë të familjes të punësuar në sektorin publik ose të vetëpunësuar në sektorin privat;
c) kryefamiljarët, që përfitojnë pension pleqërie shtetëror dhe jetojnë të vetëm ose kanë fëmijë në ngarkim, të cilët janë pa të ardhura;
ç) familjet e punonjësve buxhetorë, me pagë mujore bruto nën 35 mijë lekë në muaj, kur punonjësi është kryefamiljar dhe nuk ka asnjë anëtar të familjes të vetëpunësuar në sektorin privat.
2. Kompensimi për familjet, që do të kompensohen sipas pikës 1 të këtij vendimi, bëhet vetëm për një kontratë të energjisë elektrike dhe jepet vetëm një herë për një familje, pavarësisht se ato mund të kenë në përbërje edhe të punësuar të tjerë në sektorin buxhetor, që kanë pagë nën 35 mijë lekë, apo persona të paaftë a invalidë, persona që përfitojnë pension pleqërie, invaliditeti apo ndihmë ekonomike.3. Përfituesit, që kompensohen për të përballuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike, sipas pikës 1 të këtij vendimi, do të përcaktohen nga institucionet përkatëse ku përfituesi merr pagën, pensionin dhe përfitimet e tjera, kundrejt deklarimit personal të përfituesit. Marrja e përfitimit pa deklarim dhe kundrejt deklarimit të rremë përbën shkelje administrative, përkatësisht, për dhënësin dhe për përfituesin e kompensimit. Në këtë rast institucioni përkatës zbaton dispozitat ligjore në fuqi.4. Përfituesi i kompensimit, në zbatim të pikës 3 të këtij vendimi, detyrohet ta kthejë përfitimin e padrejtë dhe përjashtohet përgjithmonë nga e drejta e përfitimit të kompensimit për energjinë elektrike.
5. Masa e kompensimit, për çdo përfitues, është 640 (gjashtëqind e dyzet) lekë në muaj dhe efekti financiar të përballohet nga buxheti i shtetit për vitin 2010.
6. Rregullat e veçanta të përfitimit të pagesës dhe të zbatimit të skemës së kompensimit përcaktohen me udhëzim të përbashkët të ministrit të Financave, të ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe të ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta.
7. Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Ministria e Brendshme dhe Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta për zbatimin e këtij vendimi.
8. Ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta i lihet kompetencë, që për raste të veçanta, të paparashikuara në pikën 1, të Vendimit nr. 565, datë 09.08.2006, “Për mbrojtjen e shtresave në nevojë, nga rritja e çmimit të energjisë elektrike”, qe kanë nevojë për interpretim, si pasojë e ndryshimit të statusit të përfituesit (vdekje, martesë, ndarje, etj), të trajtojë me kompensim deri në 300 familje. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe i shtrin efektet financiare duke filluar nga data 01.01.2010.
Ky lajm është publikuar: 19/01/2010