“Gërdeci” dështon shorti i dytë
Armand Bajrami
Një ditë pas pranimit të dorëheqjes së gjyqtarit Kreshnik Omari për konflikt interesi në dosjen “Gërdeci” Gjykata e Tiranës, zgjodhi dje treshen e re gjykuese. Por edhe këtë herë, duket se shorti ka dështuar duke qenë krejt formal pasi fashikulli me 28 të pandehur duhet t’i nënshtrohet një shorti të tretë. Një nga anëtarët e treshes së re e ka të pamundur pjesëmarrjen në gjykim. Ai nuk vazhdon më të jetë pjesë e gjyqtarëve të Gjykatës së Tiranës, për shkak të emërimit të tij në detyrën e gjyqtarit të Apelit pas një vendimi të KLD-së pak ditë më parë. Edhe pse, emërimi i tij është publikuar plot 7 ditë më parë, dje emri i gjyqtarit ka qenë pjesëmarrës në short madje është zgjedhur në trupën gjykuese të dosjes “Gërdeci”. Shorti elektronik, përzgjodhi gjyqtarin Ridvan Hado, si kryesues të trupës gjykuese, që do të shqyrtojë çështjen. Ndërsa si anëtarë të trupës, që do të përbëhet nga tre veta, shorti ka përzgjedhur gjyqtarët Shefkie Demiraj dhe Fehmi Petku. Këtu ka lindur dhe problemi, pasi gjyqtari Fehmi Petku, që prej së enjtes së javës së kaluar nuk është më gjyqtar në këtë gjykatë. Ne mbledhjen e fundit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë gjyqtari Petku u emërua gjyqtar në Gjykatën e Apelit për Krimet e Rënda. Prej këtij shkaku, vendi i tij në gjykimin e dosjes “Gërdeci” do të zihet nga një tjetër gjyqtar. Burime pranë gjykatës së Tiranës, pohuan dje se shorti për përzgjedhjen e gjyqtarit të tretë do të bëhet sot, ose në ditët në vijim. Procedura e parë e hedhjes së shortit për gjyqtarët që do të gjykojnë dosjen “Gërdeci” në shkallën e parë të gjyqësorit, u zhvillua në 12 qershor. Ky short përzgjodhi gjyqtarin Kreshnik Omari, si kryesues, ndërsa gjyqtarët Sokol Tona dhe Martin Deda. Pak ditë më pas gjyqtari Omari, depozitoi një kërkesë kryetarit të gjykatës, ku kërkonte të hiqte dot nga gjykimi i çështjes. Kërkesën e tij, gjyqtari Omari e argumentonte me faktin se bashkëshortja e tij punonte në të njëjtën zyrë avokatie, nga e cila mbrohej Ilmi Laçaj, një nga të pandehurit e “Gërdecit”. Kreu i gjykatës e vlerësoi të drejtë pretendimin e gjyqtarit dhe kërkoi të përzgjidhej një tjetër treshe gjykuese. Dosja “Gërdeci” me 28 të pandehur të akuzuar si përgjegjës për shpërthimin e 15 marsit, ku humbën jetën 26 persona, u plagosën 300 të tjerë dhe u shkaktuan shumë dëme materiale u dërgua në gjykatën e Tiranës rreth një javë më parë.
Ndarja e dosjes
Gjykata e Lartë vendosi në 22 maj të këtij viti vendosi veçimin e pjesës penale me 28 të pandehur të dosjes nga ish ministri i mbrojtjes Fatmir Mediu. Sipas Kolegjit Penal, në gjykatën e Lartë do të gjykohet vetëm ish ministri, ndërsa të pandehurit e tjerë u dërguan për gjykim në Dhomën Penale të Gjykatës së Tiranës. Mes të pandehurve që do të gjykohen në këtë gjykatë janë edhe të arrestuarit e kësaj dosjeje Ylli Pinari, Dritan Minxolli, Mihal Delijorgji dhe Sokol Gjeci.