E Diel, 1 Nëntor 2026

Luanin me kapsolla, plagosen dy fëmijë

 

LAÇ - Plagosen dy fëmijë në Laç duke luajtur me një kapsollë që e kishin blerë në treg. Ngjarja ndodhi rreth orës 11:45 të ditës së djeshme., ndërsa fëmijët ishin duke luajtur në oborrin e pallatit të tyre, në lagjen nr.4 të qytetit. Sipas dëshmive të banorëve të pallatit, 14–vjeçari A.M. dhe 10-vjeçari E.B., po luanin duke shpërthyer kapsolla e fishekzjarre. Sipas policisë, 14-vjeçari ka ndezur kapsollën, por është shpërqendruar duke e mbajtur atë në dorë. Në momentin e shpërthimit ai është plagosur së bashku me shokun e tij. Pas plagosjes banorët e pallatit i kanë dërguar ata menjëherë në spitalin e Laçit, ku edhe kanë marrë ndihmën e parë mjekësore e më pas janë nisur me urgjencë në Spitalin Ushtarak. Mjeku Aleksandër Pëllumbi u shpreh se 14-vjeçari është plagosur më rëndë. Ai ka dëmtuar rëndë tre gishtërinj, të cilët rrezikon t’i humbasë, por plagë ka marrë edhe në trup. Më lehtë paraqitet gjendja e fëmijës tjetër. Policia mbërriti në vendin e ngjarjes dhe pas veprimeve procedurale nisi hetimin për të evidentuar vendin ku dy fëmijët kishin blerë kapsollat. Në fakt, ato shiten kudo nëpër tezgat e tregut të lirë në Laç, por askush nuk ka marrë masa për ndalimin e tregtimit të tyre.                            r.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›