Gërdeci, dha tre dëshmi të kundërta, dëshmitari në pranga
Autori i Lajmit: Redaksia
U paraqit në gjyq si dëshmitar, por doli prej shkallëve të këtij institucioni me duar të lidhura në pranga e i shoqëruar nga dy policë.
Dje në Gjykatën e Shkallës së Parë iu vunë prangat Veiz Muçës, ish-përgjegjësit të fabrikës së Gërdecit që shpërtheu më 15 Mars të vitit 2008, me akuzën për dhënie të dëshmisë së rreme. Prokuroria në procesverbalin e mbajtur kishte dokumentuar dëshminë e Muçës, e cila sipas kësaj të fundit nuk përkonte aspak me dëshminë që ky person po jepte dje në seancën e radhës në gjykatë. “Unë kam filluar punë atje, pasi kishte nisur aktiviteti. Kemi diskutuar me specialistët se kjo punë paraqiste rrezik, sidomos kur bëhej fjalë për demontimin e predhave”, u shpreh Muço. Dëshmitari i njohur ndryshe si Vangjeli foli për rreth dy orë para togave të zeza, ku i pyetur nga prokuroria tha se kishte parë në mbikëqyrjen e punës dhe dy amerikanë si dhe pronari i Sac, Patrik Henri. Dëshmitari i pohoi gjykatës se nuk kishte nënshkruar asnjë kontratë pune, ai tha se në fabrikë kishte pasur edhe herë tjetër probleme. Sipas Muços edhe më parë në punishte kishte pasur incidente të rënda, si rasti i flakëve dhe shpërthimit në një arkë fishekësh.
Dëshmia e rreme
Prokuroria ka vërejtur tre momente në dëshminë e Muçës, që kundërshtonin atë të dhënë për prokurorinë. Momenti i parë kishte të bënte me pyetjen që ju drejtua nga prokurori i çështjes, në lidhje me faktin nëse kishte të punësuar fëmijë në fabrikë, apo jo. Kësaj pyetjeje dëshmitari i është përgjigjur negativisht. Ai ka thënë se në fabrikën ku demontoheshin armë nuk punonin të mitur. Ky ka qenë momenti i parë që ka bërë prokurorinë që të dyshojë. Por, dëshmitari nuk e ka lënë gjithçka me kaq, pasi ai ka mohuar dhe një tjetër deklaratë të dhënë për prokurorinë gjatë hetimeve të kësaj të fundit. Momenti i dytë, qe dëshmitari është konstatuar të ketë bërë dy dëshmitë ndryshme ka lidhje me karrocën që ishte salduar e që dyshohet të ketë shkaktuar dhe shpërthimin në Gërdec, për shkak se ajo ishte e nxehtë dhe duke u bashkuar me barutin ka marrë flakë. Në lidhje me këtë fakt, Muça në gjykatë u shpreh se karroca është salduar në fabrikë, pasi një burrë vinte gjithnjë aty ta bënte këtë punë, ndërsa në prokurori ai kishte dëshmuar krejt të kundërtën. Në procesverbal ishte që karrocat i saldonte Qemal Deliu tek shtëpia e tij, e madje e njëjta gjë kishte ndodhur dhe ditën e 15 Marsit kur ndodhi shpërthimi. Momenti i tretë, që ka bërë tërësisht dyshuese prokurorinë për dëshminë që po jepte dëshmitari në sallën e gjyqit kishte lidhje me vendndodhjen e vetë Muçës ditën e shpërthimit. Në procesverbalin e prokurorisë Muça kishte thënë se në momentin e shpërthimit ai ndodhej tek dera e fabrikës së demontimit të armëve në Gërdec. Por i pyetur nga prokurori, ai dje pohoi se “Në momentin e shpërthimit unë gjendesha bashkë me Minxollin në lokal duke ngrënë drekë”.
Arrestimi
Të gjitha këto dëshmi që kundërshtonin njëra-tjetrën, kanë nxitur prokurorin e çështjes që të kërkojë arrestimin e dëshmitarin Veiz Muça në sallën e gjyqit për dëshmi të rreme. Pasi organi i akuzës i ka parashtruar kërkesën trupit gjykues, ky i fundit i ka dhënë të drejtë, duke kërkuar arrestimin menjëherë të dëshmitarit. Në momentin e arrestimit ish-përgjegjësi i fabrikës së Gërdecit nuk ka bërë rezistence duke heshtur para komunikimit të arrestimit. Me këtë arrestim, numri i të pandehurve si shkaktarë të tragjedisë së Gërdecit shkon në 30.
Dosja shqyrtohet
e ndarë
Tragjedia e Gërdecit po shqyrtohet e ndarë në pjesë. Gjyqi më i madh po bëhet në Shkallën e Parë me plot 30 të pandehur, shumica ish-ushtarakë dhe 3 drejtues të fabrikës së demontimit të armëve, të vetmit nën arrest. Në hetim për ngjarjen është edhe ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Akuza ndaj tij ka lidhje me dhënien e lejes së ndërtimit të fabrikës, pikërisht në një vend të pasigurt siç ishte Gërdeci, po ashtu dhe mungesa e sigurisë teknike. Tragjedia e Gërdecit ishte më e rënda që ka goditur vendin tonë vitet e fundit, ku 15 kilometra nga Tirana shpërtheu një fabrikë ku çmontoheshin armë duke shkaktuar 26 të vdekur, mbi 300 të plagosur dhe dhjetëra banesa e biznese të shkatërruara.
Akuzat
Të arrestuarit akuzohen për “aktivitet antiligjor me pasojë vrasjen e më shumë se një personi” si dhe shpërdorim detyre”. Kërkesa për gjykim të shkurtuar do të thotë se të pandehurit kanë pranuar akuzat në bazë të akteve që ndodhen në dosjen për gjykim në ngarkim të tyre. Do të jetë trupi gjykues i kryesuar nga Ridvan Hado, i cili do të vendosë nëse do të pranojë kërkesën e të pandehurve apo jo. Në fashikullin për gjykim të grupit hetimor ku janë dhënë provat me të cilat prokuroria do të paraqitet në këtë gjykim për të pretenduar fajësinë e 29 të pandehurve, mes të cilëve ushtarakët më të lartë shqiptarë të periudhës 2005–2009. Pjesa më madhe e provave të sjella nga prokuroria që pothuajse janë bërë publike deri më tani, i përkasin mënyrës së paracaktuar të zhvillimit të tenderit për dhënien me koncesion firmës “Albademil” për demontimin e fishekëve në Gërdec.
Uran Deliu: “Shpërthimi, jo nga saldimi i karrocës”
Një dëshmitar i prokurorisë mohoi dje në gjykatën e Tiranës që shpërthimi në Gërdec të ketë ardhur nga saldimi i karrocave të barutit në banesën e Qemal Deliut, shtëpi e cila ndodhej fare pranë fabrikës së demontimit të municioneve. Uran Deliu u paraqit në gjykatë dje me kërkesën e prokurorisë, dhe pranoi se disa herë, karrocat e transportit të barutit, që dëmtoheshin në fabrikë për shkak të mbingarkesës, ishin salduar tek shtëpia e Qemal Deliut pasi ai kishte një pajisje saldimi. “Por ditën e ngjarjes babai nuk ka salduar asnjë karrocë nga fabrika”, tha dëshmitari Uran Deliu, djali i pronarit të banesës, e cila për shkak se ndodhej më pranë vatrës së shpërthimit u shkatërrua thuajse tërësisht ndërsa familja që banonte aty humbi pesë anëtarë të saj. Sipas akt-ekspertizës së hartuar nga gjashtë ekspertë amerikanë të Byrosë federale ATF, shpërthimi në Gërdec dyshohet se ka ndodhur për shkak se karrocat metalike të barutit ishin salduar dhe më pas ndërsa ishin të ngrohta, në to ishte vendosur barut i paketuar në thasë. Si pasojë e nxehtësisë, akt ekspertimi citon se baruti mori flakë ndërsa zjarri u shpërnda deri tek kontenierët për shkak se e gjithë dyshemeja ishte e ndotur me barut.
Ky lajm është publikuar: 02/02/2010