Tafaj: “Si do të ndryshojë Matura 2010”
Autori i Lajmit: Entela DurajMatura Shtetërore 2010 do të pësojë disa ndryshime që kanë të bëjnë më shumë me kohëzgjatjen e procesit sesa me përbërjen e skemës në tërësi. Kësisoj nuk do të ketë shtim të lëndëve me zgjedhje dhe as ndryshim të peshës që zë mesatarja në llogaritjen e pikëve, por MASH ka vendosur që këtë vit ta mbyllë më herët procesin e MASH-së. Kështu të gjitha provimet e maturës do të mbyllen në fund të qershorit, deri në mes të korrikut do të përfundojë korrigjimi i tezave, ndërsa plotësimi i formularit A2 (renditja e preferencave) të bëhet duke pasur të katër notat e provimeve dhe mesataren.
A do të shtohen këtë vit në provimet e Maturës Shtetërore lëndët me zgjedhje?
Asnjë lëndë e re me zgjedhje nuk do të shtohet këtë vit në Maturën Shtetërore. Do të respektohen të gjitha afatet që kemi dhe në 10-ditëshin e parë të shkurtit janë shumë gjëra që mbyllen për maturën, por lëndët me zgjedhje do të mbeten të njëjtat me vjet, nuk ka asnjë ndryshim.
Është folur në media edhe për ndryshimin e përqindjes së mesatares, nëse do të ndryshojë cila do të jetë pesha e saj në grumbullimin e pikëve totale?
Nuk do të ketë asnjë ndryshim, mesatarja do të vazhdojë të zërë 20%. Procedurat do të jenë krejtësisht të njëjta, por do të lehtësohen shumë gjera për të rritur transparencën, por jo ndryshime themelore. As numri i lëndëve me zgjedhje dhe as lëndët me zgjedhje nuk do të ndryshojnë, po ashtu nuk do të ndryshojë as raporti që zë mesatarja në vlerësimin e përgjithshëm. Kur u zhvilluam matura janë marrë mendime dhe modele nga më të ndryshmet. Në fillim mendoja se pesha që zë mesatarja të ishte diku tek 40%, por duke qenë plotësisht të vetëdijshëm që ne kemi ende diferenca jo të vogla në nivelin dhe cilësinë e shkollave të ndryshme, është ende herët të risim përqindjen që zë mesatarja. Në të ardhmen që lidhet edhe me diçka tjetër që ne jemi shprehur të gatshëm për tu përfshirë në vlerësimin internacional të arsimit parauniversitar, PISA. Në rast se shkollat tona do të vlerësohen në programin e PISA-s në 2010-2011 ne do të kemi një bazë shumë më reale për nivelin cilësor të sistemit tonë arsimor parauniversitar. Pra do të kemi dhe një bazë reale të diferencave që do të ekzistojnë midis shkollave. Në momentin që do të shohim që këto diferenca janë të pakonsiderueshme atëherë do të vendosim që të rrisim peshën e mesatares, por më parë nuk na ndihmon të rrisim peshën e mesatares. Matura 2010 do të ketë përsëri mesataren prej 20% të totalit të pikëve.
Është krijuar ideja që degët më të mira të Universitetit të Tiranës fitohen nga studentë nga rrethet? Si e shpjegoni ju këtë fakt, kur niveli apo cilësia e mësimdhënies së gjimnazeve të kryeqytetit me ato të rretheve nuk janë të barabartë?
Unë them se as brenda Tiranës shkollat nuk janë të barabarta për nga niveli. E njëjta gjë ndodh edhe në rrethe. Sigurisht që ka probleme në disa shkolla të mesme në nivel vendi, dhe matura ka qenë një nga faktorët kryesorë që ka seleksionuar shkollat. Matura u bë një nga faktorët e vlerësimit të cilësisë, të nivelit që ka shkolla. Ne kemi shkolla që plotësojnë standardet e shkollave të mesme ashtu sikurse kemi dhe shkolla elitare. Në fund të dhjetorit u vlerësuan dhe shkollat më të mira të vitit. Studimi që është paraqitur në MASH, statistikat që kanë sjellë APRIAL dhe emrat me shpërndarjen sipas rretheve nuk e vërteton këtë. Në degë mjaft të preferuara të universiteteve publike janë disa shkolla që kanë rezultate permanente shumë të mira që janë dy shkolla të rrethit të Fierit, Sarandës, Korçës që çdo vit kanë një grup gjimnazistësh shumë të mirë me numër të tillë pikësh që arrijnë të klasifikohen në degët më të kërkuara. Por mund tju them që ka plot rrethe të largëta në Shqipëri ku asnjë student nuk ka shans të arrijë pikët në këto degë. Për shembull, një problem është mungesa e mjekëve në Has në të ardhmen, sepse tani për tani asnjë student nga Hasi nuk arrin të futet në Mjekësi, e kush do të shkojë të punojë mjek në një rreth të largët, nëse vetë të rinjtë e këtij rrethi nuk kanë përgatitjen e duhur për të fituar degën e Mjekësisë. Kjo është detyra ime. Unë e kam për detyrë të rris kushtet e gjimnazit të Hasit (si shembull në këtë rast). Si tendencë kjo nuk vërteton që në raport me numrin e nxënësve nga Tirana dhe ato nga rrethet, numri i gjimnazistëve të rinj (studentët) që futen në degët më të kërkuara është disproporcional, por është krejtësisht proporcional. Matura krijon mundësi për një vlerësim jashtëzakonisht objektiv të nivelit të shkollës. Ne së shpejti kemi konferencën e Maturës Shtetërore 2010 ku do të sjellim të dhënat për 4 vitet e zhvillimit të Maturës.
Sa transparente dhe serioze janë provimet e Maturës Shtetërore në rrethe të caktuara dhe në shkolla të caktuara?
Ju garantoj se edhe brenda në Tiranë objektiviteti dhe serioziteti nuk është i njëjtë në çdo shkollë. Keni plotësisht të drejtë që ne kemi shmangie dhe devijime nga njëri rreth tek tjetri. Këto nuk mund të mënjanohen menjëherë. Në rregulloren e re të maturës është një nga momentet që këtë vit do ta kemi në qendër të vëmendjes, shtimin e kontrollit ndaj administratorëve (mësuesve që do të monitorojnë zhvillimin e provimit). Shumë e rëndësishme për të gjithë është raporti që duhet të ketë shoqëria me maturën. Matura duhet konsideruar e paprekshme. Vetë nxënësit duhet të krijojnë këtë ambicie që përmes maturës të marrin një vlerësim real për nivelin e dijeve që kanë arritur në shkollën e mesme. Një faktor shumë i rëndësishëm përcaktues janë nxënësit vetë, të cilët me ambicien e tyre çdo ditë të provimit duhet të shkojnë në sallën e provimit me idenë se ky është një proces transparent, objektiv, që nuk të ul asnjë pikë nga ato që secili meriton. Faktor tjetër janë administratorët që janë në sistemin tonë, mësuesit. Administratorët kanë një rol mjaft të rëndësishëm në procesin e maturës. Serioziteti që duhet të ketë administratori në atë sallë që ai administron është përcaktues për zhvillimin objektiv të testimit. Faktor tjetër i rëndësishëm janë edhe kushtet. Këtë vit do të veprohet në krijimin e kushteve veçanërisht në provimet me zgjedhje. Gjimnazistët në rrethet më të vogla ti grumbullojmë në qendër të nënprefekturës, pra në qendër të qytetit në salla të mëdha ku të jenë të gjithë bashkë për të zhvilluar provimin.
A do të ketë pasoja për administratorët në rast se konstatohet thyerje në rregullore?
Do të vazhdohet të trajnohen mirë administratorët për të njohur procedurat dhe për ta marrë këtë proces me shumë më tepër seriozitet. Që në vitin e parë të maturës administrimi ka qenë serioz, por nuk mund të themi që nuk kemi pasur devijime dhe që në vitin e parë janë marrë masa për këta administratorë dhe do të vazhdojmë ti forcojmë këto masa. Ata janë mësues dhe mësuesit që nuk do të zbatojnë rregulloren e administrimit të provimit do të kenë konsekuenca, të cilat do të jenë të forta, sepse cenojnë procesin për nxënësit. Me grumbullimin e nxënësve në qendër të rrethit në salla të mëdha do ta përmirësojmë administrimin dhe do të heqim edhe çdo dyshim që hidhet se në një rreth të largët administrimi nuk ka qenë në atë nivel si në Tiranë. Ky është një ndryshim në burokracinë e zhvillimit të maturës, do të përpiqemi të bëjmë edhe ndryshime të tjera që lehtësojnë procesin e maturës.
Kur do të mbyllen provimet e Maturës Shtetërore këtë vit dhe kur do të bëhet plotësimi i formularit A2?
Pikërisht ky afat është një ndryshim tjetër për Maturën Shtetërore të vitit 2010, pra fakti që të gjitha provimet të mbyllen brenda qershorit. Drejtoritë e MASH dhe Drejtoritë Rajonale synojnë që provimi i fundit me zgjedhje të zhvillohet në ditët e fundit të qershorit, në mënyrë që përgjigjet të jenë në mes të korrikut dhe formulari A2 të plotësohet duke pasur të katër notat e provimeve dhe mesataren.
A mund të vendoset një koeficent për shkollat e mesme në bazë të rezultateve që ato kanë?
Propozimi është shumë interesant. Deri tani, ne koeficientët i kemi diferencuar në bazë të profilit të shkollës. Një diferencim i tillë do të ishte shumë i vështirë, sepse do të ishte një koeficent që do të përfshinte shumë subjektivizëm brenda. Këtë vit propozimet e universiteteve për koeficientët pritet të mbërrijnë më 10 shkurt. Nuk besoj se fakultetet do të bëjnë ndryshime në përcaktimin e koeficientëve, në dy vitet e fundit ata kanë qenë të njëjtë.
Një fazë e rëndësishme e procesit të Maturës Shtetërore është edhe korrigjimi i tezave të provimeve dhe më pas rikorrigjimi i tyre për nxënësit që kanë pakënaqësi. A nuk do të ishte më transparente edhe prezenca e vetë maturantëve gjatë rikorrigjimit?
Në të vërtetë modele të Maturës Shtetërore nuk e pranojnë aspak rikorrigjimin. Por duke qenë se ne jemi ende në fillimet e këtij procesi, merren parasysh edhe gabimet gjatë korrigjimit, e kësisoj lejohen edhe ankesat në notë për rikorrigjim. Jam dakord me transparencën e notës dhe mendoj ta përfshijmë në rregulloren e këtij viti faktin që nxënësi duhet të sqarohet personalisht me notën e rikorrigjimit, pasi ka pasur raste kur X maturant ka fituar deri në 30 pikë më shumë pas kërkesës që ka bërë për rikorrigjim të testit. Mua më kanë ardhur edhe prindër që i kanë kalkuluar saktësisht pikët e fëmijëve të tyre sipas formulës së bërë publike për llogaritjen e pikëve për të hyrë në universitet.
Universitetet a do të kenë të drejtë të nxjerrin kritere të tyret për pranimin e studentëve të rinj (siç edhe ishte rasti i Vlorës, ku rektori Shaska kërkoi që të mos regjistrohej asnjë student me mesatare nën 6)?
Jo. Universitetet kanë të drejtë të propozojnë vetëm koeficientët. Kritere të tjera të çdo lloj natyre nuk do të pranohen pa miratimin nga MASH.
Ky lajm është publikuar: 02/02/2010