QSUT, vdekja e Gixharit për mungesë aparaturash
Autori i Lajmit: Redaksia
Drejtoria e QSUT-së ka reaguar për vdekjen e pacientes 53-vjeçare, Drita Gixhari, mbrëmjen e së premtes në urgjencën kirurgjikale të qendrës spitalore.
Sipas QSUT-së, mund të shmangej nëse ky shërbim do të ishte i centralizuar dhe i pajisur me të gjitha aparaturat për vendosjen e diagnozës.
Hetimi
Nga hetimi administrative që kreu drejtoria e QSUT në lidhje me ngjarjen e rëndë, ka rezultuar se dy mjekët kirurgë roje të pezulluar, Gjergji Andrea dhe Devi Belalli nuk kishin asnjë mundësi tjetër për ti ofruar viktimës përveç kryerjes së ekos dhe grafisë e cila nuk përcakton shkakun e sëmundjes së pacientit. “Është ende shpejt të mësojmë nëse ka qenë neglizhencë e mjekëve pasi presim përgjigjen e ekspertizës mjeko-ligjore, por dua të garantoj se shërbimi i urgjencës kirurgjikale përbëhet nga ekip roje mjaft i specializuar. Gjergji Andrea është mjek kirurg me përvojë 15 vjeçare në kirurgji ndërsa mjeku tjetër rojë natën kur u paraqit pacientja, është mjek i cili ka katër vjet që ka përfunduar specializimin. “E vetmja mundësi që kishin mjekët në urgjencë ishte ofrimi i një ekoje dhe një grafie, të cilat padyshim nuk mund të përcaktojnë diagnozën e saktë të pacientit”, u shpreh nëndrejtori i QSUT, Besim Doçi. Sipas drejtorisë së QSUT, zgjidhja e vetme për të shmangur vdekje të tilla është përqendrimi i shërbimit të urgjencës brenda një godine dhe kjo do të arrihet me përfundimin e ndërtimit të spitalit të ri në pranverë. Sipas specialistëve, vdekje të tilla si rasti i 53-vjeçares janë shumë të rralla.
Mungesa e besimit
Në lidhje me mungesën e besimit tek shërbimi i urgjencës, QSUT deklaron se në këto shërbime punojnë mjekë me përvojë. Familjarët e 53-vjeçares kanë depozituar kallëzim penal në polici ndaj dy mjekëve kirurgë roje të urgjencës kirurgjikale. Kjo padi do të dërgohet të hënën në prokurori nga policia e Tiranës. Familjarët e viktimës akuzuan të shtunën mjekët e urgjencës se neglizhuan gjendjen shëndetësore të nënës së tij duke mos i kryer asnjë ekzaminim apo kontroll por u mjaftuan vetëm me dhënien e qetësuesve të cilët jo vetëm se përmirësuan shëndetin e saj por ai u përkeqësua në orët e para të ditës së shtunë. Sipas djalit të viktimës, kjo e detyroi atë ta dërgonte sërish nënën në spital duke kërkuar ndihmë më të specializuar. Pas kryerjes së ekzaminimeve mjekët dolën në përfundimin se pacientja 53-vjeçare kishte trompozë e arteries mezenterike, e cila është vdekjeprurëse.
Ky lajm është publikuar: 02/02/2010