E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Berisha të dëgjojë KE-në, të hetojë zgjedhjet

Autori i Lajmit: Redaksia
Partia Socialiste i ka kujtuar sërish dje mazhorancës të respektojë rezolutën e Këshillit të Evropës dhe të zbatojë rekomandimet për të zgjidhur krizën politike në vend. “Rezoluta 1709 e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për “Funksionimin e institucioneve demokratike në Shqipëri” certifikoi ndërkombëtarisht detyrimin e hetimit parlamentar të zgjedhjeve të 28 qershorit si e vetmja zgjidhje për krizën e thellë politike në Shqipëri. Kjo rezolutë është ushtrim i kompetencave dhe angazhimeve të Këshillit të Evropës siç edhe parashikohet në Statutin e tij, ndërsa respektimi i rekomandimeve që burojnë nga rezoluta është një detyrim i pakthyeshëm për Shqipërinë si një vend anëtar i KE-së”, - tha dje deputeti i PS-së, Taulant Balla. Ai pohoi se PS mbështet plotësisht këtë rezolutë dhe shpreh gatishmërinë për të përmbushur detyrimet që burojnë nga kjo rezolutë. Sipas Ballës zbardhja e të vërtetës së 28 qershorit përmes hetimit të plotë parlamentar, nuk është më thjesht dhe vetëm kërkesa e Partisë Socialiste, popullit opozitar apo dhe e disa partnerëve ndërkombëtarë. Kjo kërkesë, e shprehur sipas tij, në rezolutën e Këshillit të Evropës, është tashmë një detyrim që buron nga statusi i Shqipërisë si vend anëtar i KE-së, detyrim me të cilin Sali Berisha nuk mund as ta luajë, as ta anashkalojë. “Bojkoti nuk është zgjedhja e Partisë Socialiste, por e Sali Berishës. Miratimi i rezolutës në Këshillin e Evropës, nxorri në pah dy elementë të rëndësishëm, të cilët Sali Berisha, me kokëfortësi, për muaj me radhë, refuzonte ti pranonte: Së pari, se Shqipëria gjendet në krizë politike, e cila duhet zgjidhur sa më parë. Së dyti, zgjidhja e krizës vjen përmes hetimit të plotë të zgjedhjeve të 28 qershorit. Partia Socialiste është e gatshme të përmbushë detyrimet e saj që lindin nga rezoluta e Këshillit të Evropës. Fatkeqësisht, mazhoranca po heziton”, - tha Balla. Ligjvënësi socialist shtoi se refuzimi i mazhorancës për të adresuar kërkesat e Asamblesë Parlamentare të KE-së po degradon krizën. Sipas tij ashtu siç theksohet edhe në rezolutë, kriza ka një impakt negativ në procesin e integrimit evropian, por edhe në procesin e liberalizimit të vizave.

Ky lajm është publikuar: 02/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›