Gërdeci, gabim me përgjimin e zyrtarit
Trazhgim Sokolaj
Ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu pretendon se Prokuroria e Përgjithshme ka ngatërruar numrat e telefonit të personave që janë “përgjuar”, duke lënë jashtë hetimit një ish-zyrtar të lartë, që ka pasur të bëjë me tragjedinë e Gërdecit. “Prokuroria ka ngatërruar me dashje numrat e telefonit duke lënë jashtë hetimit disa persona”, tha dje ish-ministri i Mbrojtjes. Ai nuk dha detaje lidhur me këtë çështje, por gazeta mësoi se bëhet fjalë për numrin e telefonit të një ish-zyrtari të lartë, që ka lidhje me ngjarjen e “Gërdecit”. Në kuadër të hetimit për zyrtarët e dyshuar, Prokuroria e Përgjithshme kërkoi pranë kompanive celulare, listën e tabulateve me thirrjet dhe mesazhet telefonike të bëra nga të gjithë të hetuarit. Një veprim i tillë u krye me qëllim për të verifikuar nëse zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes, ushtrisë apo Shtabit të Përgjithshëm, kanë pasur kontakte me “shkaktarët” e ngjarjes së Gërdecit, Mihal Delijorgji dhe Dritan Minxolli apo me persona të tjerë privatë të angazhuar në këtë proces. Siç mësoi gazeta, akuzat e djeshme të Mediut ndaj Prokurorisë, i referohen faktit se prokuroria e Përgjithshme ka kërkuar tabulatet për një ish-zyrtar të lartë, por duke ngatërruar qëllimisht numrin e tij.
Ngatërresa e numrit
Në kërkesën për zbardhjen e tabulateve është shkruar emri i ish-zyrtarit në fjalë, ndërsa tek numri që do të verifikohej, nuk është dhënë i sakti por një numër i ngjashëm që i përkiste një kompanie tjetër. Në këtë mënyrë, falë këtij gabimi që sipas ish-ministrit Mediu është bërë me dashje, lista e telefonatave të ish-zyrtarit të lartë që ka të bëjë me ngjarjen e Gërdecit, në të vërtetë ka mbetur pa u hetuar dhe pa u verifikuar. Gjatë një interviste për “Top-Channel” ish-ministri Mediu tha dje se prokuroria nuk është thelluar në hetimin e tragjedisë së Gërdecit, duke lënë jashtë persona të tjerë që kanë pasur të bëjnë me çështjen. “Unë jam hetuar në 360 gradë, deri edhe në aspektin privat dhe personal”, tha Mediu, duke akuzuar Prokurorinë se ka qenë tendencioze në këtë çështje. Ai u tregua i hapur që prokuroria të verifikojë listat e telefonatave të tij madje çdo të dhënë në ndihmë të hetimit, por shtoi se organi i akuzës “ka ngatërruar me dashje numrat e telefonit, duke lënë jashtë përgjimit disa persona, ish-zyrtarë të lartë, që kanë pasur rol të rëndësishëm në procesin e demontimit të municioneve”.
Padia ndaj Ina Ramës
Ish-kreu i Ministrisë së Mbrojtjes, i cili është marrë i pandehur në dosjen “Gërdeci”, akuzoi përsëri Kryeprokuroren Ina Rama se ka shkelur ligjin me këtë çështje. Sipas Mediut, Ina Rama ka shkelur Kodin e Procedurës Penale, i cili ndalon publikimin e akteve të dosjes, qofshin ato sekrete apo jo sekrete. Akuza e Mediut në këtë rast, i adresohet konferencës së shtypit të kryeprokurores Ina Rama, mbajtur më 25 prill 2008, kur ajo bëri publike kërkesën për heqjen e imunitetit të ish-ministrit, e cila përmbante fakte nga dosja “Gërdeci”. Edhe njëherë dje, Mediu tha se pak ditë më parë ka bërë kallëzim penal ndaj Ina Ramës. Ai sqaroi se padia nuk është bërë më parë, pasi është pritur përfundimi i hetimeve për tragjedinë e Gërdecit, në mënyrë që veprimet e prokurorisë të ishin të pavarura. Ish-ministri akuzoi përsëri edhe drejtuesin e hetimeve të dosjes “Gërdeci”, prokurorin Sokol Stojani, i cili sipas Mediut, ka shkelur ligjin duke dërguar mesazhe telefonike tek gazetarët, me qëllim që të adresonte pyetje në një emision televiziv, ku i pandehuri kryesor i tragjedisë së Gërdecit, ishte i pranishëm dy javë më parë.
Akuza: Përgjimet provë e rëndësishme në dosje
Përgjimet e Gërdecit, 100 disqe u dorëzuan në Gjykatën e Lartë
TIRANE – Përgjimet telefonike konsiderohen nga Prokuroria si një nga provat e rëndësishme në dosjen penale për tragjedinë e Gërdecit. Për shkak të numrit të madh të personave që rezultuan të implikuar për tragjedinë, dokumentacioni dhe regjistrimet e bisedave telefonike përbëjnë një nga materialet voluminoze të dosjes, që u dorëzua më 13 mars 2009 në Gjykatën e Lartë. Nga burime të Prokurorisë së Përgjithshme, mësohet se gjatë hetimeve për tragjedinë janë përgjuar pjesa më e madhe e të pandehurve. Si pasojë e përgjimeve të zhvilluara, prokuroria ka marrë bisedat e zyrtarëve dhe më pas i ka transkriptuar ato në dokumente. Bashkëngjitur këtyre dokumenteve, Prokuroria ka dorëzuar në Gjykatën e Lartë edhe 100 kompakt-disqe ku ndodhen bisedat origjinale që implikojnë zyrtarët e pandehur. Në kuadër të dosjes “Gërdeci”, Prokuroria ngriti akuzë ndaj 24 personave për shpërdorim detyre ndërsa katër të arrestuarit, Ylli Pinari. Sokol Ngjeçi, Mihal Delijorgji dhe Dritan Minxolli, u akuzuan për vrasje masive, ndaj më shumë se dy personave dhe rrezikim te jetës së shumë të tjerëve, si dhe shkatërrim të pronës me dashje. t.s
Humbi fëmijën në Gërdec, padit MEICO-n
TIRANE – Gjykata e Tiranës regjistroi dje një tjetër padi ndaj ndërmarrjes MEICO-s, në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Southern Ammunition Company (SAC), kompanisë që demontoi municione në Gërdec. Padia civile ka lidhje me shpërthimin e 15 marsit 2008 në fabrikën e demontimit të municioneve luftarake në Gërdec, ngjarje e cila shkaktoi vdekjen e 26 personave dhe plagosjen e 300 të tjerëve. Këtë herë paditësit janë familjarët Adriatik dhe Anisa Sogani, banorë të fshatit Gërdec ku ndodhi ngjarja e rëndë. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të Gjykatës së Tiranës sipas të cilave, padia tashmë është hedhur në short. Në padinë e depozituar ditën e djeshme në gjykatë dy pjesëtarët e familjes Sogani kërkojnë 10 milionë lekë shpërblim prej MEICO-s, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Southern Ammunition Company (SAC). Pas regjistrimit të padisë në gjykatë është hedhur shorti elektronik, që ka përzgjedhur gjyqtarin që do shqyrtojë këtë padi. Burime pranë gjykatës bënë të ditur se shorti elektronik i djeshëm ka përzgjedhur gjyqtarin Altin Shkurti për shqyrtimin e padisë së dy banorëve të Gërdecit kundrejt Ministrisë së Mbrojtjes dhe dy kompanive të import-eksportit të armëve. Padia e familjarëve Sogani, që mban numrin 7599 është regjistruar ditën e djeshme në Gjykatën e kryeqytetit. Sipas ankesës, palë paditëse aty janë Adriatik dhe Anisa Sogani ndërsa të paditur janë kompania ushtarake e import-eksportit MEICO, Ministria e Mbrojtjes dhe kompania amerikane e kontraktuar për çmontimin e municioneve, SAC. Duke iu referuar objektit të padisë, bëhet e ditur se familjarët Sogani kërkojnë prej palës së paditur shpërblimin dhe kompensimin e dëmeve pasurore si edhe dëmin jopasuror, që u ka shkaktuar atyre dëmtimet shëndetësore të Anisa Soganit dhe humbjen e fëmijës së saj. “Shpërblimi dhe kompensimi i dëmeve pasurore dhe jopasurore të shkaktuara familjes Sogani si pasojë e dëmtimit të shëndetit të paditëses Anisa Sogani dhe humbjen e fëmijës prej saj nga ngjarja e shpërthimit të fabrikës së demontimit të municioneve në fshatin Gërdec më datë 15.03.2008”, citohej në objektin e padisë. Po sipas saj, bëhet e ditur se shuma e kërkuar nga paditësit për dëmin e shkaktuar është 10 milionë lekë. Anisa Sogani ishte një nga të plagosurit rëndë të tragjedisë së Gërdecit. Shpërthimi i fabrikës së demontimit të municioneve në këtë fshat i shkaktoi dëmtime të rënda fizike. Si rrjedhojë e këtyre dëmtimeve, thyerje të kockave të legenit ajo humbi fëmijën, pasi në momentin e shpërthimit ishte disa muajshe shtatzënë. Pas shpërthimit ajo u dërgua në spitalin e Barit në Itali, për një mjekim më të specializuar. Pas kthimit të tyre në Shqipëri dhe nevojës për t’u rikthyer atje për të tjera seanca mjekësore Sogani dhe dy persona të tjerë të plagosur rëndë nga shpërthimi kërkuan ndihmën e Avokatit të Popullit për të rekomanduar përshpejtimin e pajisjes së tyre me viza. ar.ba