E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbi krizën dhe politikën tonë

Ndriçim Kulla 

Historiani i njohur Rajnhard Koselek, e quan krizën “katarakt i ngjarjeve” dhe nënvizon karakterin e saj të dyfishtë: është një
dënim, por dhe një rast për t’u transformuar. Në versionin grek, të vihesh përballë gjykimit, do të thotë fjalë për fjalë të “hysh në krisis”, në proces. Pra, krizë është vënia e intelektit në veprim, diçka që i ridimensionon gjërat Edhe kriza që po kalojmë sot është një krizë e tillë: moment i një vendimi, kulmi i një të keqeje, po nëse kemi ndërgjegjen e kuptimeve të mësipërme, edhe rast shëndoshje. Dhe ditët kritike arrijnë të vlerësohen vetëm nëse fillesa e të keqes arrin të përcaktohet me përpikëri. Por nuk mjaftojnë vetëm ekonomistë për arritjen e një qëllimi të tillë, e akoma dhe më pak politikanët. Shpesh gjërat i shohin më nga afër sociologët, filozofët, historianët, teologët, letrarët, mjekët. Nëse shoqëria është një trup - një pohim ky i cili që në zanafillë ka shërbyer si një tezë e filozofëve - këto janë ditët e saj kritike: mund të mbarojë ose të shërohet, duke këmbyer formë dhe mënyrë të ekzistuari.
Mirëpo, kudo në përballje me krizën që bëhet nga dita në ditë, politikanët dhe ekonomistët tanë po picërrojnë sytë përpara “magjisë së këputur” që mund të përkthehet fare mirë, “përpara shpërthimit të flluskës financiare”.
Do të donin ndoshta që penjtë me të cilën ajo është endur – iluzionet - të mos këputeshin pikërisht tani. Aq më tepër që në Shqipëri jemi në pragfushate dhe dihet që fushatat elektorale janë të qepura me penj të tillë, rrojnë me kimerën e premtimeve për progres social e sukses ekonomik. E rëndësishme në një gjendje hipnoze është të rrokësh sa më shumë, edhe pse mjetet mungojnë e hipnoza, duke e shtrënguar ndërgjegjen, është e kundërta e krizës. Ndaj më mirë një krizë e shpallur se sa promovim i një hipnoze, me premtime boshe. Nuk na lipsen iluzione që pastaj mund të na çojnë në zhgënjime përvëluese si në të shkuarën; pra, nuk duam të na shiten premtime që nuk mund të mbahen. “Flluskat” ekzistojnë në financë, në politikë, por dhe në kokat e njerëzve. Janë ditët kritike të mendjes sonë: ja, kjo le të jetë më mirë ndërgjegjja e premtimeve të kësaj fushate elektorale; E u takon pikërisht politikanëve ta thithin të parët këtë mendim. Nëse nuk e bëjnë, nuk kanë për të dëgjuar rreth vetes veçse zhaurimën klithëse të “zogjve” të Hitçkokut, pa gjetur dot as mjetet e as fjalët e një veprimi a fushate që ngjall autoritet.
“Progresi, - thotë Levi-Shtraus, nuk është diçka e vazhdueshme. Përparon me hope, mutacione, shmangie, siç lëviz guri i kalit në lojën e shahut. Por mbi të gjitha, nuk është strehë e të privilegjuarve: nuk ekzistojnë kultura foshnjarake, premtime, të cilave u kundërvihen qytetërime të sofistikuara. Të gjithë popujt janë madhorë, edhe ata që nuk e kanë mbajtur ditarin e fëmijërisë apo të adoleshencës së tyre”. (“Raca dhe Historia” Levi Shtraus). E pas nënvizimit të kësaj premise të domosdoshme, nuk mund të mohojmë veset e kulturës sonë politike me patologjinë e saj kronike. Ekzistenca e një klime të ashtuquajtur antagoniste në dukje, që bashkëjeton me një prirje ponderuese ndaj konformizmit, shkëmbime të banalizuara favoresh përbri një korrupsioni “të pandërgjegjshëm” të së majtës dhe së djathtës, përflakje termash “luftarake” ndaj një “bashkëpunimi” të errët e gati të nëndheshëm, gjithnjë të mohuar, por gjithnjë të pranishëm.
Një stanjacion i gjallë mbizotëron në hapësirë, në kohë, në ide. Është  kjo gjendja karakterizuese e kulturës së dy forcave kryesore politike në Shqipëri. 
Hapësira e parlamentit tonë të zgjedhur nga partitë me parlament me profil të ulët (kur parlamenti konsiderohet një fitore e botës perëndimore që në vitet ‘1800) tashmë duket si e “boshatisur”, pasi eksperienca aty është kthyer në një instrument të paracaktuar veç për një qëllim: primum vivere, çdo deputeti i duhet vetëm të ngrejë kartonin në mënyrë mekanike. Po kështu është duke u dekompozuar edhe hapësira brenda partive: prandaj ato janë tërhequr nga shoqëria, e kjo ka sjellë edhe tërheqjen dhe distancimin e shoqërisë ndaj tyre, çka shprehet në fenomenet e antipolitikës dhe abstensionizmit. Po kështu, koha lineare dhe progresive e koncepteve të tyre udhëheqëse ka rezultuar të jetë shumë e shpejtë, e ndrydhur, e investuar në cakun e një periudhe, një viti a një legjislature, duke u bërë kështu e padisponueshme për një politikë afatgjatë. Pra, për diçka të tillë, nuk ka kohë! Kësisoj, mungojnë subjektet, zgjidhjet: mbizotëron aspekti i veçantë përpara projektit, skenari përpara përmbajtjes, imazhi përpara vlerës.
Në një moment kur është pikërisht ideja se, që të kesh të “korra të bollshme” nevojiten “mbjellje” në perspektivë e projekte ambicioze me investime jo të menjëhershme në kohë, një ide kjo aspak e një ëndërrimtari, por për vite të tërë shtytësja vendimtare e progresit. Ja, pse na duhet ta hapim të ardhmen e ta sfidojmë atë me shpirtin e pionierëve. Është pikërisht ky shpirt ai që i përgjigjet një kulture në lëvizje, për t’u ngritur kundra konformizmit në thelb, të jetës sonë politike, që e mban kulturën e saj inerte. Studimi, formimi, dëgjimi dhe shkëmbimi i informacioneve në të gjitha nivelet është njëri nga mekanizmat shëndoshës të kësaj gjendjeje, pasi është i kundërti i konformizmit që ngërthen mendimin e kulturës në lëvizje. “Ky konformizëm, nën emrin e një klime të paqtë dhe jo antagoniste politike, nuk është ai progresi që kërkojmë, pasi një transformim i tillë është humanitet i ngurtësuar, është antropi, energji që humbet”, siç e përcakton Levi-Shtraus. Përkundrazi, sipas tij, “çdo progres është një koalicion midis forcave të ndryshme që kërkojnë një sintezë, pa braktisur diversitetin e tyre”.
Nëse domosdoshmëria është vërtet një mur, edhe ai ka të çarat e veta, kësisoj gjërat nuk janë asnjëherë të pandryshueshme; ka gjithmonë një kohë dhe një fjalë për ta karakterizuar këtë kohë, ashtu si dhe një veprim për ta ndikuar atë. E kjo është lindja e një komunikimi të ri politik, që të mos kanalizohet në lojën e njërit kundra tjetrit, por të mendojë për interesat e përbashkëta, superiore, perspektive. Mesazhi më i mirë është ai që na jep hermenautika, d.m.th. dialogu, konsensusi informativ, universaliteti si fakt që ndërtohet mbi mirëkuptimin. Le të nisë pra dialogu, në fillim qoftë dhe për arsye utilitare. Mjaft që të mos ngelemi në stanjacionin e kulturës inerte. Pastaj iluminizmi, filozofia, përgjegjshmëria do të arrijnë të brujnë dalëngadalë edhe maturinë e këtij dialogu. Tani për tani, është e rëndësishme që palët të mos i fryjnë antagonizmit me çdo kusht, sepse kështu e kërkon një fushatë e mirë elektorale. Përkundrazi, lipset një dialog i vërtetë për të bashkëpunuar në gjetjen e zgjidhjeve që diktojnë emergjencat, në mënyrë që edhe në fushatë elektorale çdo forcë politike të sforcohet të jetë më e mirë, të matet me një nivel më të lartë të përballjes politike. Nuk ka rëndësi fare të jesh i majtë apo i djathtë, ka rëndësi ajo që i shërben vendit, e kjo duhet të jetë një shtysë për të ngritur sidomos në raste fushatash nivelin e ndërgjegjes kolektive. Më tej, ndihet vërtet nevoja e një dialogu, por kjo nuk nënkupton që dialogu të jetë i mangët nga momentet e kriticizmit. Raporti i dy palëve që kanë pikëpamje të ndryshme mund të jetë i kreshpëruar prej vështirësive, por gjithsesi, dihet se në një mjedis dialogues nuk ekziston një arsye e vërtetë, e dhënë dhe e parafabrikuar. Përkundrazi, brenda tij e vërteta ndërtohet së bashku, duke kaluar edhe nëpërmjet përplasjeve. Mirëpo, pikërisht këtu shfaqen problemet e rënda të qasjeve dhe sjelljeve të palëve në të gjitha nivelet: brenda dhe midis partive, qoftë të një krahu, qoftë të krahëve të ndryshëm: zënka personale, individualizmi e ambicionet, narcizizmi, hedonizmi e së fundi, edhe kultura e unitetit. Këtij të fundit mund t’i shtohen strategjitë e diktuara që bien në kontradiktë, kur ndjekin qëllime të drejta me mjete të padrejta, ose koherenca që arrihen me diktime dhe shtrëngesa strukturore brenda-partiake. Duket pra që kemi të bëjmë me një krizë të politikës, jo vetëm të dallimit e majtë-e djathtë. E në realitetin shoqëror, është boshllëku rreth saj ai që e kërcënon. Veçse ky boshllëk, në momente të tilla vendimtare të një krize gjithëpërfshirëse, mund të çelë papritmas mjaft porta, mjaft rifillime të “pabërballueshme” për t’u frenuar. Të jetosh në boshllëk është shumë më mirë se sa të ndihesh në kurthin e ideologjive të parafabrikuara. Të jetosh në boshllëk - ose e thënë ndryshe nën trysninë e zhgënjimit dhe dëshpërimit të shoqërisë - çel mundësinë e “lindjes së një gjuhe të re”, gjuhën e një shoqërie të hapur që parakushtëzon në çdo individ bashkekzistencën e identiteteve të shumëfishtë: civilë, estetikë, etikë, e kështu me radhë. Të ndjesh këtë boshllëk, për të nxjerrë prej tij një gjuhë të re, ku sinteza e identiteteve nuk nënkupton braktisjen e secilit prej tyre, është pikërisht ai hopi që dallon një politikan largpamës nga një politikan i mirë. Eshtë fillesa e dialogut, atij të vërtetë, që paracaktuam më sipër, është ai pragu i rifillimeve ku asgjëja nuk ekziston më e ku, sapo ka nisur qenia, është fjala që duhet thënë dhe veprimi që duhet bërë. Është pragu ku mund të rihapet e ardhmja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›