E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krimet e Rënda, nis gjykimi për masakrën e Qafë Gjashtës



Në Gjykatën e Krimeve të Rënda nisi dje procesi gjyqësor për ngjarjen e ndodhur më 4 mars të vitit 1997 në Qafë Gjashtë të Sarandës, ku si pasojë e një sulmi me armë zjarri nga disa persona u vra punonjësi i Policisë së Shtetit, Gjergj Mehmeti, si dhe u plagosën dy të tjerë. Gjatë kësaj seance, përfaqësuesi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda shpalli akt-akuzën për autorët e dyshuar të kësaj ngjarje, të cilët janë shtetasit: Vladimir e Nestor Sinani, Alqi Paguni, Eduart Çipa, Edmond Sejko, Arben Këndezi, Agron Qurku, Mikel (Flamur ose Vladimir Këndezi), Aleksandër Bala dhe Riston Llapa. Ndërsa avokatët u shprehën para kolegji penal se klientët e tyre ishin të pafajshëm. Gjatë seancës pati dhe debate mes të pandehurve dhe palës së akuzës. Të pandehurit ngritën pretendimin se prokuroria nuk kishte mbledhur të gjitha provat. Ndaj tyre rëndon akuza për "vrasje në rrethana të tjera cilësuese", ndaj punonjësit të policisë gjatë detyrës, të kryer në bashkëpunim, "vrasje në rrethana të tjera cilësuese", të mbetur në tentativë, ndaj punonjësve të policisë gjatë detyrës etj. Gjatë ballafaqimit me trupin gjyqësor të pandehurit kanë kundërshtuar akuzat e ngritura ndaj tyre nga Prokuroria. Shumë prej të pandehurve janë arrestuar një vit më parë në një operacion të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, pas afro dy vjet hetimesh. Ndërkohë, në këtë proces do të thirren nga prokuroria për të dëshmuar dhjetëra dëshmitarë, mes tyre disa ish-drejtues të strukturave të rendit të asaj kohe.

Krimet e Rënda rikthejnë në qeli të arrestuarit e “Mesfushorit 1”

Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi dje izolimin në paraburgimin e Tiranës deri në përfundim të hetimeve të dy të pandehurve të tjerë të operacionit "Mesfushori 1", të akuzuar për "trafik droge në bashkëpunim". Me kërkesë të prokurorisë, gjykata caktoi masën e sigurisë së "arrestit me burg" ndaj shtetasve Thanas Bebi, 40 vjeç dhe Mikel Dima, 38 vjeç, nga Elbasani. Gjatë ballafaqimit të parë me Gjykatën, dy të pandehurit nuk kanë preferuar të japin shpjegime për akuzat e ngritura ndaj tyre nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. E njëjta masë sigurie u caktua dy ditë më parë edhe ndaj shtetasve Gjergji Gjika, 29 vjeç dhe Bexhet Hidri 40 vjeç, dhe këta nga Elbasani. Personat e lartpërmendur janë arrestuar katër ditë më parë në Elbasan, në operacionin e koduar "Mesfushori 1", me rreth 4 kilogramë drogë të llojit heroinë. Sipas organit të akuzës, droga, e cila është gjetur dhe bllokuar në dy makinat me të cilat udhëtonin të pandehurit e këtij operacioni, kishte ardhur nga Maqedonia dhe kishte destinacion tregun shqiptar.

15 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›