E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria dyfishon pagat për 475 punonjës të administratës gjyqësore



Laureta Rryçi

Qeveria vendosi dje rritje dyfish të pagave për administratën gjyqësore si dhe pasaporta shërbimi për gjyqtarët e gjykatave të shkallës së parë. Pas propozimit të Ministrisë e Drejtësisë lidhur me reformim rrënjësor të sistemit gjyqësor dhe përmirësimin e trajtimit të gjyqtarëve dhe administratës gjyqësore, Këshilli i Ministrave vendosi rritjen dyfish të pagave për 475 punonjës të administratës gjyqësore e të gjykatave të shkallës së parë dhe të gjykatave të apelit, si dhe pajisjen me pasaportë shërbimi për 270 gjyqtarët e gjykatave të shkallës së parë.
Vendimi
Me iniciativën e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave miratoi ndryshimet përkatëse në vendimin “Një shtesë në Vendimin Nr. 335, datë 02.09.1997, të Këshillit të Ministrave ‘Për lëshimin e pasaportave diplomatike dhe të shërbimit’”, të ndryshuar. Falë këtij ndryshimi, do të pajisen për herë të parë me pasaportë shërbimi 270 gjyqtarët e gjykatave të shkallës së parë, ku përfshihen gjyqtarët e gjykatave të rretheve gjyqësore dhe gjyqtarët e Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda. Që prej vitit 2000, me pasaporta shërbimi janë pajisur gjyqtarët e gjykatave të apelit, anëtarët e Gjykatës së Lartë, ndërsa gjyqtarët e shkallës së parë ende nuk e gëzonin këtë përfitim. Pajisja e gjyqtarëve me pasaportë shërbimi sjell lehtësimin e procedurës dhe shkurtimin e kohës së pajisjes me viza për gjyqtarët e shkallës së parë. Ky hap jo vetëm që do të përmirësojë statusin e gjyqtarëve, por do të ndikojë pozitivisht edhe në realizimin në kohë dhe me profesionalizëm të detyrave të tyre duke ndikuar edhe në përmirësimin e imazhit të sistemit gjyqësor.
Pagat
Po me iniciativë të ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave vendosi dje miratimin e strukturës dhe të nivelit të pagave të punonjësve të administratës gjyqësore, të gjykatave të shkallës së parë dhe të gjykatave të apelit. Ky vendimi u ndërmor në kuadër të ndryshimeve tërësore në legjislacionin e sistemit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë, me qëllim reformimin e këtij sistemi. Administrata e pushtetit gjyqësor nuk ka pësuar reformë në paga për një periudhë të gjatë kohore. Në këtë mënyrë nivelet e pagave në këtë administratë nuk krijojnë një motivim në punë të specialistëve e drejtuesve të tyre, gjë që ka ndikuar në realizimin në kohë e në cilësi të detyrave. Nga miratimi i strukturës dhe i niveleve të pagave të punonjësve të administratës gjyqësore në mënyrë të njëjtë me nëpunësit e tjerë të administratës publike do të përfitojnë rritje page 457 punonjës, ku përfshihen edhe specialistët e kompjuterëve (IT) dhe kryetarët e Degës së Buxhetit. Efekti ekonomik vjetor i llogaritur në buxhetin e vitit 2009 është në masën 129,806,847 lekë.

15 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›