E Diel, 1 Nëntor 2026

Zjarr në një pallat, evakuohen banorët, s’ka të lënduar



TIRANË- Një apartament është përfshirë nga flakët e zjarrit në Kamzë, pranë Institutit Bujqësor dhe ka vënë në panik banorët e pallatit. Sipas të dhënave nga vendi i ngjarjes, flakët janë parë në një apartament në katin e pestë të pallatit dhe fill pas kësaj, banorët të alarmuar kanë njoftuar zjarrfikësit. Në vend, kanë mbërritur me urgjencë tre automjete zjarrfikës, të cilët kanë nxjerrë fillimisht familjarët nga apartamenti. Mësohet se më pas, janë këshilluar të dalin edhe banorët e tjerë, pranë apartamentit të përfshirë nga flakët për të evituar problemet. Ndërkohë që forcat zjarrfikëse e kanë pasur më të lehtë të punonin për shuarjen e zjarrit dhe lokalizimin e tij. Deri tani, nuk bëhet fjalë për dëme apo të lënduar në njerëz, por flitet vetëm për dëme materiale, që mendohet se janë të konsiderueshme.
Policia nuk bën ende me dije shkaqet e rënies së zjarrit, ndonëse një nga dyshimet është shkëndija elektrike, që gjithsesi mbetet për t’u hetuar.

Vrau në vitin 2003, Fakti e dënon 20 vjet, Apeli i shton dhe 5 të tjera

Tiranë - Gjykata e Apelit ka dënuar me 25 vjet burgim Arben Murrjen, të akuzuar për vrasje me paramendim. Vendimi është marrë dje nga togat e zeza të kësaj gjykate, të cilat kanë ashpërsuar dënimin edhe me 5 vite më shumë sesa vendimi i dhënë nga Shkalla e Parë. Ngjarja për të cilën akuzohet Murrja ka ndodhur në 27 mars të vitit 2003 në qytetin e Birminganit, Angli. Sipas hetimeve, Murrja ka vrarë me thikë një bashkatdhetarin e tij, Arbër Jahelezi. Nga hetimi doli se viktima po ecte në brendësi të Cannon Hill Park, të qytetit të Birmingamit, në shoqërinë e dy miqve të tij. Pas një zënke me fjalë, Murrja, që ishte nën shoqërinë e 22-vjeçares angleze Karoline Loue, ka nxjerrë thikën nga brezi, duke goditur atë disa herë. Menjëherë pas kësaj ngjarjeje, i pandehuri është larguar nga qyteti i Birmingamit dhe më pas është rikthyer në Shqipëri.

Dështon arratisja e shqiptarëve nga një burg italian

Venecia - Dështon arratisja e shqiptarëve nga një burg italian. Dy të burgosur shqiptarë dhe një bashkëvuajtës i tyre në Itali, kanë dështuar gjatë natës, duke u gdhirë dita e sotme, në tentativën për t’u arratisur nga burgu i Santa Maria Maxhore-s në Venecia. Tre të burgosurit arritën që të hapnin një vrimë në murin e qelisë, ndërsa u pikasën nga rojet dhe u ndaluan, sapo kishin kapërcyer murin rrethues të burgut. Shqiptarët, emrat e të cilëve nuk bëhen publikë ishin të moshave 24 dhe 27 vjeçare dhe prisnin gjykimin, pasi ishin arrestuar për vjedhje, ndërsa moldavi, që ishte me ta, akuzohet për vrasje.

15 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›