Tenton të vrasë gruan, i pret damarët
DHUNA/ Elmaz Zoto është vënë në pranga pasi ka qëlluar me thikë bashkëshorten e tij 5-muajshe shtatzënë
40-vjeçarja vetëm pak ditë më parë kishte tërhequr një denoncim kundër të shoqit për dhunën e ushtruar
FIER - Dhunohet nga i shoqi në sy të dy fëmijëve gruaja 5-muajshe shtatzënë. Elvana Zoto është qëlluar nga bashkëshorti i saj me thikë, ndërsa ka tentuar që t'i japë fund jetës së saj duke i prerë damarët.
Dhunimi ka ardhur katër ditë pas nisjes së një konflikti dhe pas faljes së mëparshme që gruaja 40-vjeçare i kishte bërë babait të fëmijëve të saj, që me Elvanën kishte martesën e katërt.
Elvana Zoto është dhunuar nga i shoqi duke u qëlluar me thikë. Dhunimi fizik i saj ka qenë sistematik, ndërsa këtë radhë dëshmitarë kanë qenë edhe fëmijët, dhunohet nga burri i saj deri në masakrim të fytyrës, duke krijuar probleme serioze për jetën.
Shkak për ngjarjen mendohet të ketë qenë një akuzë e ngritur nga Elmaz Zoto, se gruaja e tij (shtatzënë në muajin e pestë), i kishte marrë 15 mijë lekë. Familja banon në lagjen "Sheq i Madh" në Fier.
40-vjecarja, nënë e një djali dhe një vajze, është dërguar urgjentisht në spital nga komshinjtë e saj, dhe sipas mjekëve ka qenë në gjendje të pavetëdijshme. Ndërhyrja e bluzave të bardha fatmirësisht është bërë në kohën e duhur, duke mbajtur në jetë gruan.
E pyetur lidhur me ngjarje, 40-vjeçarja rrëfen se i shoqi e kalonte kohën duke pirë dhe më pas ushtronte dhunë mbi të duke e rrahur.
Sherri, i cili dje arriti kulmin, sipas Elvanës, ka nisur për një shumë prej 15 mijë lekësh që kishin humbur dhe për të cilat Elmazi akuzonte bashkëshorten. Por mohimit të saj ai i është përgjigjur me shqelma e grushta, ndërsa gruaja i është drejtuar policisë.
Pas thirrjes në komisariat, burri është treguar i penduar dhe ka nënshkruar një dokument ku premtonte se nuk do ta përsëriste më dhunën ndaj së shoqes dhe më pas është lënë i lirë. "E tërhoqa denoncimin se kam fëmijë për të ushqyer, - thotë Elvana.
- Por ai e vijoi dhunën. Kot sa më shpëtuan mjekët, pasi unë nuk mund të jetoj më në këtë gjëndje". Ajo tregon se i shoqi e kishte thirrur sapo ishte kthyer nga puna. Në shtëpi ndodheshin edhe dy fëmijët: djali në klasë të parë dhe vajza e cila dje mbushte 5 vjeçe.
"I kam gjetur lekët, kështu që hyr, më tha. Por unë e dija që gënjente dhe nuk u afrova. Ai mori një gur e më qëlloi e pasi rashë në tokë, m'u afrua me thikë në dorë. Bërtita duke kërkuar ndihmë, sepse ai tentoi të më therte duke ma vënë thikën në fyt.
Më pas m'i mori duart dhe disa herë me tehun e saj tentoi të më priste damarët. Rashë dhe pas kësaj nuk ndjeva asgjë. Kam mësuar se një komshi është hedhur nga muri dhe ka hapur portën e mbyllur, nga më pas hynë njerëzit e më çuan në spital".
----------------------------------------------------------------------------------------------------------
Elvana thotë se këtë herë nuk do t'ia falë dhunën të shoqit. Ajo rrëfen se ai është martuar edhe 3 herë të tjera më parë dhe gratë janë larguar pikërisht për shkak të dhunës së tij. Ndërkohë, policia e njoftuar për ngjarjen ka bërë të mundur arrestimin e shtetasit Elmaz Zoto i cili akuzohet për "vrasje të mbetur në tentativë".
SHKODËR/ Tre shtetas kanë qëlluar që nga furgoni një automjet teksa ishin në lëvizje
Grinden, qëllojnë me armë dy vëllezërit
SHKODËR - Një autoveturë është qëlluar me armë zjarri nga disa persona që ndodheshin në një furgon të linjës Shkodër - Koman pasditen e djeshme. Devijimi i automjetit ka bërë që dy personat që ndodheshin në të t'u shpëtonin plumbave të drejtuar nga ata. Policia ndërkohë ka shpallur në kërkim shtetasit Aleksandër e Sokol gjonaj, si dhe Marash Palin (Picukun). Akuzat e ngritura ndaj tyre janë "kanosje" e kryer në bashkëpunim, "armëmbajtje pa leje" dhe "dëmtime të tjera me dashje".
Ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur Qafë-Gushtë në fshatin Koman të komunës Temal në Shkodër. Nga një automjet furgon "Benz" me targa SH 14 27 E , në të cilën ndodheshin tre vetë, është qëlluar me armë zjarri ndaj një autoveture, tip "BMV" me targa të huaja AJ 746 HK në pronësi të shtetasit Ndue Kodra, 35 vjeç.
Automjeti drejtohej nga vëllai i Ndues, 22-vjeçari Nark Kodra, nga fshati Pulaj i komunës Shllak. Në rrugën dytësore të Qafë-Gishtës, pasi kalon hidrocentralin e Komanit, autovetura është qëlluar me armë zjarri nga furgoni, në ecje e sipër.
Manovrimi i shpejtë i drejtuesit të autoveturës ka bërë që plumbat të mos dëmtojnë dy vëllezërit Kodra, por vetëm mjetin. Këta të fundit kanë lajmëruar policinë, e cila ka shkuar në vendin e ngjarjes.
Sipas bluve, autorë të kanosjes janë vëllezërit Aleksandër Gjonaj, 30 vjeç dhe Sokol Gjonaj, 36 vjeç, banues në Koman, si dhe Marash Pali (Picuku), banues në lagjen "Mark Lula" në Shkodër, të cilët ndodheshin në furgon.
Këta tre persona dhe dy vëllezërit Kodra kishin pasur një konflikt mes tyre në mëngjesin e djeshëm, konflikt që lidhej me radhën e lëvizjes së automjeteve të tyre në një rrugë të ngushtë.
Furgoni nga i cili është qëlluar drejt autoveturës ku ndodheshin vëllezërit Kodra, është furgon që bën linjën Shkodër- Koman dhe mësohet se në momentin e konfliktit të parë, ata nuk kanë pasur armë me vete, por më pas e kanë gjetur atë dhe kanë ruajtur momentin kur do të takonin dy vëllezërit Kodra.
Policia ka bërë shpalljen në kërkim të Aleksandër e Sokol Gjonajt, si dhe të Marash Palit (Picukut) dhe po punon për kapjen e tyre. Akuzat e ngritura për ta janë "kanosje serioze e kryer në bashkëpunim", "armëmbajtje pa leje" dhe "dëmtime të tjera me dashje".