E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mjeshtri 12-vjeçar i vjedhjeve

22/05/2009  Markelian Cungu e qindra grabitje

“Bën kërdinë” nëpër shtëpi

TIRANE- Minoreni 12-vjeçar Markeljan Cungu, i cili njihet si një mjeshtër i frikshëm i vjedhjeve dhe plaçkitjeve pafund në Tiranë, Durrës dhe gjetkë, është zbuluar të godasë sërish. Ndërsa vetëm pak javë kishte që kishte përfunduar në dhomat e shoqërimit të policisë së Tiranës, dje Markeliani u gjend si autor i një tjetër vjedhjeje banese. Burime të komisariatit të policisë nr. 5 Tiranë, thanë se në sajë të një pune hetimore dhe profesionale bënë të mundur dokumentimin ligjor të një vjedhjeje të ndodhur ditën e djeshme në zonën e Bathores. Nga verifikimet, u provua se Markeliani i ka vjedhur një banori vendas, brenda në banesë shumën e parave prej 600 mijë lekësh, 300 euro dhe 70 dollarë. Ndërkohë që fill pas denoncimit të të dëmtuarit si dhe nga kryerja e veprimeve hetimore, u bë e mundur zbulimi, vendndodhja dhe kapja e autorit të kësaj vjedhjeje, i cili dyshohet të jetë i mituri Markeljan Cungu, 12 vjeç, banues në Allias. Burime pranë policisë thanë se materialet në ngarkim të të miturit do t’i kalojnë Prokurorisë së Tiranë, për të bashkëlidhur të gjitha procedimet në ngarkim të tij, sepse dyshohet për kryerjen e një sërë vjedhjesh të ndryshme të ndodhura në kryeqytet e vende të tjera. Arrestimi i Cungut vjen 4 muaj pasi ai kishte lënë qelinë e burgut të fëmijëve.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›