Hida, në kërkim për disa krime në Tiranë
I KËRKUARI/ 28-vjeçari u vu në pranga dy ditë më parë nga policia e kryeqytetit
TIRANË - Flamur Hida, i arrestuar dy ditë më parë nga policia në një operacion të posaçëm, dyshohet të jetë autor i disa krimeve të rënda në kryeqytet, të cilësuara ende të pazbardhura.
Lajmi është bërë i ditur nga burime zyrtare të Policisë së kryeqytetit. Ato pohuan se 28-vjeçari Hida, banues në Tiranë, është një nga ish-pjesëtarët e Bandës së Yzberishit, që ka vazhduar veprimtarinë e tij kriminale edhe pas shkatërrimit të bandës nga policia pas trazirave të vitit 1997.
Policia nuk ka pohuar konkretisht krimet për të cilat dyshohet se mund të ketë kryer 28-vjeçari gjatë kohës që ka qenë në kërkim, por fakti që të kërkuarit i janë gjetur tri pistoleta: "Belgium", "Bereta", "TT" dhe një automatik "Skorpions" të vë në dyshime.
Si pjesëtar i Bandës së Yzberishtit, Hida është dënuar për grabitjen me pasojë vdekjen e biznesmenit italian Stefano Rosi, gjatë vitit 1997. Ndërsa në vitin 2002 ai është dënuar me 20 vite burgim për grabitjen me armë të Bedri e Agim Agos.
Ndërkaq, për plagosjen e Aqif Lamit dhe veprën e mbajtjes pa leje të armëve ai është dënuar me pesë vite burg. Pas arrestimit të tij, Hida përveç vuajtjes së tri dënimeve që në total janë 38 vjet, duhet t'i nënshtrohet hetimit në cilësinë e personit të dyshuar për krime të rënda të cilat po hetohen tashmë nga policia dhe prokuroria.
Të gjetura në shtëpinë e Hidës
Një armë zjarri automatike tip Skorpions
Një pistoletë mod - 54, me një krëhër me 7 fishekë;
Dy silenciatorë
Një pistoletë "Belgium" me një krëhër me 11 fishekë;
Një pistoletë "Bereta", me një krëhër me 4 fishekë;
Një pistoletë elektrike (paralizues elektrik)
Dy krehër pistolete me 8 fishekë
106 copë fishekë pistolete të kalibrave të ndryshëm,
Një kallëp tritoli së bashku me kapsollën elektrike.
Një certifikatë personale false