E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Gërdeci" ndëshkon Partinë Republikane, nuk i jep asnjë votë

Partia Republikane nuk ka marrë asnjë votë në qendrën e votimit në Gërdec, ndërsa demokratët kanë mundur të mbledhin 120 vota. Partia Socialiste rezulton të ketë marrë në këtë qendër votimi vetëm 76 vota. PAD-ja e Cekës ka marrë vetëm 3 vota, PDK-ja e Ndokës 1 votë, LSI-ja e Metës 1 dhe partia e Ngjelës, PLD, vetëm 3 vota. Këtë rezultat Partia Demokratike e ka vlerësuar si sukses dhe një shuplakë të fortë për socialistët, të cilët e përdorën sipas Majlinda Bregut, si slogan kryesor për fushatën elektorale. Në një deklaratë për shtyp, zëdhënësja e PD-së, Bregu, u shpreh se një nga hallkat kryesore të PS-së për të fituar zgjedhje, "Gërdeci" u kthye në misionin e pamundur të fushatës socialiste. "Nuk është ky vetëm një rast për të përmendur dhe për të theksuar se çfarë ka ndodhur në një qendër votimi, por besoj për simbolikën të cilën, forca opozitare u përpoq ta përcjellë gjatë gjithë fushatës zgjedhore dhe sigurisht për atë frymë të cilën u përpoqën të transmetonin tek njerëzit, tek zgjedhësit, tek qytetarët shqiptarë, që nga momenti i tragjedisë së Gërdecit. Tani politika e tyre e nihilizmit dhe politika e mashtrimit dhe e talljes me vdekjen, nuk ka funksionuar as në Gërdec", nënvizoi Bregu. Qendra e votimit nr. 1560 në Gërdec merr vëmendje të veçantë për shkak të tragjedisë që ndodhi atje një vit më parë, ku shpërtheu një depo e demontimit të municioneve. Nga ky shpërthim humbën jetën 26 persona, u plagosën mbi 300 vetë dhe humbën shtëpitë e tyre qindra të tjerë. Pas këtij shpërthimi, ministri i Mbrojtjes i asaj kohe, kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, dha dorëheqjen nga posti dhe ndaj tij nisën hetimet nga Prokuroria e Përgjithshme. Hetimet nisën edhe ndaj shumë zyrtarëve të Ministrisë së Mbrojtjes, ndërkohë që opozita e trajtoi gjerësisht këtë çështje, duke deklaruar se shpërthimi zbuloi aferat korruptive të qeverisë, pjesë e të cilave, sipas PS-së, janë edhe familjarët e Kryeministrit Berisha. Pavarësisht kësaj tragjedie, Partia Republikane u aktivizua sërish, duke dalë në takime elektorale nëpër Shqipëri. Teksa kërkuan votat, drejtuesit e saj thanë se ajo ishte për një jetë më të sigurt. Duket se kjo betejë nuk ka shërbyer shumë për republikanët, të cilët në këto zgjedhje kanë marrë ndëshkim nga banorët e Gërdecit. Ndryshe nga zgjedhjet e mëparshme, Partia Republikane, bazuar në kutitë që janë numëruar, ka një rezultat të ulët. Në vitin 2005, bazuar edhe në skemën e "megadushkut", kjo parti arriti të marrë një numër prej 11 mandate deputetësh. Nga ajo çka u bë publike deri mbrëmë, republikanët nuk kanë aspak gjasa të marrin sërish kaq deputetë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›