E Diel, 1 Nëntor 2026

Ja detyrat që realizoi policia për zgjedhjet

Policia shqiptare duket se e ka kaluar testin edhe kësaj radhe, duke plotësuar një sërë detyrash, të lehta e të vështira, me qëllim që në proces të mos regjistrohet asnjë incident. Si rrallëherë, për shkak të masave të marra, nuk është regjistruar asnjë incident i rëndë. Një sërë detyrash të rëndësishme i ishin ngarkuar Policisë së Shtetit për të ruajtur standardet, duke e detyruar për 48 orë që të mos bëjë një sy gjumë. Detyrat që realizoi policia ishin të shumëllojshme, nga ato të shoqërimit të kutive të votimit, ruajtja e objekteve zgjedhore, e deri te masat e marra në pikat kufitare, me qëllim që t‘u krijojnë lehtësime emigrantëve, që kanë ardhur për të hedhur votën. Madje, për këto detyra, punonjësit e policisë morën edhe përgëzime të veçanta nga faktorë kombëtarë dhe ndërkombëtarë, si edhe nga forcat më të mëdha politike në Shqipëri.
Masat e para
dhe emigrantët
Masat e para të marra nga policia kanë pasur të bëjnë me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Fillimisht, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, në bazë të planit të masave ka bërë shpërndarjen e plotë të punonjësve të policisë që u morën me sigurinë e procesit zgjedhor të datës 28 qershor. Në shërbim u përfshinë rreth 5 500 punonjës policie, të cilët janë paraqitur pranë KZAZ-ve dhe qendrave të votimit, ku një pjesë e tyre kanë marrë në dorëzim qendrat e votimit. Por, edhe pjesa tjetër e policisë ka ruajtur rendin dhe sigurinë larg qendrave të votimit, ku nuk kanë munguar ngjarje të rënda, por jo me motive politike. Ndërkohë, gjatë tri ditëve të fundit para zgjedhjeve, fluksi i emigrantëve që janë kthyer në Shqipëri nëpërmjet pikave të kalimit kufitar është rritur. Në prononcimet e tyre, ata deklaronin se ishin kthyer për të votuar dhe ato tri ditë numri i shtetasve që kanë hyrë në Shqipëri ishte 36 mijë 712 veta. Duke parë këtë interes, policia mori përsipër që në pikat e kalimit kufitar, si Kapshticë, Kakavijë, Qafëbotë të shtojë sportelet e punonjësve të policisë kufitare, për të siguruar një kalim sa më të shpejtë e pa vonesa. Gjithashtu, për të garantuar një mbarëvajtje të rregullt të procesit zgjedhor, policia ftoi të gjithë qytetarët të denoncojnë në numrat e telefonit 129 dhe 126, rastet kur konstatohen shkelje të rënda të procesit, si kur kryhen nga qytetarët, ashtu edhe nga punonjësit e policisë. Madje, ato ditë, policia i siguroi qytetarët dhe opinionin publik se është e vendosur të sigurojë një proces normal votimi, në përmbushje të detyrave të saj ligjore.

Procesi i zgjedhjeve
dhe roli i policisë
Pas premtimit të bërë erdhi edhe puna më e madhe e policisë, ajo për të cilën ishte trajnuar për më shumë se një muaj. Kështu, shërbimet e trajnuara të policisë kanë marrë në ruajtje gjithë qendrat e votimit në të gjithë vendin. Kështu, policia ka organizuar ruajtjen e qendrave të votimit gjatë natës para ditës së votimit, duke filluar nga momenti kur në to kanë mbërritur materialet zgjedhore, deri në momentin kur KQV-ja filloi veprimet paraprake për çeljen e votimit në datë 28 qershor 2009. I gjithë personeli policor i angazhuar me detyra zgjedhore, ishte i pajisur me dokumentin e posaçëm të identifikimit, i cili përmbante fotografinë, gradën, emrin dhe mbiemrin e punonjësit të policisë, numrin kodik, si dhe numrin e qendrës së votimit, ose KZAZ-ve dhe VNV-se. Ato u morën në mbrojtje nga ora 20.00 e së shtunës deri në orën 08.00 të së dielës, ku fatmirësisht nuk u regjistrua asnjë incident. Gjatë votimit, policia mbajti distancë nga qendrat e votimit dhe ndërhyri në to vetëm me vendim unanim të komisioneve përkatëse. Kjo ndërhyrje e forcave të policisë nuk ka qenë shumë e nevojshme, pavarësisht se nuk kanë munguar disa raste sporadike. Ndërsa me mbylljen e votimit, kryetarët e KQV-ve (Komisionet e Qendrave të Votimit), njoftuan organet e policisë dhe KZAZ-në, duke i kërkuar të dërgojë në KQV punonjësin e policisë, i cili është efektiv i përhershëm i Policisë së Shtetit. Ky punonjës policie shoqëroi kutitë e votimit dhe kutinë e materialeve zgjedhore. Këtu ka përfunduar puna e vështirë e policisë dhe e vetmja detyrë ka mbetur ruajtja e objekteve të KZAZ-ve dhe QNV-ve, deri në përfundimin e plotë të numërimit të votave, ku përmbyllet edhe ky proces zgjedhor.

Procesi

Si e realizoi policia
shoqërimin e votave

- Me mbylljen e votimit, kryetari i KQV-së njoftoi Komisariatin e Policisë dhe KZAZ-në, duke i kërkuar të dërgojë në KQV punonjësin e policisë, i cili është efektiv i përhershëm i Policisë së Shtetit, që shoqëroi kutitë e votimit dhe kutinë e materialeve zgjedhore
- Shoqërimi i kutive të votimit dhe i kutisë së materialeve zgjedhore nga KQV-ja në Vendin e Numërimit të Votave u bë me automjete, në të cilat ndodheshin anëtarët e KQV-së, sekretari i KQV-së dhe një punonjës i Policisë së Shtetit
- Gjatë shoqërimit, kutia dhe materialet e tjera zgjedhore u administrua vetëm prej kryetarit, zëvendëskryetarit dhe anëtarëve të KQV-së. Punonjësi i forcave të policisë nuk kishte të drejtë në asnjë rast që të posedojë, apo të ketë kontakt me materialet e mësipërme
- Punonjësi i policisë, i ngarkuar me detyrën e shoqërimit të kutive të votimit dhe kutisë së materialeve zgjedhore nga Qendra e Votimit në VNV, kishte për detyrë garantimin për mosprekjen e kutive të votimit nga të tretët
- Pas procesit të dorëzimit të materialeve zgjedhore, punonjësi i policisë firmosi procesverbalin e marrjes në dorëzim, sipas modelit të miratuar nga KQZ-ja, mori një kopje të procesverbalit dhe u largua menjëherë nga ndërtesa e KZAZ-së. Procesverbali së bashku me raportin e shërbimit u dorëzuan në komandën e strukturës, ku punonjësi i policisë bënte pjesë

Deklarimi i zëvendëspresidentit të OSBE-së, Volfgang Grosnik

Misioni i vëzhguesve, vetëm
vlerësime pozitive për policinë

Përfaqësuesit e misioneve ndërkombëtare që monitoruan zgjedhjet në vendin tonë, në raportin e tyre paraprak, i cili përgjithësisht ishte mbushur me jo pak të meta për procesin zgjedhor, iu përgjigjën edhe interesimit të mediave për rolin e policisë. Pyetjes se si e vlerësojnë ata qëndrimin e policisë gjatë këtyre zgjedhjeve dhe a ka pasur probleme me përfaqësues të tyre, iu përgjigj zëvendëspresidenti i OSBE-së, Volfgang Grosnik. Sipas tij, vlerësimi i njëzëshëm i vëzhguesve për policinë është pozitiv. Gjithashtu, ai shtoi se as nga vëzhguesit e saj, por as nga palë të tjera pjesëtare në zgjedhje, "OSBE, nuk është informuar për asnjë problem që ka lidhje me policinë". Faktikisht, roli pozitiv dhe profesional i uniformave blu në këtë proces është vlerësuar edhe nga forcat politike, përveç ndonjë rasti sporadik, si ai i ndalimit fillimisht të mitingut përmbyllës të Partisë Socialiste, përballë selisë së Këshillit të Ministrave. Të 5500 forcat policore që u inkuadruan gjatë ditëve të zgjedhjeve janë trajnuar pikërisht nga misionet policore të ndërkombëtarëve që vëzhguan procesin. Përfaqësitë e huaja policore që operojnë në Shqipëri, PAMECA dhe ICITAP përpara pak kohësh njoftuan zyrtarisht se gjatë ditës së procesit zgjedhor në datën 28 qershor të këtij viti, do të kenë përfaqësuesit e tyre në çdo rreth të vendit për të monitoruar policinë shqiptare se si do t‘i kryejë funksionet e saj të përcaktuara edhe në Kodin Zgjedhor. Menjëherë pas tyre, drejtori i përgjithshëm i Policisë, Ahmet Premçi, nuk la ditë pa u artikuluar vartësve të tij në gjithë vendin paralajmërimin e prerë: "Në rast se në këto zgjedhje konstatohen shkelje nga ana e efektivave policore, ndëshkimet do të jenë të rënda…"

Rregullorja

Lejimi i policisë për të
hyrë në Qendrat e Votimit

- Kur në Qendrën e Votimit rrezikohet rendi ose zhvillimi i rregullt i votimit, KQV-ja pezullon votimin dhe merr vendim për thirrjen e organeve të Policisë së Shtetit. Ky vendim i njoftohet menjëherë KZAZ-së.
- Me marrjen e vendimit, kryetari, zëvendëskryetari ose çdo anëtar i KQV-së njofton menjëherë KZAZ-në për incidentin e ndodhur. KZAZ-ja, pasi shënon në Librin e Protokollit të Mbledhjeve njoftimin dhe orën e marrjes së vendimit, ia përcjell kërkesën menjëherë organeve të Policisë së Shtetit.
- Vendimi për kërkimin e ndihmës për vendosjen e rendit, u paraqitet me shkrim organeve të Policisë së Shtetit dhe përmban përshkrimin e shkurtër të shkaqeve dhe rrethanave.
- Sapo forcat e policisë paraqiten në qendrën e votimit, KQV-ja u dorëzon atyre menjëherë kopje të vendimit për thirrjen e policisë për të ndërhyrë.
- Me rivendosjen e rendit në qendrën e votimit, KQV-ja me vendim u kërkon forcave të Policisë së Shtetit të largohen

Deklarata

Paralajmërimet e Prençit,
nëse do të kishte abuzime

Që në fillim, kreu i policisë kishte paralajmëruar se policia duhej të tregohej sa më korrekte në zbatimin e detyrave të saj, pasi të gjithë rrezikonin që jo vetëm të përjashtoheshin nga kjo strukturë, por edhe të ndiqeshin penalisht. "Policia e Shtetit është e depolitizuar dhe kështu duhet të mbetet, prandaj asnjë punonjës policie nuk duhet të përzihet në afera abuzive gjatë procesit zgjedhor", ka qenë paralajmërimi i kreut të policisë shqiptare, Ahmet Prençi për të gjithë punonjësit, të cilët janë angazhuar me mbarëvajtjen e këtij procesi, që është futur në çdo broshurë të shpërndarë tek uniformat blu të trajnuara.

Dorëzimi i materialeve,
pa asnjë problem

Në përfundim të të gjithë procesit zgjedhor, policia arriti të dorëzojë pranë KZAZ-ve të gjitha materialet zgjedhore dhe kutitë e votimit pa asnjë problem. Policia e Shtetit deklaroi se në orët e para të mëngjesit të djeshëm ka mundur të përfundojë procesin e transportimit të materialeve zgjedhore, duke dorëzuar 4772 kuti votimi. Sipas të dhënave policore, ky proces ka dashur kohë të mjaftueshme edhe për shkak të mosmarrëveshjeve që kanë pasur në disa raste me njëri-tjetrin anëtarët e Komisionit të Qendrave të Votimit. Madje, deri në mesnatën e së dielës, policia kishte mundur të dorëzonte vetëm 4373 kuti votimi, duke mbetur pa dorëzuar 399 të tjera. Por, gjatë orëve të para të mëngjesit të djeshëm, është mundësuar edhe dorëzimi i gjithë materialeve të tjera zgjedhore, duke e përmbyllur me sukses këtë mision.

Kutitë e transportuara

Kukës 217
Shkodër 420
Lezhë 245
Dibër 318
Durrës 345
Tiranë 823
Elbasan 550
Korçë 430
Fier 485
Berat 311
Vlorë 345
Gjirokastër 283

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›