KSHH: Problemet që vumë re në procesin zgjedhor
Komiteti Shqiptar i Helsinkit, një ditë pas zhvillimit të zgjedhjeve ka hartuar një raport në lidhje me ecurinë e zgjedhjeve deri më tani. Sipas këtij raporti në përgjithësi, zgjedhjet kanë ecur mirë, por nuk mund të lihen pa përmendur edhe disa probleme të quajtur të vogla. Sipas raportit janë konstatuar raste të vështirësive të karakterit tekniko-organizativ për zgjedhësit që kërkonin të pajiseshin me karta identiteti. Në takimet që vëzhguesit tanë kanë pasur me këta zgjedhës dhe sipas vëzhgimit në vend, kanë rezultuar raste të ndërprerjes së punës, vonesa dhe sorollatje të qytetarëve, mungesë të energjisë elektrike etj. Në lidhje me listat e zgjedhësve, në raport thuhet se është konstatuar se, listat paraprake dhe sidomos listat përfundimtare të zgjedhësve janë shpallur me vonesë, ndërsa sensibilizimi i zgjedhësve për njohjen me këto lista duhet të ishte më intensiv. Lidhur me fushatën zgjedhore, raporti i KSHH thotë se janë konstatuar se partitë politike, gjatë kësaj fushate, në raport me fushatat e tjera, kanë shpalosur më mirë alternativat dhe programet e tyre, si dhe kanë pasur tone më pozitive. Gjithashtu, në disa mitingje me elektoratin dhe debatet televizive nuk ka munguar edhe gjuha joetike apo gjuha e urrejtjes. Lidhur me listat shumëemërore të kandidatëve, konstatojmë se, në listat e kandidatëve figurojnë kandidatë me detyrë kryetarë të njësive bashkiake ose komunave, si dhe prefektë që kandidojnë në vendet e tyre, për të cilët rezulton se nuk janë larguar nga detyra në momentin e kandidimit, në zbatim të nenit 69 të Kushtetutës.