E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA dhe BE: Zgjedhjet, të qeta, por me probleme

Ndërkohë që në Shqipëri vazhdon procesi i numërimit të votave të së dielës për zgjedhjet e përgjithshme në vend, nga Brukseli vijnë deklaratat dhe vlerësimet e para, të bazuara në raportin paraprak të vëzhguesve ndërkombëtarë. "Top Channel" konstatoi se i pari që ka reaguar ka qenë komisioneri europian, Olli Rehn, i cili i pati këshilluar disa herë rresht shqiptarët të mos aplikojnë për statusin e vendit kandidat pa mbaruar punë me zgjedhjet e pa garantuar realisht zhvillimin e lirë dhe të ndershëm të tyre. "Mësova mbi konkluzionet paraprake të OSBE/ODIHR-it, të cilat vlerësojnë se është shënuar progres në disa fusha. Gjithsesi, këto përmirësime u errësuan nga politizimi i aspekteve teknike të procesit të zgjedhjeve dhe njësoj nga dhuna gjatë fushatës. Dita e zgjedhjeve ishte përgjithësisht e qetë dhe paqësore, pati dhe përmirësime të lehta në lidhje me procesin e votimit, megjithëse u vëzhguan disa shkelje të procedurave", rimori Rehn përmbledhjen e raportit të vëzhguesve. "Jam dakord me deklaratën e OSBE/ODIHR-it se vlerësimi përfundimtar nuk mund të bëhet pa kompletimin e numërimit të votave. Gjithsesi, këto zgjedhje nënvizojnë qartë nevojën që lidershipi politik shqiptar, përtej linjave të partisë, të punojë fort në mënyrë që të zhvillojnë në të ardhmen zgjedhje të cilat duhet të plotësojnë krejtësisht standardet ndërkombëtare dhe të kenë besim të lartë të publikut të votuesve shqiptarë", vlerësoi Rehn. Një tjetër deklaratë erdhi nga zyra e përfaqësuesit të lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri në BE, Havier Solanës. "Mirëpresim përmirësimet e përgjithshme që u arritën të dielën. Ndërsa presim rezultatin përfundimtar, inkurajojmë të gjitha palët të riafirmojnë angazhimet e tyre ndaj reformave të nevojshme, përfshirë kapacitetet e duhura administrative për të garantuar zbatimin e këtyre reformave", vlerësohet në deklaratën e lëshuar nga zëdhënësja Christina Gallach. Brukseli i kishte cilësuar zgjedhjet parlamentare në Shqipëri si testi lakmues për afrimin e mëtejshëm të vendit në BE. Nga raporti përfundimtar i vëzhguesve të huaj do të varet dhe fati i rrugës europiane të Shqipërisë, e cila duhet të përmbushë kriterin politik për të avancuar më tej drejt unionit. Sakaq, po dje reagoi edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, John Withers. "Dëshiroj të shfrytëzoj këtë mundësi për të përgëzuar popullin shqiptar për zgjedhjet e djeshme parlamentare dhe të ofroj vlerësimin për zgjedhjet që, në përgjithësi, ishin të miradministruara dhe të qeta", konstatoi Withers. Tani, tha ai, presim përfundimin e numërimit të votave, si dhe zyrtarizimin e rezultateve në një mënyrë po kaq të rregullt. Sipas tij, Misioni Ndërkombëtar i Monitorimit të Zgjedhjeve ka prodhuar një raport paraprak të mirëmenduar dhe objektiv që i karakterizon këto zgjedhje si përmirësim krahasuar me praktika të mëparshme, por që edhe shpreh shqetësim në lidhje me mangësi që mbeten në proces. "Jam në një mendje me këto gjetje dhe nxis autoritetet shqiptare të ndërtojnë mbi suksesin e djeshëm për të përmbushur standarde më të larta dhe më kërkuese ndërkombëtare në votime të ardhshme", theksoi Withers. Ai përsëriti përgëzimin për popullin shqiptar, lidhur me pjesëmarrjen e lartë dhe ofroi urimet e tij më të mira për të ardhmen.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›