E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD dhe PS përplasen për komisionerët

Partia Demokratike dhe Partia Socialiste kanë replikuar dje me njëra-tjetrën, nëpërmjet konferencave për shtyp nga selitë respektive në lidhje me tërheqjen ose jo të komisionerëve. Partia Demokratike, nëpërmjet zëdhënëses së saj, Majlinda Bregu, i bëri thirrje Partisë Socialiste që t‘u kërkojë komisionerëve të saj të vazhdojnë procesin e numërimit dhe të mos largohen nga KZAZ-të. "I bëjmë thirrje kryetarit të PS-së, Edi Rama, t‘u kërkojë njerëzve të tij, numëruesve të votave nëpër KZAZ, sidomos në Qarkun e Shkodrës dhe Durrësit, të reflektojnë, pasi në disa KZAZ janë evidentuar probleme, numëruesit, përfaqësues të PS-së kanë braktisur qendrat në të cilat po bëhet administrimi dhe numërimi i procesit të votimit", u shpreh Bregu në konferencën e saj. Në vijim të deklaratës, Bregu nënvizoi se "nëse është lodhje, pikërisht nga frika e dështimit, apo është lodhje fizike, apo sidoqoftë, për përfaqësuesit e PS-së, unë jam këtu për t‘u bërë thirrje që të vazhdojnë të ndjekin procesin e numërimit të votave, është garanci për votat e tyre dhe sigurisht që është një detyrë të cilën e kanë marrë përsipër, duke respektuar deri në fund ligjin". Duke shprehur bindjen për fitoren e së djathtës, zëdhënësja e selisë blu deklaroi se "në një moment të tillë, kur fitorja e Aleancës për Ndryshim po konsolidohet në të gjithë Shqipërinë dhe nuk ka më asnjë dyshim, besoj se edhe Rama duhet t‘i përmbahet asaj deklarate që ka bërë dje: që është shumë e rëndësishme që në Shqipëri kanë fituar standardet dhe se ai vetë nuk ka asgjë për të kundërshtuar për këtë proces zgjedhor". Deklarata e zëdhënëses së Partisë Demokratike është kundërshtuar menjëherë nga zëdhënësja e Partisë Socialiste, Armela Imeraj. Në një dalje për mediat ajo deklaroi se "nuk ka asnjë rast që përfaqësuesit e Partisë Socialiste të jenë larguar nga komisionet e numërimit, përveçse kur të gjitha palët kanë rënë dakord të bëjnë pushim pas një nate shumë të gjatë". Imeraj tha më tej se, "informojmë selinë blu, e cila duket totalisht e shkëputur nga realiteti se në zonën e Babrrusë, të Paskuqanit apo në Gjirokastër mediat kanë regjistruar pamje të turpshme të komisionerëve demokratë gjatë procesit të numërimit. I bëjmë thirrje KQZ-së të garantojë procesin e numërimit, i cili po zvarritet jashtë çdo afati të përcaktuar në Kodin Zgjedhor". Në lidhje me avantazhin e pretenduar nga PD-ja në zgjedhje, zëdhënësja e selisë rozë shprehet se "ka vetëm një avantazh që konsolidohet dhe vetëm një fitore që qartësohet ora-orës, fitorja e Partisë Socialiste". Gjithashtu në emër të PS-së, zëdhënësja Imeraj i bëri thirrje Kryeministrit Berisha që të vazhdojë të ruajë qetësinë dhe të kërkojë të njëjtën gjë nga njerëzit e tij. "Numërimi duhet të vazhdojë dhe askush nuk duhet ta çojë nëpër mend se ka qoftë edhe një shans të vetëm, që verdikti i popullit sovran të cenohet duke penguar numërimin", tha Imeraj. Ajo theksoi më tej se Partia Socialiste u kërkon të gjithë vëzhguesve ndërkombëtarë e të brendshëm që të jenë sa më pranë popullit shqiptar në këto orë vendimtare, kur duhet të lexohet çdo votë. Duke u ndalur te konferenca për shtyp e misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR-it, Partia Socialiste thekson se fatkeqësisht, edhe një herë ndërkombëtarët na treguan se Shqipëria nuk ka përmbushur standardet e kërkuara. Ndaj, thekson selia rozë, i bëjmë thirrje Kryeministrit Berisha të dëgjojë me vëmendje dhe të asimilojë vërejtjet e OSBE/ODIHR në raportin e dhënë pak minuta më parë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›