E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plan për të rishikuar çmimin e trojeve për kompensim

Kryeministri Berisha kërkoi dje nga ministri i Drejtësisë dhe ai i Financave të nisin procesin e rishqyrtimit të hartës së çmimit të tokave, duke theksuar se rishikimi i çmimeve do të bëhet pas një vëzhgimi e hetimi serioz e të përgjegjshëm. Edhe pse kompanitë e shitblerjes së pronave tregojnë se çmimi për metër katror në Tiranë ka arritur mbi 150 mijë lekë, në hartën aktuale të qeverisë, vlera e kompensimit nuk shkon më shumë se 75 mijë lekë. Për këtë qëllim, Kryeministri vlerësoi mundësinë e rishikimit të çmimit të tokës që do të përdoret për kompensim.

"Zoti ministër i Drejtësisë, do të sillet urgjentisht harta e çmimeve dhe zoti ministër i Financave agjentët tatimorë në mbarë Shqipërinë do të ndërmarrin hetimin e çmimeve të tregut dhe harta e çmimeve do të dalë mbi bazën e hetimit serioz dhe me përgjegjësi të plotë", tha Berisha. Sipas tij, në disa rrethe çmimi real i tokës është shumë herë më i ulët, në krahasim me çmimin e përcaktuar nga qeveria. Organi tatimor, tha Kryeministri, do të bëjë një hetim periodik të çmimeve të tregut, mbi bazën e të cilit do të përcaktohet edhe harta e çmimit të tokës.

"Çështja e çmimeve të tregut nuk mund të bëhet pengesë as për investimet dhe as për tregun e tokës. Ky do të jetë një hetim periodik. Do të vendoset një rregull që organi tatimor të bëjë hetimin e tyre dhe mbi bazën e tyre do të përcaktohet harta, pasi ajo lëviz, sot çmimet mund të jenë më të ulëta, nesër rriten dhe ne do t‘i rrisim", theksoi kreu i qeverisë.

Duke parë hartën e vlerës së kompensimit të tokës, vihet re se Tirana çmimin maksimal e ka 76.000 lekë për metër katror, kurse çmimin minimal e 16.000 lekë për metër katror. Problem për qeverinë vazhdon të mbetet identifikimi i tokave turistike dhe çmimi i kompensimit të tyre.

a.kola

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›