E Diel, 1 Nëntor 2026

Triumfi i Njeriut të ri të Socializmit

Për të mos krijuar ekuivokë, duhet shpjeguar që në rreshtin e parë, se socializmi për të cilin bëhet fjalë në këtë artikull, nuk ka lidhje me socializmin si ideologji ose si praktikë në shumë vende të botës, apo dhe me socializmin në emërtimin e një partie. Ai i referohet drejtpërsëdrejti parullës së diktaturës shqiptare: "Të krijojmë Njeriun e ri të Socializmit". Ndërsa duhet thënë menjëherë se socializmi i kësaj parulle nuk ka fare lidhje më teoritë e Marksit, Gramscit e deri te Giddens. Ai ishte një sajesë pak a shumë shqiptare, e cila nuk pati veç të këqija, por na la disa të këqija shumë të rrezikshme, siç është "Njeriu i ri i Socializmit". Njeriu, për të cilin bëhej fjalë në këtë frazë, nuk kishte fare lidhje me një njeri normal nga ana sociale. Ndryshimi i sistemeve do të bënte të kuptohej që ai, i cili promovohej si "Njeriu i ri i Socializmit", ishte një deformim social i logjikës, ndërgjegjes dhe mendjes së individit.

E gjitha kjo u shpalos pas viteve ‘90, kur fati i Shqipërisë ishte tashmë në dorë të të gjithë atyre që ishin rritur nën presionin e ideologjisë së "Njeriut të ri të Socializmit".

Në fakt, siç thotë edhe Zizek, ideologjia është në funksion kur nuk kupton se jeton me të, jo në fazën e propagandimit të saj, kur të gjithë janë të vetëdijshëm për propagandën dhe propaganda ka një ngjyrë a emër. Domethënë, ideologjia jeton kur ajo nuk përmendet më si e tillë, por është bërë pjesë e pandarë e jetës dhe arsyetimit të përditshëm. Gjithçka që po ndodh në sferën politike shqiptare të pas viteve ‘90 të bën të mendosh se, ajo çfarë propagandohej e mësohej në të gjitha mënyrat, "Njeriu i ri i Socializmit", është ulur këmbëkryq në realitetin e përditshëm shqiptar dhe logjika e tij është ajo që drejton logjikën e shumë prej nesh.

Në Shqipëri, "politika është buka që hamë e ajri që thithim, pa u bërë asnjëherë ajo që prodhon bukën dhe pastron ajrin e të gjithëve". Megjithëse ka një shpresë (sado të zbehur) që "të bijtë e shekullit të ri" do ta thyejnë këtë vazhdimësi më se 100-vjeçare, tani për tani vazhdon të jetë kështu. Kjo ishte ideja kryesore e artikullit të parë "Kultura jonë politike" (botuar në "Shqip", 19.07.2009), në të cilin trajtova masën e politikës në jetën tonë të përditshme dhe vazhdimësinë nga brezi në brez të një lloj kulture politike. Insistimi dhe në këtë artikull të dytë në kulturën politike rrjedh nga mundësitë që të japin elementët përbërës të këtij argumenti teorik, për të analizuar e kuptuar më mirë shoqërinë dhe sjelljet e saj në sferën politike.

Diktatura rreth 50-vjeçare shqiptare kishte një projekt madhor për të ardhmen e vendit: krijimin e një njeriu të ri; një projekt, në zemër të së cilit, dhe pse e pashprehur, qëndronte krijimi i një kulture politike të veçantë. Kur një regjim thotë që "do të krijojë një njeri", kuptohet nuk i referohet një krijese biologjike. Ajo çfarë e bën individin shtetas dhe mban lidhjen e tij me shoqërinë e shtetin, është kultura politike. Në fakt, ky nuk është një qëllim i panjohur për ideologji e regjime të ndryshme, por jo të gjithë arrijnë ta finalizojnë projektin e tyre. Një nga diktaturat më të verbra të Europës Juglindore, i ashtuquajturi "komunizmi shqiptar", pasi kishte përdorur e pastaj hedhur tej idealizmin dhe mundin e të majtëve të vërtetë shqiptarë, e më pas kishte ndrydhur e përdhunuar ata që mendonim ndryshe, vendosi se kishte ardhur koha të krijonte njeriun e vet. Ky njeri, një lloj i veçantë shtetasi, nuk ishte domosdoshmërish një diçka e re, krejt inovative. Po të ishte i tillë, vështirë se do të mund të zinte rrënjë në kulturën politike shqiptare, që ne vumë re se ndryshon shumë ngadalë. Kultura politike që injektohej për të krijuar shtetasin e ri, pra njeriun e ri, ishte një miks i disa instinkteve të vjetra shoqërore shqiptare, të programuara në gjuhë moderne. Së bashku me këto, i njohuri si "Njeriu i ri i Socializmit", kishte disa veti të fituara nga sistemi ku u brumos ose ku detyrimisht jetoi, bashkëpunoi apo edhe e mohoi. Ai/ajo nuk kishte ideale, sepse idealet nuk mund të ndërtonin një vend totalitarian në shërbim të një grupi të vogël njerëzish. "Njeriu i ri i Socializmit" nuk mund të ishte njeri me ide alternative, sepse ai ishte mësuar vetëm të shtypte idenë alternative. "Njeriu i ri i Socializmit" nuk kishte kurajo të ishte ndryshe, sepse formimin intelektual apo kulturor nuk e kishte nga mundi a suksesi vetjak, por nga posti që i jepte pushteti; ai nuk mund të ishte patriot, sepse kjo kuptonte të doje diçka më shumë se veten, por Njeriu i ri i Socializmit ishte i rritur me idenë e shkatërrimit të gjithçkaje të ndryshme nga vetja. Në këtë kuptim, ai ishte tallja dhe fyerja më e madhe që u bëhej të majtëve të vërtetë shqiptarë, anti-fashistëve, anti-nazistëve, idealistëve të barazisë, ëndërrimtarëve të një Shqipërie ndryshe. Ishte dënimi më i pamëshirshëm që mund t‘u jepej të gjithë nacionalistëve dhe persekutimi i paimagjinueshëm i liberalëve.

Megjithatë, për sa kohë që "Njeriu i ri i Socializmit" ishte një propagandë, një program, një plan, një eksperiment i papërfunduar plotësisht dhe përderisa idealistët, anti-fashistët, liberalët e vërtetë, të edukuarit dhe të rriturit në regjime të tjera akoma ishin aktivë, pavarësisht nga pozicioni ku ishin, nuk rrezikohej deformimi i përhershëm i kulturës politike. Në momentin që propaganda do të kthehej në praktikë, eksperimentit do t‘i hapej dera e laboratorit, plani do të shpëtonte nga dora e planifikuesit dhe, ç‘është më e rëndësishmja, ata që ishin rritur dhe edukuar në regjim tjetër do të plakeshin, do të fillonte dëmi i parevokueshëm. Dy janë elementët që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me funksionimin e kulturës politike: etika politike dhe percepsioni politik. Këta dy përbërës të kulturës politike, edhe pse identifikohen në grupe të ndryshme të shoqërisë, janë të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin. Percepsioni formon bazën e etikës politike të një individi, ndërsa etika politike ndikon percepsionin politik të tij edhe të të tjerëve. Etika politike mund të përkufizohet si bashkësia e sjelljeve dhe shprehjeve politike të një individi. Përfaqësuesit më të mirë të etikës politike të një shoqërie janë politikanët. Ndërkohë, percepsioni politik është bashkësia e reagimeve, vlerësimeve politike ose ndaj politikës së shtetasve në përgjithësi.

Etika politike e pas 28 qershorit demonstron më qartë se kurrë një deformim të një soji të veçantë të kulturës politike. Sipas këtij deformimi, të shpifësh, të mashtrosh, të gënjesh "miqtë" e tu më të afërt, bashkëpunëtorët dhe gjithashtu opinionin publik, është pjesë normale e politikës. Suksesi në politikë nuk varet nga cilësitë, dijet, aftësitë bashkëpunuese të një individi, por nga mjeshtëria për të gënjyer, për të mashtruar dhe për ta vazhduar këtë mashtrim pafundësisht. Mungesa e ndërgjegjes përbën një nga asetet më të rëndësishëm të suksesit në politikë, ndërsa forca e fyerjes dhe sharjes është çelësi i marrjes së posteve të rëndësishme. Fyerje publike të tipit "mbylle gojën ti surrat i qelbur", "foli ai i biri i ...", apo "flisni ju që jeni bijtë e kriminelëve, të poshtërve" etj., janë pjesë normale e zhargonit të politikanëve që sot na përfaqësojnë edhe si ministra. Të mos respektosh drejtësinë, t‘i shmangesh asaj, të festosh kur janë të pashpallura rezultatet e zgjedhjeve, pra të fyesh institucionet dhe qytetarin, janë pluse të tjera të karrierës politike të politikanëve shqiptarë. Të mohosh çfarë ke thënë dhe veçanërisht çfarë ke qenë, është një tjetër veti e bërjes politikë në Shqipëri, një nga cilësitë më të rëndësishme edhe të "Njeriut të ri të Socializmit". Të kesh çdo moment një maskë dhe të mos kuptohet kurrë fytyra apo ndjenja e vërtetë, përbën një element themelor për t‘u pranuar ose konfirmuar si politikan i suksesshëm.

Etika politike në Shqipëri ka arritur të vendosë në piedestal mashtrimin dhe manipulimin deri në pikën kur bëhet fjalë edhe për lirinë ose të ardhmen e vendit. Kundërshtimet ose kritikat ndaj veprave të ndryshme, politikave apo qëndrimeve të qeverisë, shpeshherë barazohen me dashakeqje të vendit: tip "armik i popullit". Në fakt, krijimi i armiqësive dhe ndasive është arti i performuar në shkallë maestrale nga "Njeriu i ri i Socializmit". Si mund të krijohej ndryshe lufta e klasave në një vend ku nuk kishte klasa?! Sot krijohen gjithfarë ndasish të tjera, vetëm e vetëm që të ruhet pushteti. Përkushtimi për të ardhmen europiane të Atdheut është bërë mbulesa më e paprekshme e pseudo-patriotizmit, që në fakt nuk do as Atdheun e as Europën, por vetëm veten. Po t‘i donte, nuk do mundohej të hynte në Europë pa pasur as më të thjeshtin standard europian: të paktën atë që ndalon të fyesh drejtësinë e të tallesh me shtetasit. Në të vërtetë, kush mund ta bënte këtë përveçse "Njeriut të ri të Socializmit", që mashtrimin e ka pjesë normale të jetës dhe prandaj, natyrisht, mendon se mund të mashtrohet edhe Europa, e cila është ndërtuar mbi gërmadhat që krijoi mashtrimi masiv dhe populizmi i shfrenuar, me bindjen për mos i lejuar kurrë më këto të ndodhin.

Kjo etikë politike merr formën e saj të plotë kur përputhet me percepsionin politik. Nëse grupe qytetarësh dhe aspirantësh në politikë mendojnë se politika është kështu dhe në politikë duhet të veprohet kështu, atëherë është deformuar edhe percepsioni politik. Qytetarët mund të jenë bindur për këtë, sepse tashmë janë të lodhur, ose sepse nuk kanë parë ndryshe. Aspirantët e politikës besojnë se në këtë mënyrë do të ecin përpara në politikë, sepse nuk kanë formimin e duhur profesional dhe shfrytëzojnë këtë lloj politike që s‘ka nevojë për formim kulturor e social, apo janë gati të bëjnë njësoj si më të "mëdhenjtë" në politikë, sepse nuk kanë parë ndryshe?! Ǒrëndësi ka kjo, kur tashmë ata janë të bindur se veç kështu mund të jesh i suksesshëm në politikën shqiptare. Që do të thotë se vetëm kështu mund të bëhesh i pasur shpejt e të kesh një jetë shumë komode në kurriz të të tjerëve. Aq më tepër nëse dhe pika të rëndësishme të reflektimit të opinionit publik, siç janë mediat, janë përfshirë në këtë vorbull mashtrimi e manipulimi pa kufi, atëherë çdo gjë kthehet në një rreth vicioz.

Ky triumf është shumë herë më i madh sa ai që mund të ndodhte në sistemin kur ideologjia e "Njeriut të ri të Socializmit" propagandohej. Sot kjo ideologji nuk propagandohet, por riprodhohet vetvetiu çdo ditë. E mira në mes të kësaj të keqeje të madhe është se, si gjithmonë, dhe në këtë rast ka të shpëtuar. Nëse ata që kanë shpëtuar, me ose pa vetëdije, pa u bërë viktima të kësaj ideologjie, do arrijnë të ngrenë zërin me durim dhe të ruajnë shpresën me insistim, ndoshta "Njeriu i ri i Socializmit" mund të lëkundet. Por, mashtrimi është më i thjeshtë se e vërteta, e manipulimi është më fitimprurës se realiteti. Në këtë kuptim janë shumë të pakët ata të cilëve u intereson zhdukja e "Njeriut të ri të Socializmit". Nëse ky farësoj njeriu do të përzehet nga piedestali i shoqërisë shqiptare, ndoshta mbas disa vitesh Europa do të na e hapë derën. Nëse jo, ajo do të vështrojë herë nga larg e herë nga afër. Nganjëherë dhe do dëgjojë ndonjë zë të mekur si Kostandini që kërkon Doruntinën tek vajton, por i pafuqishëm, si unë tani me vargjet e atij që para shumë vitesh i këndonte një historie e cila përsëritej pafundësisht dhe do të arrinte kulmin e saj me triumfin e "Njeriut të ri të Socializmit":

"...Ku e lam‘ e ku na mbeti/Vaj-vatani e mjer mileti/Anës detit i palarë/Anës dritës i paparë/Pranë sofrës i pangrënë/Pranë dijes i panxënë/Lakuriq dhe i dregosur/Trup e shpirt i sakatosur/Se ç‘e shempnë derbederët/Mercenarët dhe bejlerët/Se ç‘e shtypnë jabanxhinjtë/Se ç‘e shtrythnë fajdexhinjtë/Se ç‘e pren‘ e se ç‘e vranë/Ǒe shkretuan anembanë/Nënë thundrën e përdhunës/Anës Vjosës, anës Bunës...".

Kur këto vargje të jenë vetëm histori apo vetëm letërsi, mund të themi se shpëtuam nga "njeriu i ri". Për sot ato janë ende realitet, një realitet shumë më mbytës dhe i frikshëm se ai i dikurshmi.

atëhershmi...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›