"Kristo, një besimtar që nuk përfaqëson të tjerët"
Pas arrestimit të Artan Kristos nën akuzën e terrorizmit, besimtarët myslimanë në Durrës flasin pak për të dhe rolin e tij. Myftiu i xhamisë së Durrësit, Ilir Vokshi, deklaron se ngjarja ka lidhje me një këndvështrim personal të Kristos dhe nuk cenon komunitetin e besimtarëve, ndonëse pranon se i vjen keq që një besimtar përfshihet nën një akuzë të rëndë. Në xhaminë e Durrësit atmosfera ka qenë normale. Asgjë nuk ka ndryshuar në ritmin e riteve fetare përpos komenteve nën zë për ngjarjen. Prej një viti e gjysmë, Artan Kristo, që përdorte emrin Muhamed Abdullai për të shmangur dhe lidhjen e drejtpërdrejtë me një mbiemër që e largon nga besimi i tij, nuk i kryente më ritet fetare në këtë xhami. Ai e ka përqendruar të gjithë aktivitetin e tij në Shkozet, lagje periferike e Durrësit, atje ku ka çelur dhe një qendër besimi dhe kurative. Shumë prej besimtarëve të kontaktuar në xhaminë e Durrësit thonë se ai është një besimtar dhe jo një person problematik e do të jetë drejtësia që në bazë të provave do të vendosë mbi fajësinë e tij. Disa nuk e mohojnë faktin se kohë më parë Kristo ka pasur një përplasje me drejtuesin aktualë të Myftinisë së Durrësit, për shkak të parimeve të zbatimit të besimit fetar dhe kjo e distancoi prej tij. I pyetur për këtë, Vokshi thotë për gazetën se ajo ka qenë një përplasje personale që nuk ka asnjë lidhje me institucionin fetar që ai drejton dhe aq qëndrimet e Kristos. "Nuk kam ndonjë njohje të ngushtë apo afri personale me Kriston, që të mundem të deklaroj gjë lidhur me akuzën që i bëhet", vazhdon Vokshi. Mes të kontaktuarve ka dhe nga ata që frekuentojnë qendrën e Kristos në Shkozet, siç është Abdyl Hamidi, i cili thotë se në qendër Kristo jepte mësime të fesë, si dhe njihet si shërues popullor. Pacientët e tij nuk janë vetëm nga rrethe të ndryshme të Shqipërisë, por edhe nga vende të botës arabe. Metodat kurative të përdorura prej tij bazoheshin te bimët. Ai si shërues deklaron se shëron sëmundje si steriliteti, impotenca, madje dhe kanceri e SIDA, bazuar në bashkëpunimin me një mjek egjiptian, dr.Salih Bin Zajid. Mjekimi përmes tyre është një metodë e hershme, që në kohët moderne duket se nuk e ka humbur aspak rolin e vet, përkundrazi. Artan Kristo është baba i gjashtë fëmijëve, të cilët i ka nga martesat me dy gra, me njërën prej të cilave jetonte në Shkozet deri në çastin e arrestimit. Ai ka qëndruar shumë vite në Siri, ku dhe ka studiuar teologji islame. Në këtë vend ka rënë në kontakt me disa organizata islamike, të cilat predikonin një mënyrë radikale të të besuarit dhe predikuarit të fesë.
V.Qyrfyçi
V.Qyrfyçi