E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Gërdeci", nënë e bir: Tragjedia u paralajmërua

Tragjedia e Gërdecit ka qenë paralajmëruar, por asnjë masë nuk u mor nga drejtuesit e fabrikës së demontimit të armëve të "AlbaDemil". Masa e vetme që u jepnin kurajë punëtorëve ishin "kini kujdes kur hapni arkat". Dëshmitë e radhës, dhënë dje nga nënë e bir e familjes Ciku në Gjykatën e Tiranës, ku po gjykohet çështja e shpërthimit tragjik në Gërdec, ku gjetën vdekjen 26 persona dhe u plagosën mbi 300 të tjerë, treguan se incidentet në fabrikë mund të ndodhnin çdo ditë dhe se rënia e zjarrit nuk ishte gjë e re. Caje Ciku dhe djali i saj, Flogert Ciku, punonin prej korrikut të vitit 2007 në fabrikë dhe paguheshin 150 mijë lekë të vjetra muaji. Caje Ciku solli fakte të padëgjuara ndonjëherë, por që mbështesin pohimin e Prokurorisë se fabrika shpërtheu nga shkëndijat gjatë saldimit të një karroce në ambientet pranë fabrikës dhe hidhnin poshtë pretendimin e të pandehurve se shpërthimi ka qenë i kurdisur. "Karrocat që mbartnin municionet saldoheshin shpeshherë brenda ambienteve të fabrikës. Qemal Deliu, familja e të cilit humbi jetën në shpërthim, pasi banonte pranë fabrikës, saldonte karrocat brenda fabrikës", tha Caje Ciku gjatë dëshmisë. Gruaja dëshmoi se hapeshin mesatarisht 160 arka me municione në ditë. Hapja bëhej me leva dhe pinca. Djali i saj, Flogert Ciku, 16 vjeç (në kohën kur punonte në fabrikë 14 vjeç), dëshmoi në dëshminë e radhës, duke forcuar faktin se në fabrikë punonin minorenë. Flogerti sqaroi se u detyrua të punojë për shkak të rrethanave të vështira në të cilën ndodhej familja. Fakti i ri që solli 16-vjeçari në sallën e gjyqit para të pandehurve ishte ai që zjarri i 15 marsit, që shkaktoi tragjedinë në Gërdec, nuk ishte i pari që ka rënë në fabrikë. "Në qershor-korrik të vitit 2007, në fabrikën e Gërdecit ka rënë zjarr. Punonjësit shuan zjarrin me kova me ujë, pasi nuk kishte mjete të posaçme për shuarjen e zjarrit", tregoi djali pa saktësuar arsyet e shpërthimit të zjarrit, por shtoi se "punëtorët që prej asaj dite ishin të frikësuar". "Punëtorët e kanë ndier gjithmonë këtë rrezik dhe asnjëherë nuk është marrë parasysh rreziku se mund të binte sërish zjarri", tha Flogerti para trupit gjykues. I mituri më pas rrëfeu se puna e tij ishte paketimi i fishekëve dhe hapja e arkave. Në sallë vazhduan edhe dëshmi të tjera interesante rreth kushteve, në të cilat punonin punonjësit në fabrikën e Mihal Delijorgjit në Gërdec.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›