Rrëshen, bllokohen tre furgonë në rrugë
Dëbora krijon problemet e para në rrethin e Rrëshenit. Mesditën e djeshme, tre furgonë që transportonin nxënës shkolle dhe pasagjerë nga qytetit i Rrëshenit në fshatrat periferikë të tij kanë mbetur të bllokuar në vendin e quajtur Prosek, pjesë e aksit nacional Rrëshen-Lurë. Rruga të cilën duhej të kalonin furgonët ishte malore dhe tejet e amortizuar, ndërsa ngrica e bënte edhe më të vështirë qarkullimin në të. Për pasojë, udhëtarët kanë mbetur të bllokuar në borë për më tepër se 40 minuta. Mes tyre kanë qenë rreth 20-25 nxënës që frekuentonin mësimin në shkollën 9-vjeçare dhe të mesme të Rrëshenit, të cilët ishin nisur drejt banesave të tyre në fshatrat Perlat, Kthellë. Furgoni i parë nuk ka mundur ta vazhdojë rrugën, pasi nuk ishte i pajisur me zinxhirë, duke bllokuar kështu për rreth 40 minuta qarkullimin në aksin nacional Rrëshen-Lurë. Pasagjerët kanë kërkuar ndërhyrjen e autoriteteve vendore, ndërsa janë përpjekur të dalin vetë nga situata. Mësohet se udhëtarët, mes tyre edhe fëmijët, kanë shtyrë furgonin derisa mjeti ka arritur të kalojë aksin e vështirë.