Trafiku i veprave të artit, Gjykata e Beratit, arrest me burg ish-drejtorit të muzeut
Gjykata e Beratit ka vendosur masën “arrest me burg” për ish-zyrtarin e Muzeut Etnografik të Beratit, që u arrestua për trafik veprave të artit. Trupi gjykues dha të njëjtën masë sigurie edhe për të arrestuarin tjetër, Mirel Starova, i akuzuar për bashkëpunim në trafikimin e veprave të artit që merreshin në mënyrë ilegale nga Muzeu Etnografik dhe trafikoheshin kundrejt shumave të mëdha monetare. Sipas vendimit të gjykatës, dy të arrestuarit duhet të qëndrojnë në qeli deri në përfundim të hetimeve. 63-vjeçari, djali i tij dhe Starova u ndaluan para dy ditësh gjatë operacionit “Onufri”, ku u sekuestruan një numër i madh veprash arti, statuja, skulptura e monedha të vjetra.