Sindikata e Policisë: Shteti, pagë shtesë për punonjësit e policisë
Sindikata e Punonjësve të Policisë së Shtetit i ka kërkuar qeverisë që deri në fund të këtij viti të shpërblejë të gjithë punonjësit e policisë me mbi një pagë mujore.
Sipas kësaj sindikate, shpërblimi në bazë të punës do t’iu japë mundësi familjeve të tyre që të përballojnë vështirësitë e jetesës nga ana ekonomike.
Në një njoftim për shtyp sqarohet se kjo kërkesë bazohet në ligjin e Policisë së Shtetit, neni 88 pika 5 dhe në Kontratën Kolektive të Punës. Sipas drejtuesit të kësaj sindikate, Sadetin Fishtës, kjo kërkesë kryhet pasi në realizimin e detyrave, punonjësit e policisë, sidomos ata të shërbimeve policore operacionale, u është dashur të sakrifikojnë orë pune suplementare, përveç kohës normale të punës të përcaktuar në ligj (40 orë javore) dhe deri tani nuk janë shpërblyer. Në evidencat mujore përllogaritet që një punonjës policie për 12 muaj të vitit ka konsumuar punë suplementare, jashtë orarit të punës, mesatarisht 380 orë, e barasvlershme kjo me mbi katër paga mujore, që deri tani nuk janë paguar. Duke llogaritur këtu edhe shpërblimin e fundit të vitit, sipas Fishtës, punonjësve të policisë u takojnë deri në pesë paga mujore.