E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për një dele, vret nënë e bir

 

LEZHE / ROLAND NIKOLLI

Ekzekuton në derën e shtëpisë së tij nënë e bir. Mrika e Nikolin Matrizi, (Kola) u qëlluan me breshëri automatiku mbrëmjen e djeshme, nga i zoti i shtëpisë ku kishin trokitur, fqinji i tyre, Pashk Ndreca. Krimi i dyfishtë u regjistrua rreth orës 21:30, në lagjen Gjasht, të fshatit të largët Gryka e Zezë në Lezhë, motivi i së cilës dyshohet të jetë një dele e vjedhur. Policia e Lezhës ka mbërritur me shpejtësi në vendngjarje, duke arrestuar në flagrancë autorin 46-vjeçar, në tentativë për t'u larguar. Skena e vrasjes ka pasur dëshmitarë familjarët e Ndrecës, të cilët u morën në pyetje në lidhje me rrethanat e ngjarjes së rëndë. Ata kanë treguar se nënë e bir kishin ardhur për t'u kërkuar llogari për një dele. Viktimat, shtëpia e të cilëve ndodhej pranë asaj të familjes Ndreca, pretendonin se një prej bagëtive kishte kaluar në tokën e fqinjit. Por ndërsa ata e kërkonin ajo ishte zhdukur plotësisht dhe menjëherë akuza për vjedhje ka rënduar mbi kryefamiljarin Ndreca. Akuza e bërë në derën e shtëpisë duket se e ka prekur sedrën e 46-vjeçarit, i cili me një armë kallashnikov që mbante pa leje ka qëlluar me breshëri ndaj dy fqinjëve. Familjarët e tij pretenduan mbrëmë se nënë e bir po i kërcënonim me armë e granata. Forcat e policisë në vend kontrolluan me imtësi për të gjetur "armët" e viktimave, por konkluduan se ata nuk kishin pasur me vete asgjë të dyshimtë. Arma e vetme është automatiku kallashnikov, me të cilin qëlloi Pashkë Ndreca. Ky i fundit u shoqërua me pranga drejt komisariatit të policisë së Lezhës për të zbardhur në prani të prokurorit krimin e rëndë. Në polici u shoqëruan dhe familjarë të tij, si dëshmitarë të momenteve të ekzekutimit dhe mbi shkakun që çoi deri aty.
Dyshohet se delja e zhdukur dje ka qenë një pretekst i një konflikti të hershëm mes familjeve, pronat e të cilave ndaheshin me gardh. Pritet që sot të bëhet e njohur e gjithë skena e vrasjes dhe marrëdhëniet mes familjeve Matrizi dhe Ndreca. Menjëherë pasi ka ndodhur vrasja, forca të policisë së qarkut janë përqendruar në fshatin Grykë e Zezë për të shmangur përplasje të mundshme mes familjarëve.

2 persona
u vranë mbrëmë për një kokë dele të zhdukur, për të cilën viktimat, nënë e bir akuzuan kryefamiljarin e shtëpisë fqinje me ta

30 km
larg ndodhet fshati Grykë e Zezë, ku ndodhi krimi i dyfishtë. Policia e Lezhës mbërriti me shpejtësi, duke ndaluar në kohë autorin

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›